Jetë e shthurur në moshë të madhe, pse njerëzit mbi 55 vjeç janë brezi i ri problematik?! Cilat janë faktorët dhe pasojat

Pse njerëzit mbi 55 vjeç janë brezi i ri problematik. Brezi “Baby Boomer” po i vazhdon zakonet e këqija deri në pension, shkruan The Economist

Advertisements

Fjalët “komuniteti i pensionistëve” të sjellin ndër mend imazhe të njerëzve të ulur nëpër karrige të lehta, me një pjatë gjellë përpara, duke parë televizor gjatë gjithë ditës. Latitude Margaritaville, një komunitet që po ndërtohet pranë ishullit Hilton Head në Karolinën e Jugut, i hedh tutje gjithë këto stereotipe.

Advertisements

“Kishte një festë toga fundjavën e kaluar”, thotë Lynette, një banore. “Kishte një bandë muzikore dhe u dyndën turmat”.

Barbie, një tjetër “ambasadore” e komunitetit (banorë të punësuar nga zhvilluesit e ndërtimeve për të ndihmuar në shitjen e banesave për të sapoardhurit e mundshëm), e krahason jetesën atje me “nisjen e kolegjit nga e para”. Ajo thotë se ka plot “pije nëpër rrugë, kokteje që pihen ulur mbi beton”.

Nëse banorët e komunitetit Margaritaville janë përfaqësues të grupmoshës së tyre, atëherë do të ketë shumë më tepër festa të tilla.

Të rinjtë në vendet e pasura, këto ditë janë të ngulur përpara celularëve smartphone, më të shqetësuar se brezat e mëparshëm dhe kanë shumë më pak gjasa të përdorin substanca që nxisin dalldinë ose të festojnë të shfrenuar, por gjyshërit e tyre i përkasin një brezi që eksperimentoi me seksin, drogën dhe muzikën rock’n’roll. Me kalimin e viteve, ata nuk po heqin dorë nga zakonet e vjetra.

Kështu, mes moshës më të vjetër, është rritur përdorimi dhe abuzimi i drogës dhe alkoolit. Dhe duke qenë se shumë prej tyre i kanë lënë pas tabutë prej kohësh, po përhapen edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Për shembull, që nga viti 2010, është gjashtëfishuar përhapja e gonorresë tek amerikanët e moshës mbi 55 vjeç.

“Sot, moshat më të mëdha, kanë më shumë gjasa se kurrë për të marrë pjesë në kulturën e takimeve seksuale të rastësishme dhe për të kryer marrëdhënie seksuale pa prezervativë, gjë që mund të jetë nxitur edhe nga disponueshmëria e ilaçeve kundër impotencës dhe rritja e përdorimit të aplikacioneve online për takime romantike për moshat më të mëdha”, vuri në dukje Janie Steckenrider në një studim për revistën Lancet.

Rritje të ngjashme vihen re edhe gjetiu. Megjithëse që nga viti 2019 deri në 2023, në Angli, numri i infeksioneve të reja të sifilizit tek të rinjtë ra paksa, te personat mbi moshën 65 vjeç u rrit me 31%.

Kjo duke pasur parasysh se edhe në 5 vitet e mëparshme, kishte pasur gjithashtu rritje të këtij infeksioni. (Për fat të mirë, nuk ka ndodhur kështu me virusin HIV dhe numri i infeksioneve të reja të tij po bie globalisht).

Çfarë po ndodh

Në të kaluarën, rinia revolucionare dhe e shfrenuar ishte një shqetësim për politikanët. Sot, shërbimet publike të vjetruara dhe të tendosura janë kthyer në një shqetësim të madh për politikën kombëtare dhe po nxisin problemet sociale.

Të moshuarit që argëtohen janë të shumtë: numri i njerëzve mbi 65 vjeç po rritet në të gjitha vendet e pasura. Në Britani, ata janë më shumë se një e pesta e popullsisë.

Dhe duan të argëtohen. Në njëfarë mënyre, mund të themi se njerëzit e moshës mbi 55 vjeç dhe nën 75 vjeç, që quhen bashkërisht “Brezi X”, janë tashmë brezi i ri problematik.

Pse janë kaq të papërmbajtur njerëzit e kësaj moshe? Arsyeja e parë ka të bëjë me qëndrimet e këtij brezi ndaj pijeve alkoolike, drogës dhe seksit. Në dy dekadat deri në vitin 2023, përqindja e njerëzve të moshës 18 deri në 34 vjeç në Amerikë që “kanë përdorur rastësisht pije alkoolike”, ra nga 72% në 62%, sipas anketuesit Gallup. Ndërsa tek personat mbi 55 vjeç, përdorimi i alkoolit u rrit nga 49%, në 59%.

Prirje të ngjashme vihen re pothuajse kudo në vendet e pasura.

“Ndërsa australianët e rinj po pinë në nivele më pak të rrezikshme, ka pasur një rritje të madhe të pirjes së alkoolit nga australianët më të mëdhenj në moshë”, raportoi Fondacioni i Alkoolit dhe Drogës, një shoqatë bamirëse australiane, në vitin 2022.

Tani australianët më të vjetër kanë më shumë gjasa për të pirë në nivele të rrezikshme, sesa pjesa tjetër e popullsisë.

Në Francë, konsumi i alkoolit është ulur në të gjitha grupmoshat në vitet e fundit. Por të rinjtë janë ata që po e braktisin më shumë. “Nuk po përcillet më vera si më parë brenda familjeve”, u ankua Bernard Farges, kreu i grupit të industrisë së prodhuesve të verës në Francë, në një intervistë për gazetën financiare Les Echos.

Kjo nuk është e vërtetë vetëm për alkoolin, por edhe për substanca të tjera që stimulojnë mendjen.

Në Amerikë, përdorimi i kanabisit është rritur ndjeshëm midis grupmoshave më të vjetra. Tani kanabisi është i ligjshëm në shumicën e shteteve amerikane dhe ky është brezi që e përdorte më shumë substancën në rini. (Barack Obama, ashtu si Kamala Harris, kanë pranuar se kur ishin gjimnazistë, përdornin kanabisin).

Kjo prirje vihet re edhe në vende të tjera. Në Spanjë, përqindja e personave të moshës 55-64 vjeç që raportojnë se kanë përdorur kokainë vitin e kaluar, është rritur tetëfish në 15 vjet.

Në Angli, njerëzit në të 50-at “po përjetojnë kohërat e rinisë” nëpër festivale, thotë Fiona Measham, një akademike në Universitetin e Liverpool-it që studion përdorimin e drogës dhe alkoolit.

Divorcet

Një tjetër problem është seksi. Shkalla e divorcit në vendet e pasura në përgjithësi po bie (në fakt, arsyeja kryesore për këtë është se po martohen më pak njerëz dhe në përgjithësi njerëzit që martohen presin më gjatë derisa të gjejnë partnerin me të cilin duan të martohen).

Por nivelet e divorcit po rriten mes pensionistëve. Në vitin 2022, u divorcuan më shumë çifte japoneze se kurrë më parë për ata që kishin mbi 20 vite martese, edhe pse normat e divorcit ranë për grupet më të reja.

Më shumë se një në katër amerikanë mbi moshën 60 vjeç jetojnë vetëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata po kryejnë më pak marrëdhënie seksuale.

Një studim në Holandë zbuloi se përqindja e njerëzve mbi 75 vjeç që raportojnë se janë seksualisht aktivë, u rrit nga 16% në vitin 2014, në 27% më pak se një dekadë më vonë.Brezi-problematik-2-1166

Të moshuar të dalldisur

Sjellja e brezit më të vjetër bie ndesh në mënyrë të habitshme me sjelljen e fëmijëve të tyre, të cilët po tregohen çuditërisht të përmbajtur. Por ky brez, në fakt, ka qenë gjithmonë i rrëmujshëm. Amerikanët e sotëm të moshës së mesme kanë lindur nga prindër që kishin përjetuar luftën, më pas u martuan të rinj, bënë fëmijë herët dhe i rritën ata me një vëmendje minimale.

Kështu, ky brez u rrit duke thithur tymin e benzinës me plumb (që mendohet se shkakton sjellje impulsive) dhe duke vënë re shembjen e tabuve shoqërore. Ata kishin qasje në kontraceptivë, abort dhe muzikë pop.

Ka edhe faktorë të tjerë. Ata që dalin në pension tani, janë shumë më të pasur se në të kaluarën. Në vitin 1993, pak më shumë se gjysma e njerëzve mbi moshën 65 vjeç në Britani, zotëronin shtëpi. Tani tre të katërtat janë pronarë shtëpish.

Së dyti, ata kanë më pak përgjegjësi.

Nga vitet 1970 e tutje, me rritjen e pjesëmarrjes së femrave në tregun e punës, gjyshërit morën përsipër kujdesin për fëmijët. Por në dekadën e fundit, shkalla e lindjeve është ulur, që do të thotë se më shumë të moshuar nuk kanë fare fëmijë apo nipër. Dhe ata që kanë, nuk janë aq të zënë sa në të kaluarën.

Tani punësohen dado me pagesë dhe në disa vende, qeveria jep subvencione për çerdhe. Në Holandë, për shembull, vetëm 2% e gjyshërve raportojnë se duhet të kujdesen shumë shpesh për fëmijët. Kjo lë më shumë kohë për pije alkoolike dhe qejfe.

Cilat janë pasojat e gjithë kësaj?

Kur rinia bëhet më “e shthurur”, kjo shpesh shihet si një simbol i rënies sociale. Njerëzit nuk shqetësohen zakonisht për prindërit e këtyre të rinjve. Në mënyrë të ngjashme, anketat e qeverive për alkoolin, lojërat e fatit, pirjen e duhanit dhe fushatat e edukimit që synojnë t’i ndalojnë ato, përqendrohen tek të rinjtë.

Administrata Amerikane e Abuzimit me Substancat dhe Shërbimeve të Shëndetit Mendor, e cila vëzhgon përdorimin e drogës në vend, i ndan studimet e saj në dy grupe: nën 25 vjeç dhe pjesa tjetër.

Por në fakt, siç kanë vënë re edhe teleshikuesit e shfaqjes televizive “Shameless” që tregon jetën e të dehurve në të 50-at dhe 60-at, jeta e shkujdesur në çdo moshë, ka një kosto, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.

Këta persona të moshës së mesme, sidomos ata që marrin pjesë nëpër festat e alkoolit në Margaritaville, do bënin mirë të kujtohen, apo ndoshta të mësojnë për herë të parë, se infeksionet seksuale mund të përhapen shumë lehtë.

“Njerëzit e moshave më të mëdha po nisin lidhje dashurore dhe po kryejnë marrëdhënie seksuale të rastësishme”, thotë Imara Canady nga Fondacioni i Kujdesit Shëndetësor për AIDS, një organizatë bamirëse e cila kohët e fundit filloi një fushatë reklamimi që nxiste të moshuarit të testoheshin për virusin HIV dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme.

Marrja e drogës në moshë të mesme ka gjithashtu pasoja. Në Angli dhe Uells, vdekjet e njerëzve mbi 50 vjeç përbënin më shumë se një të tretën e të gjitha vdekjeve nga keqpërdorimi i drogës në vitin 2022, nga vetëm 13% dy dekada më parë.

Shumë prej atyre që vdesin janë të varur nga heroina dhe e kanë përdorur drogën për dekada të tëra. Ama, jo të gjithë.

Vdekjet e shkaktuara nga kokaina tani janë më të shumta në numër te moshat më të pjekura, sesa te të rinjtë. Në periudhën 2018-2022, vdiqën 38 njerëz mbi moshën 50 vjeç nga mbidoza e ekstazës (një drogë që zakonisht përdoret nga adoleshentët).

Zonja Measham nga Universiteti i Liverpool-it gjithashtu drejton një organizatë bamirësie që mundëson komplete testimi për njerëzit që të sigurohen që drogat e tyre të paligjshme të mos jenë të kontaminuara.

Ajo thotë se më të vjetrit shpesh janë më të pakujdesshëm se të rinjtë. “Të rinjtë kërkojnë të dhëna ose këshilla”, thotë ajo. “Kurse më të mëdhenjtë mendojnë se nuk kanë nevojë për to”.

Infeksioni dhe vdekja e hershme janë vetëm disa nga problemet më të dukshme. Disa persona të moshës së mesme po shkaktojnë vetë dëme më të drejtpërdrejta: ata përbëjnë një përqindje në rritje të njerëzve që po arrestohen dhe po dënohen për krime.

Dihet mirë se burgjet e Amerikës po mbushen gjithnjë e më shumë me të burgosur të moshave më të mëdha. Ajo që shpesh anashkalohet, është se kjo nuk ka ndodhur tërësisht prej plakjes së të burgosurve.

Mosha e mesme përbën gjithashtu një pjesë më të madhe të kriminelëve të sapodënuar. Sipas të dhënave të FBI-së, nga viti 1992 deri në vitin 2022, mes burrave të arrestuar, përqindja e moshës mbi 50 vjeç u trefishua nga 5% në 15%. Në terma absolutë, numri u rrit me gati 40%, edhe pse ranë arrestimet e grupmoshave të tjera. Prirje të ngjashme vërehen në vende të tjera.

Njerëzit e moshës së mesme duken edhe më të prirur ndaj dhunës politike. Një brez më parë, ideja e tërbimit të pensionistëve dukej qesharake. Por kur shpërthyen trazirat kundër emigracionit në të gjithë Anglinë në gusht 2024, një nga të arrestuarit në Liverpool ishte William Nelson Morgan, një gjysh 69-vjeçar.

Në seancën e tij gjyqësore, ai u bërtiti policëve që e arrestuan: “Unë jam 70 vjeç, dreqi e mori”. Polici ia ktheu: “Atëherë pse dreqin ishit në një trazirë të dhunshme?”

Në mënyrë të ngjashme, nga të arrestuarit dhe të akuzuarit pas trazirave në Uashington më 6 janar 2021, pothuajse gjysma ishin mbi 40 vjeç dhe mosha më e vjetër ishte 81 vjeç.

Nga gratë e arrestuara (një numër më i vogël), rreth një e treta ishin rreth të 50-ave, shumë më tepër se çdo grupmoshë tjetër.

Ndoshta kjo ndodh për shkak se personat e këtij brezi kanë prirjen për të qenë shumë të pakënaqur. Sondazhet tregojnë se ata janë më pesimistë për të ardhmen sesa të rinjtë.

Njerëzit gjithmonë janë bërë më pesimistë me kalimin e moshës, megjithatë ka arsye për të menduar se ky brez është veçanërisht dhe çuditërisht i zymtë.

Një studim nga Pew, i botuar një dekadë më parë, zbuloi se “Në matjen e cilësisë së jetës, të dhënat tregojnë se personat e brezit ‘Baby Boomers’ (60 deri 79 vjeç), në përgjithësi janë renditur më poshtë se grupmoshat e tjera, për dy dekadat e fundit”.

Të dhënat më të fundit nuk kanë shënuar përmirësime. Për më tepër, disa të dhëna të tjera, tregojnë se personat e brezit “Baby Boomer” (dhe brezit X, të lindur midis viteve 1965 dhe 1981), janë breza mjaft të zymtë.

Për shembull, shifrat e Britanisë tregojnë se në dekadën deri në vitin 2023, shkalla e vetëvrasjeve u rrit ndjeshëm për personat e moshës 45 deri në 65 vjeç, dhe ra për ata më të moshuar dhe më të rinj.

Është e qartë se jo të gjithë po lulëzojnë në pleqëri. Edhe pse personat e brezit “Baby Boomer”, në përgjithësi po ecin mirë financiarisht (ata zotërojnë gjysmën e pasurisë në Amerikë, sipas Rezervës Federale), shumë prej tyre po ndiejnë një tendosje.

Njerëzit mbi 60 vjeç në Amerikë kanë pësuar më shumë se një të katërtën e sekuestrimeve të shtëpive, nga vetëm një në dhjetë, 20 vjet më parë, dhe ka pasur një rritje të ngjashme të falimentimeve, sipas të dhënave nga Rezerva Federale e Nju Jorkut. Të gjitha këto janë të shtrenjta.

Dhe ana negative e kujdesit më pak të lodhshëm për fëmijët, është se do të ketë më pak nipër e mbesa të rinj përreth për t’i bërë shoqëri gjyshes dhe gjyshit.

“Të moshuarit e izoluar dhe të vetmuar kanë qëndrime më të gjata në spitale, si dhe norma më të larta të shtrimit urgjent dhe të rispitalizimit, si dhe kanë më shumë gjasa të pranohen më herët në kujdesin infermieror”, raportoi në vitin 2022 një studim i publikuar nga Qendra Europiane për Politikat e Mirëqenies Sociale, një think-tank me seli në Vjenë.

Drejt alkoolit

Këto probleme mjaftojnë për të shtyrë dikë drejt pijeve alkoolike. Kur Jimmy Buffett shkroi këngën “Margaritaville” në vitin 1977, ai ishte vetëm 31 vjeç. Me siguri nuk e dinte sa profetike do të ishte kjo këngë.

Ajo është një vajtim i hidhur për jetën e një njeriu në depresion, që rri gjithë ditën në plazh dhe pi alkool.

“Por ka alkool në koktej/Dhe së shpejti do të bëhet/Ajo përzierje e ngrirë/Që më ndihmon të jetoj”. Buffett vdiq në vitin 2023, në moshën 76-vjeçare.

Megjithatë, sot Margaritaville është kthyer në një vend të njëmendtë. Ose mund të themi se ka shumë prej tyre. Është një zinxhir baresh, vendpushimesh dhe tani, më e rëndësishmja, një komunitet pensionistësh: ka dy në Florida, si dhe një në Karolinën e Jugut.

Është një vend që mbase përfaqëson më së miri ambiciet e brezit “Baby Boomer” pas daljes në pension.

Gjatë pjesës më të madhe të periudhës së pasluftës, alkoolizmi, droga dhe shtatzënitë u rritën mes të rinjve. Dhe pastaj arriti një pikë kur rritja u ndal. Brezat që tani po plaken duke bërë një jetë të shthurur, e kanë bërë atë edhe në rini, edhe në moshën e mesme.

Kështu që nuk mund të bëhet ndonjë gjë për sjelljen e tyre të tanishme. Nëse ata zgjedhin të jetojnë duke pirë alkool pa masë, askush nuk mund t’i ndalojë, përveç kohës./Monitor