Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pikën e Kontrollit Kufitar në Portin e Vlorës, ku një punonjës policie është dhunuar nga dy persona gjatë kryerjes së detyrës, shkruan A2 CNN. Incidenti ka ndodhur teksa një furgon që kryente lidhje me Italinë dhe disa vende të tjera të Europës është ndaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë të sigurisë.
Advertisements
Dy administratorët e furgonit fillimisht kanë kundërshtuar verbalisht kontrollin, duke ofenduar dhe kërcënuar efektivin e Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Situata më pas ka përshkallëzuar në dhunë fizike, ku punonjësi i policisë është sulmuar dhe ka pësuar dëmtime në trup dhe fytyrë. Ai është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore, ndërsa agresorët janë shoqëruar në komisariat.
Advertisements
Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se ndaj dy të ndaluarve pritet të merret masa e arrestit, pasi ata akuzohen për dy vepra penale: “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të autorëve. Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave dhe bashkëpunimin me autoritetet, duke paralajmëruar tolerancë zero ndaj çdo akti dhune ndaj efektivëve të rendit. (A2 Televizion)