Kanabisi mjekësor/ Qeveria vendos kriteret e kultivimit: Parcela, me mure 4 metra të lartë e sinjale alarmi në polici

Qeveria përcakton kriteret dhe rregullat e forta për kultivimin e sipërfaqeve me kanabis sativa për qëllime mjekësore dhe rregullat e lëvizjes së mjeteve të transportit të lëndëve të para që duhen për këtë qëllim, bashkë me planin e sigurisë.

Advertisements

Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, (9 Janar) dhe mban firmën e kryeministrit Edi Rama.

Advertisements

Gjithashtu janë miratuar edhe rregullat për personat që do paraqesin kërkesat për licencat e kultivimit të kanabisit. Kultivimi bëhet në ambiente të hapura, sipërfaqe toke, të mbrojtura, sera apo tunele plastike dhe të mbyllura, ambiente të izoluara me ndriçim artificial. Kurse ruajtja bëhet nga Policia Private apo edhe ajo shtetërore “Illyrian Guard”, 24 orë pa ndërprerje.

Subjekti i licencuar në ambientet ku ushtrohet aktiviteti, duhet të plotësojë standardet e sigurisë dhe mbrojtjes, si monitorimi me kamera cilësore dhe roje 24 orë.

“Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së”, thuhet në vendim.

Ky sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit. Gjithashtu përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli), lidhja e sinjalit të alarmit me Policinë dhe salla e komandimit.

Jo vetëm kaq, pasi duhet të ketë edhe ruajtje fizike 24 orëshe pa ndërprerje dhe me grupe verifikimi për sinjalizime.

Ndërkohë që kur kultivimi bëhet në sipërfaqe të hapur apo të mbrojtur, kërkohet me patjetër që të rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba.

Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm.

“Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave CCTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike”, thekson vendimi.

Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave. Kurse materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.

Por ka kritere edhe për licencuesin, i cili pas firmosjes së marrëveshjes me ministrinë e linjës duhet të plotësojë edhe kushtet e vendosura dhe rregulloren në fjalë.

“Mbajtësi i licencës duhet të ketë dhe të ndjekë procedura për të ruajtur dhe testuar efikasitetin e pajisjeve e të sistemeve të sigurisë. Mbajtësi i licencës duhet të kryejë inspektime periodike të pajisjeve dhe infrastrukturës nga subjekte të licencuara për këtë qëllim”.

Skema e sigurisë së objektit së bashku me procedurat e sigurisë, planin e dislokimit dhe transportin e sigurt të cannabis-it përgatitet nga drejtuesi teknik i subjektit të ngarkuar për ruajtjen e sigurinë fizike dhe miratohet nga shefi i Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti dhe hartohet në 4 kopje origjinale të cilat i vendosen në dispozicion nga 1 (një) kopje subjektit, Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (Agjencia), subjektit të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.

Në rast defekti të sistemeve të sigurisë, subjekti i licencuar ose subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike, në varësi të parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve, ka detyrimin të bëjë riparimin e menjëhershëm, por jo më shumë se 24 orë nga defekti. Subjekti njofton menjëherë Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.

Transporti i bimëve narkotike dhe nënprodukteve të saj duhet të bëhet me mjete të mbyllura dhe që sigurojnë mosdëmtimin e mallit.

“Subjekti i licencuar duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet, si dhe të ruhet dhe të shoqërohet nga shërbim i sigurisë deri në/nga pika e kalimit të kufirit sipas parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve”, vijon vendimi.

Për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve dhe Policinë e Shtetit.

Subjekti i garanton akses të kamerat edhe Agjencisë përkatëse, që të monitorojë. Kurse procedurat doganore për materialet dhe lëndën e parë apo produktet e kanabisit mund të bëhen pranë zyrave doganore të hyrjes së territorit shqiptar.

Gjithashtu për këtë hyrje-dalje në kufi subjekti njofton një ditë para. Për këtë vendim dhe zbatimin e tij ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, subjektet e licencuara, si dhe subjektet e ngarkuara për ruajtjen dhe sigurinë për zbatimin e këtij vendimi.