Kaos në rrugë për shkak të Giro d’Italia/ Gruaja lehonë me foshnjën e sapolindur mbetet e bllokuar në trafik!

Eventi sportiv Giro d’Italia ka paralizuar totalisht qarkullimin në disa qytete të Shqipërisë. Qytetarët janë revoltuar nga mungesa e paralajmërimeve dhe mënyra e menaxhimit të situatës nga autoritetet.

Advertisements

Një rast urgjent dhe shqetësues është denoncuar në Durrës, në zonën e Plazhit të Plepave, ku një çift është bllokuar prej më shumë se gjysmë ore në trafik. Gruaja, e cila ka lindur prej disa orësh dhe është me foshnjën e saj të sëmurë në makinë, nuk po mund të arrijë në spital për shkak të mbylljes së rrugëve për garën çiklistike. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Policia dhe autoritetet shëndetësore për të ndihmuar çiftin në nevojë.

Advertisements

Qindra qytetarë kanë dërguar denoncime në redaksinë tonë, duke raportuar se janë të bllokuar në autostrada, rrethrrotullime dhe mbikalime pa asnjë rrugë alternative.

Pjesë nga denoncimet e qytetarëve:

Autostrada Tiranë-Elbasan: “Shiko ku i detyrojnë njerëzit e thjeshtë të futen me makina, vetëm që t’u lirojnë autostradën çiklistëve italianë. Shtet bujar…”

Tiranë – drejt Spitalit të Sanatoriumit: “Kane bllokuar çdo mbikalim dhe rrethrrotullim, s’ka asnjë rrugë alternative, nuk lejojnë as motorat për raste emergjente. TURP!”

Trafiku në Tiranë dhe Durrës: “Kemi dy orë në trafik. Një orë para garës kanë mbyllur rrugët. Njerëzit kanë zbritur nga makinat dhe qëndrojnë jashtë.”

Apel për informacion: “Përshëndetje! A keni info kur hapet autostrada?”

Qytetarët theksojnë se nuk ka pasur asnjë informacion nga policia për menaxhimin e situatave emergjente, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve. Organizimi i aktivitetit është konsideruar i papërgjegjshëm, me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përditshme.

Thirrje urgjente për ndërhyrje! Qytetarët i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përkatëse: të krijojnë korridore emergjence, të japin informacion transparent dhe të parandalojnë situata të tilla në të ardhmen.