KËRKESA/ I dënuar me burg përjetë, Dritan Dajti hap gjyq të ri në Elbasan: Të mos njihet vendimi i Krimeve të Rënda, gjyqtarët nuk firmosën! Mungon urdhri i prokurorit

Dajti u dënua më 23 Korrik 2014 nga Krimet e Rënda për vrasjen e 4 agjentëve të Antidrogës në Durrës më 2009, Gjykata e Lartë e njohu izolimin përjetë. Pretendon se ky vendim është i pavlefshëm, për shkak se i mungojnë nënshkrimet e 4 anëtarëve të trupit gjykues dhe se urdhri i ekzekutimit të prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi nuk ekziston

Advertisements

Elbasan- I dënuari me burgim të përjetshëm, Dritan Dajti, ka hapur një proces të ri gjyqësor, ku kërkon që të mos zbatohet vendimi i dhënë një dekadë më parë nga Krimet e Rënda, duke pretenduar parregullsi ligjore të rënda.

Advertisements

I dënuari për vrasjen më 9 Gusht 2009 të 4 agjentëve të Antidrogës në Durrës gjatë një operacioni, ku dhe vetë mbeti i plagosur, po bën një tjetër përpjekje për lirim nga burgu.

Përmes avokatëve të tij, Dajti ka depozituar një kërkesë penale në Gjykatën e Elbasanit, që mban datën e sotme (23 Shtator), ku kërkon: Konstatimin dhe deklarimin e pamundësisë së vënies në zbatim të vendimit, pasi ligjërisht rezulton i pavlefshëm dhe për faktin se urdhri i prokurorit për vënien në zbatim të vendimit nuk ekziston”.

Bëhet fjalë për vendimin nr. 95, të 23 Korrikut 2014 të ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë.

Sipas Dajtit, ky vendim është i pavlefshëm, për shkak se i mungojnë nënshkrimet e 4 anëtarëve të trupit gjykues. Po sipas pretendimeve të Dajtit, urdhri i ekzekutimit të prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi nuk ekziston.

Më 11 qershor 2024, Gjykata e Lartë prishi dënimin e Apelit për dënimin me 25 vite të Dajtit, duke e dënuar përjetë.

Ndërkohë, më herët Dajti i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit me kërkesë për lirim nga qelia, pasi, sipas tij, e ka konsumuar dënimin me 25 vite dhe se prej 17 gushtit 2024 po qëndron në qeli në kundërshtim me ligjin.

Dritan Dajti aktualisht po e vuan dënimin e tij në Burgun e Peqinit.

Në procesin për llogaritjen e viteve të dënimit ka dëshmuar nga burgu me videokonferencë, sepse Burgjet për shkaqe sigurie dhe frika e ndonjë arratisjeje, (referuar precedentit të tij të mëparshëm), nuk e morën përsipër transportin në Gjykatën e Elbasanit.