Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mohuar akuzat për lobimin e LSI-së në SHBA.
Advertisements
Në një postim në rrjetin social Facebook, ndërsa ndodhet në burgun 313, ai thotë se nuk ka autorizuar veprime të paligjshme, teksa shprehet se kontratat janë bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Advertisements
Ai ka deklaruar se kompania “McKeon Group” e ka nënshkruar kontratën me një avokat greko-amerikan Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin e tij apo të LSI-së.
Pjesë nga deklarata e Ilir Metës:
Advertisements
Lidhur me lobingjet, siç e sqarova edhe në sallën e gjyqit, në dijeninë time çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk kam autorizuar veprime të paligjshme.
Në sallën e gjyqit me shkresë konkrete demonstrova sesi kompania “McKeon Group” kishte regjistruar në FARA (Departamenti i Drejtësisë) një konkratë të nënshkruar nga një avokat greko-amerikan Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin tim dhe të LSI.
Në 20 Janar, Presidenti i “McKeon Group” i kërkoi zyrtarisht FARA (Departamenti i Drejtësisë) të korrigjonte atë marrëveshje pasi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta na tha se ky person s’ka qenë i autorizuar nga ai dhe LSI dhe se qëllimet e bashkëpunimit janë të tjera.
Po kështu më duhet të sqaroj se lidhur me dy kompanitë e lobimit të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, në dijeninë time çdo vendim i LSI ka qenë i ligjshëm në respekt të ligjit shqiptar dhe amerikan.
Nëse SPAK-ut i rezultojnë diferenca midis deklarimeve në KQZ dhe përfitimeve nga kompanitë e lobimit për interes të LSI-së, SPAK-u dhe FBI i kanë patur të gjitha mundësitë të verifikojnë se cilët persona ose kompani kanë paguar në USA dhe t’i vendosin në ndjekje penale.
Është e padiskutueshme që unë Ilir Meta të kem autorizuar dikë të bëjë veprime të tilla ose të kem patur dijeni.
Por SPAK-ut nuk i intereson e vërteta e përgjegjësisë por përpjekja për të krijuar tymnajën që përderisa këto janë deklaruar si shërbime ndaj LSI dhe Ilir Metës, paguesi është Ilir Meta, kur kjo është e pavërtetë dhe SPAK-u dhe FBI e dinë se cilët janë paguesit që duhet të përgjigjen para ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Po kështu më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime.
Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e SPAK-ut për të shtuar një insinuatë më shumë në fletërrufenë e gjatë.
Akoma më i turpshëm është konkluzioni se unë kam përfituar nga kartat që ish-bashkëshortja ime paska marrë dhe përdorur nga Adrian Shatku, gjë që s’do ta kisha lejuar kurrë.
Po kështu konkluzioni se Kryetari i Kuvendit ka ndërhyrë për të bërë një ndryshim ligjor në favor të një biznesmeni është absurd.
Procedura e ligjbërjes është e përcaktuar se si nis dhe konkludohet dhe roli i Kryetarit të Kuvendit është si ai i çdo deputeti tjetër në votim, në bazë të bindjes së tij.
Si nuk u shqetësua SPAK-u për shumë ligje me porosi dhe emra të përveçëm që bëri Edi Rama dhe u denoncuan nga Presidenti i Republikës?
Akoma më absurd është konkluzioni se meqënëse Kryetari i Parlamentit ka biseduar me Kryetaren e AKEP-it për shqetësimet e ngritura nga e vetmja kompani shqiptare në fushën e telekomunikacionit, PLUS, qënkan ndërhyrje për favorizim kur ankesa e tyre ishte se po diskriminoheshin nga kompanitë e huaja.
Ndërkohë që te PLUS, kishim aksionerë shqiptarë dhe shqetësim i tyre nuk mund të injorohej.
Si përfundim për sot, e gjithë Fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit.
Kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë ndaj i kërkoj Sekretarit të Përgjithshëm, z.Tedi Blushi, Kryesisë dhe gjithë strukturave tona anembanë vendit, t’i japin përgjigjen e merituar këtij skenari ogurzi për demokracinë, se Partia e Lirisë nuk mund të bëhet Partia e Tradhtisë.