Të hënën (24 shkurt) në orën 08.30 Safet Bajri, i njohur si i forti i Shkodrës, Behar Bajri dhe Asmer Bilali do të dalin për masë sigurie në gjykatën e Posaçëm.
Advertisements
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e vrasjes së Fatbardh Licit në gusht të 2018 në Shkodër dhe grupit të strukturuar kriminal.
Advertisements
Sipas SPAK, tre të dyshuarit e ekzekutuan xhaxhain e kundërshtarit të tyre Ibrahim Lici në shenjë hakmarrje për vrasjen e mikut të tyre Boran Bërcana. Ky i fundit u ekzekutua brenda në makinën e tij bashkë me partneren Silvi Ndoci.
VRASJA E FATBARDH LICIT
Më 10 gusht, sërish në mëngjes, një person i maskuar do të hynte në një nga kafenetë më të njohura në Shkodër dhe do të ekzekutonte Fatbardh Licin. Ishte sërish viti 2018. 53-vjeçari u vra me breshëri dhe trupi i pajetë mbeti në tavolinën ku pinte kafen thuajse çdo ditë, ndërsa vrasja e tij ishte paraprirë nga një ngjarje që shokoi opinionin publik. Më 15 korrik, një çift ishin ekzekutuar brutalisht në makinë, ndërsa elementi që tronditi edhe më rëndë ishte djali 3 vjeç, që kishte mbijetuar pa asnjë gërvishtje.
Trupat e çiftit u gjetën pas rreth 5 orësh nga vrasja, ndërsa fëmija kishte ikur nga sedilja e pasme dhe ishte ulur në prehrin e nënës së vdekur. Policia identifikoi viktimat, i riu ishte Boran Bërçana, ndërsa partnerja e tij ishte Silva Ndoci. U tha se Bërçana kishte qenë punonjës policie dhe ishte përfolur për implikime në grupe kriminale, por asnjë precedentë i regjistruar nëpër skedarët e policisë nuk kishte ekzistuar më herët. Sigurisht, si gjithnjë, policia shoqëroi persona sa për procedurë, prokuroria nisi po hetime për procedurë, por nën zë nëpër Shkodër e jo vetëm flitej se ekzekutimi i ish-policit me gjithë të dashurën e tij ndodhi për hakmarrje ndaj shpërthimit të bombës te tregu.
Ekzekutimi i Fatbardh Licit, doemos do të lidhej me atë krim të rëndë të vrasjes së çifti, ndërsa më pas del në skenë edhe hakmarrja brutale mes Bajrajve dhe Licëve për ta kthyer atë vit në një horror për Shkodrën, ku vrasja e Fatbardhit iu faturua grupit të Bajrajve, ndonëse jo zyrtarisht.
PAS VRASJES SË LICIT
Vetëm 13 ditë pas vrasjes Licit, më 23 gusht zhduken, sot e asaj dite, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip e dajë. Sërish në skenë dalin Bajrajt, por sërish veç të dyshuar. Trupat e dy burrave nuk u gjetën asnjëherë. Më 1 shtator, do të nxirrej në pritë Arjan Ferracaku, ku u tha se bisedën e fundit në telefon e kishte kryer me Astrit Bilalin, të atin e Astmer Bilalit. Arjani u vra teksa kalëronte, ndërkohë që vetëm një muaj e gjysmë më vonë i vrasin edhe kushëririn që shiste peshk në tregun e Shkodrës.
Ngjarjet duket se pushojnë deri në 30 mars të vitit 2019 kur vriten në derën e shtëpisë Astrit dhe Brahim Bilali, i ati dhe xhaxhai të Astmer Bilalit. Asokohe i dyshuar ishte Ibrahim Lici. Policia e kërkoi ta arrestonte, por më vonë u detyrua të ndërhynte dhe të godiste Bajrjat, sepse nga Belgjika kishin ardhur të dhëna të frikshme për krimet e tyre në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë. 12 persona u arrestuan, ndërsa krerët e organizatës kriminale nisen të rrëzonin akuza e vepra penale në Prokurorinë dhe Gjykatën e Shkodrës. Aq shumë u ndërhy për të liruar Bajrajt sa në vitin 2023, SPAK do të trondiste sistemin e drejtësisë kur do të sillte në pranga një prokuror, një drejtues policie, një shef policie dhe një biznesmen strategjik të qeverisë sonë. Të gjithë ishin të implikuar me grupin e Bajrajve ku bënte pjesë edhe Astmer Bilali me të tijtë.
Vrasjet nuk u ndalen në Shkodër, Safet Bajri fitoi lirinë, ndërkohë që Behar Bajri kishte marrë në dorë frenat e grupit kriminal. Kur SPAK goditi njerëzit e policisë dhe të drejtësisë, ku bëhet me dije se ende ka edhe të tjerë që janë pjesë e asaj dosjeje, Behar Bajri u arratis për t’u kapur dhe ekstraduar, ndërkohë që Safet Bajri jetonte i qetë në bastionin e tij në Dobraç deri më 30 tetor, kur masakra me 4 të vrarë do të trazonte mbarë vendin. Bajrajt ishin aty, por i dyshuari kryesor dukej se ishte kujdesur për alibinë dhe nuk gjendej i përfshirë. Por dyshimet ranë mbi ‘çunat’ e tij, që ashtu i emërtoi edhe në daljen publike në media tri ditë më parë. ‘Çunat’ janë ca të rinj, ndaj të cilëve SPAK ka ngritur një akuzë të rëndë, thuajse të njëjtë me akuzat që dje iu komunikuan edhe atij që konsiderohet si ‘truri’ i grupit kriminal Bajri!