Janë zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e djeshme në rezidencën me vila “Long Hill” në Tiranë, ku u dhunua me sende të forta brenda një lokali 19-vjeçari Kristi Fufi, djali i ish-deputetit Mhill Fufi.
Advertisements
Mësohet se një prej autorëve, i vetmi që është identifikuar nga Policia deri tani është 38-vjeçari Kliton Sulçe, i cili prezantohet nga mediat si “boss-i” i Call Centerave në kryeqytet. Ai nuk u arrestua, por vetëm u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Advertisements
“Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurori, ku është nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. S., 38 vjeç, i dyshuar se ka goditur dhe kërcënuar me jetë 19-vjeçarin K. F. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt” – njoftuan sot blutë e kryeqytetit.
Burime për mediat bëjnë me dije se shkaku i konfliktit mes tyre ka qenë se fillimisht, Kristi Fufi kishte provokuar agresorët, duke xhiruar gomat e makinës pranë tyre dhe më pas ishte futur në rezidencën me vila lukzose, në ambientet e një lokali.
Kjo dyshohet se ka sjellë përshkallëzimin e konfliktit, ku autorët janë futur me një automjet brenda rezidencës. Ata kanë kërkuar fillimisht për të riun, të cilin më pas e kanë gjetur në një lokal. Agresorët ishin pajisur me leva dhe shkopa bejsbolli, të cilat i kanë nxjerrë nga bagazhi i mjetit dhe e kanë dhunuar 19-vjeçarin.
Dyshohet se një prej agresorëve ka pasur edhe një armë zjarri në dorë por nuk ka qëlluar. Kristi Fufi ka marrë lëndime në kokë dhe trup dhe u dërgua në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Mësohet se ka qenë vetë Mhill Fufi, ai i cili ka bërë denoncimin në Polici, teksa deri më tani kemi vetëm procedimin në gjendje të lirë të Kliton Sulçes.
Autoritetet thonë se po hetojnë për të identifikuar autorët e tjerë, por deri më tani, numri i të arrestuarve për këtë ngjarje të rëndë është zero.