Pavarësisht se Acromax përfaqëson si partner i certifikuar denjësisht më shumë brande muzikore, ndër ta dhe ArkivaShqip, si edhe shumicën e televizioneve në Shqipëri dhe Kosovë ka ngelur pyetja që shumë vite se kur do të jetë e mundur që artistët dhe televizionet të kenë mundësinë të përfitojnë nga klikimet në YouTube kur ato klikohen në Shqipëri.
Advertisements
Aktualisht një artist ose emision duhet të gjenerojë klikime në vendet ku YouTube-i ka lançuar shitjen e reklamave si Gjermania, Austria, Amerika, etj, në mënyrë që të gjenerohen të ardhura. Çdo klikim nga Shqipëria ose Kosova nuk gjeneron të ardhura. Vetëm nga partnerët e Acromax-it shkojnë kështu deri në 600 milion klikime “dëm” çdo muaj pa u paguar.
Advertisements
Në një mbrëmje në Berlin punonjësit e Acromax, Xhesilda Projka dhe Glanduela Leci përfaqësuan CEO-n e Acromax-it Aldor Nini, dhe morën më shumë informacione rreth statusit të Shqipërisë në procesin e zgjerimit të shteteve në të cilat YouTube-i do të startojë së shpejti.
Në radhë të parë do duhet që sistemi Google për reklamat të njohë gjuhën Shqipe si gjuhë në mënyrë që shërbimet e reklamave të funksionojnë nga territori i Shqipërisë, diçka që akoma nuk është bërë. Së dyti duhen krijuar bazat ligjore në mënyrë që Shqipëria të jetë në një linjë me standardet europiane dhe ndërkombëtare, jo vetëm për sa i përket ligjeve që lidhen me të drejtat e autorit, por edhe ato të taksave dhe ligjeve të tjera.
Së treti, YouTube duhet të lidhë marrëveshje me agjencitë kolektive në Shqipëri, por ato duhet të kenë aftësitë jo vetëm që të shpërndajnë të ardhurat lidhur me të drejtat e autorit siç duhet, autorëve, interpretuesve, etj, por edhe sistemet kompjuterike që të përpunojnë të dhënat nga platformat. Deri sot agjencitë shpërndajnë të ardhurat me Excel. Së katërti, duhet të jetë vullneti i YouTube-it që një vend si Shqipëria të shtohet në listën e gjatë të shteteve, listë nga e cila mundet të hiqen shtete në të cilat YouTub-i nuk ka më interes të qëndrojë, kështu që shtimi i një shteti si Shqipëria duket edhe më i vështirë.
Pavarësisht këtyre lajmeve, Acromax-it iu sigurua që në momentin e parë që Shqipëria do të jetë në diskutim për t’u shtuar në këtë listë ato do jenë nga më të parët që do marrin këtë informacion.
Përsa i përket disa nga pikave të lartpërmendura, ato janë totalisht në dorën e qeverisë shqiptare. Një nga ato për shembull që do jetë elementare është funksionimi i agjencive kolektive, të përfaqësuara nga SUADA për mbledhjen e të ardhurave, dhe të liçensuara nga Ministria e Kulturës për shpërndarjen e tyre. Vëmë re se aktualisht shumica e partnerëve të Acromax-it nuk përfitojnë të ardhura nga këto agjenci, por edhe mbledhja nuk funksionon siç e parashikon ligji.
Me pak fjalë, ka shumë punë, dhe nëse arrijmë t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, do jemi prap të varur nga një vendimmarrje që s’e kemi ne në dorë, a do të na fusin në listën e shumëpritur të shteteve ku do shtohet shitja e reklamave.
Burime të sigurta kanë treguar që vete Kryeministri ka shprehur interes të madh që ky proces të përshpejtohet pasi do i sjellë çdo producenti shqiptar një burim të ri financiar. Deri atëhere kanalet të cilat kanë primare audiencen shqiptare do kenë në fokus vetëm kapjen e audiencës pa pasur mundësinë që të gjenerojnë të ardhura nëse shikuesi ndodhet në territorin e Shqipërisë.
Ndërkohë kuptuam që Shqipëria edhe pse nuk është akoma në listat e duhura, ka miq dhe dashamirës tek YouTube pasi disa nga punonjësit e YouTube-it nga Anglia na përshëndetën me përzemërsi me shenjën e shqiponjës.