Ishulli grek i Santorinit është në gjendje alarmi pasi rritja e aktivitetit sizmik ngriti shqetësime për një tërmet potencialisht të fuqishëm. Autoritetet greke urdhëruan masa paraprake edhe në disa ishuj të afërt të Detit Egje, pasi më shumë se 200 tërmete nënujore u regjistruan në zonë gjatë ditëve të fundit.
Advertisements
Gazetari Edmond Guri thotë se situata në ishullin grek është kritike për shkak të tërmeteve të njëpasnjëshme të forta, ndjekur nga shumë të tjerë me magnitudë më të vogël. Shqetësuese, sipas tij, është gjithashtu se tërmetet e shumta mund të “zgjojnë” edhe aktivitetin vullkanik.
Advertisements
“Situata në Santorini është kritike. Janë marra masa, janë dërguar forca të shtuara. Aktiviteti sizmik është shqetësues. Janë me dhjetëra tërmete të një magnitudë të lartë, një aktivitet ky që nuk është vënë re viteve të fundit. Ajo që është shqetësuese është dendësia e tërmeteve ngjall shqetësime për zgjimin e vullkanit. Është kërkuar që qytetarët të mos afrohen rreth porteve, anijeve u është kërkuar të largohen nga portet. Ushtria është në gadishmëri për një evakuim të mundshëm.“, tha Guri.
Eksperti i sizmiologjisë Rrapo Ormeni tha se Shqipëria nuk rrezikon nga seria e tërmeteve në ishullin greke për shkak të largësisë.
“Shqipëria nuk rrezikon fare se është qindra kilometra nga kjo zonë. Nuk rrezikohet edhe nëse do kishim një tërmet të forta. Largësia e tyre është e tillë që efekti i tyre nuk ndihet.”, tha Ormeni duke përjashtuar mundësinë e goditjes së një tërmeti më të fortë.