7 janarin e këtij viti policia e Durrësit do të njoftonte se ishte arrestuar Kreshnik Farruku, i cili kërkohej për llogari të autoriteteve italiane për trafik drogë.
Advertisements
51-vjeçari pas disa kohësh arrati kishte vendosur të dorëzohej në policinë e qytetit bregdetar. Gjykata vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të deri në përfundim të procedurave të ekstradimit drejt vendit fqinj.
Advertisements
Por me një veprim të papritur prokuroria e posaçme SPAK vendosi të caktojë një tjetër masë sigurie arrest me burg për Farrukun. Në një aksion të zhvilluar në datën 11 janar nga policia e shtetit 51-vjeçari arrestohet në banesën e tij në zonën e Manzës, në Durrës.
Pak i çuditshëm ky veprim i prokurorisë së posaçme në kohën kur Kreshnik Farruku ishte vetëdorëzuar duke pranuar edhe ekstradimin drejt Italisë. Por dukshëm ky personazh është shumë i rëndësishëm për hetime të tjera që SPAK është duke i zhvilluar në raport me të në vendin tonë.
Këtë e tregon një detaj në raport me një dosje tjetër ku është i përfshirë ai, ajo në ngarkim të ish deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja.
Kreshnik Farrku është një nga personat që njoftohet nga Çyrbja që në zonën e Manzës do të këtë kontrolle të policisë dhe se ai duhej të fshihej. Kodin e aplikacionit Sky Ecc të Kreshnik Farrukut SPAK e ka pasur të identifikuar të paktën që në muajin tetor kur u arrestua Jurgis Çyrbja.
Gjithashtu në muajin nëntor antimafia italiane zhvilloi një operacion ku u godit pikërisht ky grup duke kryer dhejtëra arrestime në Itali. Ndërsa në Shqipëri u arrestuan Julian Kollçaku dhe Maksim Ndoci për të cilët SPAK thotë se ata janë bashkëpunëtorë të ngushte Farrukut dhe kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Edhe në këtë operacion nuk pati një urdhër arresti për Farrukun.
Megjithatë për të kuptuar më shumë për këtë personazh do të bazohemi tek ato pak dokumente të cilat emisioni “Kronos” ka mundur të shikojmë dhe do të ndërtojë personazhin e Kreshnik Farrukut dhe rëndësinë që ai kishte në trafikun e kokainës.
“Kronos” sjell për herë të parë detajet e dosjes që çuan në burgosjen e tij dhe e gjitha lidhet me episode të trafikut të kokainës të ndodhura në Itali përgjatë viteve 2020 dhe 2021.
Aty sipas SPAK dhe antimafias italiane të cilët kanë hetuar për vite organizatën e Kreshnik Farrukut vërehet lehtësia dhe efikasitetit që ka ai për të furnizuar me kokainë persona të ndryshëm që merren me shpërndarjen e drogës, kryesisht në Italinë e Veriut.
Në një episod behet fjale për trafikun dhe e 10 kilogramëve kokainë me një vlerë rreth 350 mijë euro të cilat do shpërndaheshin nga Everst Luku.
Mes këtij të fundit dhe Kreshnik Farrukut janë zhvilluar biseda në Sky Ecc të cilat që faktojnë përfshirjen e tyre në këtë rast trafiku.
Në 26 janar të vitit 2021 mes të dyve zhvillohen biseda të tjera ku flitet trafikun e 50 kilogramëve kokainë e cila do të mbërrinte brenda dy ditësh me anë të një kamioni.
Këto biseda i bënë hetuesit të dyshojnë se ngarkesa do të vinte nga jashtë Italisë pasi për të ardhur në Toskanë duheshin tre ditë. Transporti do të kryhej me anë të një kompanie që tregon për hetuesit organizimin perfekt që ka Kreshnik Farruku në këtë biznes.
Ata fillojnë të flasin përsëri për trafikun e 10 kilogramëve duke përcaktuar detajet se ku do të bëhej shkëmbimi i cili kryhet me sukses dhe për një kohë të caktuar ata janë të gëzuar.
Euforia e tyre prishet për shkak se korrieri i Everest Lukut është ndaluar nga Milano nga policia italiane.
Të vetëdijshëm që biseda e tyre mund të përgjoheshin të dy janë takuar fizikisht në një lokal, i cili dyshohet se është në Shqipëri. Ky fakt tregon se në çfarë nivel trafiku kishte arritur Kreshnik Farruku i cili nga Shqipëria dhe me anë të telefonave të enkriptuar drejtonte të gjithë trafikun e drogës.
Por ky episod e ka shqetësuar shumë Farrukun për shkak se kërkonte nga Everst Luku të konfirmonte, se sa dinte korrieri i tij dhe nëse kishte informacione se pronari i ngarkesës së drogës ishte ai.
Janë identifikuar edhe disa raste të tjera të trafikut të kokainës të cilat në të gjitha rastet janë siguruar nga Kreshnik Farrukut, i cili ia ka shitur po të njëjtit person Everest Lukut.
Luku rezulton me informacion të dorës së parë kur vjen puna tek aksionet që do të kryeje antimafia italiane dhe policia shqiptare në arrestimin e personave të ndryshëm si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.
Për këtë ai njofton edhe Kreshnik Farrukun 14 shtatorin e vitit 2020 se do të zhvillohej një aksion në Firence dhe Shqipëri ku i kërkon të ketë kujdes.
Në datën 15 shtator 2020 u zhvillu operacioni “Los blancos” që kulmoi me urdhër arrestet e disa shqiptarëve ku bënin pjesë Dritan Rexhepi dhe Eldi Dizdari, të cilët për vite me radhe trafikuan tonelata me kokainë nga Amerika Latine.
Pas kësaj bisede ata i janë kthyer sërish biznesit ku Luku i kërkon 5 kilogramë kokainë e cila do të blihej nga Farruku për 36500 euro kilogrami.
Ndërsa në vazhdim të bisedës Everest Luku i thotë që të ketë sërish kujdes pasi në datën 25 nëntor 2020 do të zhvillohej një operacion i policisë në të gjithë Shqipërinë.
Në dhjetor të vitit 2020 zhvillohet një tjetër bisedë për tre kilogramë kokainë të cilët do të dërgoheshin në Pisa, ndërsa Luku i kishte dërguar edhe 90 mijë euro si pagesë për 3 kilogramë të cilët i kishte marrë në 26 nëntor të po atij viti.
Në bisedat mes të dyve që bëhen për shitjen e kokainës dhe parave që përfitohen prej saj Kreshnik Farruku i thotë ndër të tjera se paratë duhet ti dërgonte në Shqipëri, pasi “maloku” i donte atje.
Kjo për hetuesit krijon bindjen se Farruku e trafikonte kokainën së bashku me një person tjetër që kishte nofkën “Maloku”, i cili kishte një rol shumë të rëndësishëm në këtë çështje që lidhej me shitjen e 3 kilogramëve kokainë, ku përfitoheshin 90 mijë euro.
“45 minuta thuaji atij. Shoku kur të mbarosh më nis paratë në Shqipëri sepse maloku i do këtu”- Komunikime në Sky Ecc
Për këtë gjë të dy bien dakord dhe paratë do të vinin në Shqipëri me anë të një linjë autobusi, numrin e të cilit do t’ia conte Farruku.
Nga biseda kuptohet që edhe Farruku ndodhet në Shqipëri nga ku bën orientimin e të gjithë shpërndarjes së kokainës e cila dyshohet se vjen nga Amerika Latine drejt porteve italiane.
Nga provat e mbledhura nga prokuroria Prokuroria dyshon se kreshnik Budlla së bashku me Maksim Nodcin dhe Julian Kollçakun kanë trafikuar drogë si një grup i strukturuar kriminal.
Këta dy të fundit janë arrestuar që në muajin nëntor të vitit të kaluar gjatë një operacioni të përbashkët me antimafian italiane ku u godit pikërisht ky grup.
Nga ana e italianëve është kërkuar ndjekja penale për Maksim Ndocin dhe Julian Kollçakun. Emri i Ndocit del si një nga 7 personat që kanë tentuar të trafikojnë rreth 150 kilogramë kokainë të nisura nga Ekuadori dhe të blera në Kolumbi, me destinacion portin e Livornos në Itali në dy mars të vitit 2022.
Droga sipas hetuesve ishte një pjesë për Ndragheta-n dhe një pjesë për grupet shqiptare duke nxjerrë në pah bashkëpunimin e ngushte mes tyre. Ai është kapur nga kamerat e sigurisë së portit, në një automjet me targa gjermane së bashku me një person tjetër.
Ndoci ka pasur për detyrë që të nxirrte drogën nga kontejneri që kishte mbërritur nga Amerika Latine. Hetuesit italianë kanë identifikuar edhe të tjerë persona të cilët kanë pasur detyre të nxirrnin kokainën.
Ai është kapur në përgjime ambientale me Erald Legisin ku Ndoci tregon për një rast tjetër ku është nxjerrë 1.7 ton kokainë nga një port tjetër. 1 mijë kilogramë i përkisnin vendalinjve, duke iu referuar italianëve dhe dyshohet për Ndraghetën.
Erald Legisi dhe Maksim Ndoci kanë maskimin perfekt si dy persona të cilët kanë dalë të gjuajnë peshk në brigjet e kanalit Scolmatore dhe survejonin me dylbi çfarë kalonte në port.
Pasditen e vonë të 2 marsit ata panë të dilte kontejneri ku ndodhej kokaina i cili po largohej nga porti i Livornos drejt terminalit ku do ti nënshtrohej kontrollit.
Sipas autoriteteve italiane Julian Kollçaku është i përfshirë së bashku me 9 persona të tjerë mes tyre shqiptarë, italianë dhe rumunë është i përfshirë në trafikun e 490 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt portit të Livornos në datën 14 mars 2022.
Edhe në këtë rast prokuroria italianë ka vendosur kamera dhe përgjues në të gjithë zonën e përreth portit që ka bërë të mundur zbardhjen e rolit të të gjithë personave të përfshirë.
Kjo është në mënyrë të përmbledhur ajo që kanë hetuar italianët për Kreshnik Farrukun dhe bashkëpunëtorët e tij goditja e të cilëve ishte kthyer në një nevojë shumë të madhe.
Këtë e tregon operacioni i nëntorit të vitit të kaluar ku në total u arrestuan 23 persona në Itali, nga jugu në veri si dhe 2 persona në Shqipëri, konkretisht Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, pjesë e grupit të Kreshnik Farrukut sipas SPAK.
Objekti i këtij hetimi ishte goditja e trafikimit të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt porteve detare italiane, kryesisht atij të Livornos.
Grupi i strukturuar kriminal njoftoi në atë kohë SPAK ishte aktiv si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane Livorno, Genova dhe Savona dhe në vende të tjera evropiane.
Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale.
Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim.
Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë nga e cila, grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro.
Por kjo është vetëm pjesa italiane e grupit që drejtohej nga Kreshnik Farruku pasi ai për vite me radhë ka qenë shumë aktiv edhe në Spanjë.
Vend ku Farruku ka pasur problem me ligjin dhe sipas mediave spanjolle ka qenë edhe i ndaluar dhe dyshimet se ka qenë i perfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt porteve të këtij vendi.
Në prillin e 2023 në Spanjë u zhvillu një aksion shumë i rëndësishëm në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës duke çmontuar sipas autoriteteve një organizate kriminale të dedikuar për trafikun e drogës në mbarë botën.
Në këtë aksion njoftoi ministria e Brendshme spanjolle u bë i mundur arrestimi e 17 personave në provincat e Cadiz, Malaga, Madrid, Barcelonë dhe Toledo dhe shoqërimi i 20 personave të tjerë si të dyshuar.
Mediat e vendit iberik shkruan se organizata, njihej ndërkombëtarisht si “Klani i Farruku”. Ajo drejtohej nga një grup i rrezikshëm shqiptarësh, kryesisht me bazë në Spanjë, prej nga kishin kapacitet për të vepruar kudo në botë, në disa kontinente.
Gjatë hetimit, organizata i është atribuuar sekuestrove të shumta droge në vende të ndryshme të Europës, në total rreth 10 mijë kilogramë kokainë dhe 10 mijë kilogramë hashash, duke evidentuar 2 ton kokainë të kapur në portin e Algeciras në janar 2022.
U sekuestruan 25 automjete dhe 22 prona me një vlerë të përafërt mbi 4.200.000 euro, si dhe bllokimi i llogarive bankare të 14 individëve dhe 30 kompanive.
Operacioni filloi në shtator 2021 kur agjentët zbuluan disa persona që po përgatiteshin të nxirrnin një sasi të madhe kokaine të fshehur në një kontejner përmes Portit të Algeciras. Ky fakt u konfirmua në janar 2022, kur në port u kapën dy ton kokainë të fshehur në një kontejner të mbërritur nga Ekuadori.
Grupi hetimor punoi për të identifikuar dhe gjetur anëtarët e organizatës, si dhe për të përcaktuar pozicionin e tyre në strukturën hierarkike, duke përfshirë drejtuesit e tyre.
Gjatë procesit, u zbulua se organizata është përgjegjëse për tentativa të tjera për futjen e kokainës që u kapën nga forcat e policisë në vende të tjera evropiane.
Në këtë mënyrë, organizata është lidhur me aksione të shumta që pasqyrojnë kapacitetin e saj të madh për të futur sasi të mëdha kokaine nëpër portet kryesore evropiane në dy vitet e fundit në Itali, Belgjikë, Greqi, Portugali, Holandë dhe Spanjë.
Në total gjatë kësaj kohe u sekuestruan pothuajse 10 mijë kilogramë kokainë dhe u arrestuan 39 persona në të gjithë Evropën, përveç arrestimeve të bëra gjatë operacionit.
Këtyre shifrave duhet t’i shtohen edhe 10 mijë kilogramë hashash të kapur në Portugali, të cilat nuk synoheshin të shpërndaheshin në tregun europian, por objektivi ishte të shkëmbeheshin me kokainë.
Për të gjithë këtë veprimtari grupi hetimor ku bënin pjesë disa polici të vendeve europiane identifikuan “klanin Farruku”. Një grup i përbërë kryesisht nga njerëz me origjinë shqiptare, shumica prej tyre me lidhje familjare.
Ata jetonin në Spanjë prej disa vitesh, kryesisht në Madrid dhe Costa del Sol, dhe kanë precedentë të shumtë penalë, përfshirë vrasje dhe urdhër-arreste të lëshuara në disa vende evropiane.
Ky është rasti i kreut të saj, Kreshnik Budlla, identiteti tjetër i Kreshnik Farrukut i cili njihej edhe si “Niko”, i cili ka disa fletë-arreste ndaj tij dhe aktualisht ndodhet në arrati nga drejtësia.
Shqiptarët zinin pozicionet më të larta në strukturën hierarkike të organizatës dhe ishin përgjegjës për drejtimin dhe koordinimin e operacioneve të trafikut të drogës.
Për ta bërë këtë, ata morën pjesë personalisht në mbikëqyrjen e aktiviteteve më delikate, si nxjerrja e drogës nga portet ose transportimi i saj në bazat e sigurta të organizatës.
Organizimi i tyre ishte perfekt dhe fuqia kryesore e organizatës ishte kapaciteti i madh logjistik që kishin për të kryer këto operacione në mbarë botën.
Në Spanjë, ata kishin një infrastrukturë të përbërë nga spanjollë, disa prej tyre biznesmenë apo profesionistë të tjerë , të cilët u siguronin mbulim dhe mbështetje për të lehtësuar futjen e drogës në Spanjë.
Kjo mbështetje varionte nga marrja me qira e automjeteve dhe anijeve për të fshehur drogën, tek krijimi dhe përdorimi i kompanive për të lehtësuar importimin e mallrave legale në të cilat fshihej droga.
E gjithë kjo u bë e mundur falë një rrjeti të rëndësishëm kontaktesh dhe bashkëpunimesh me organizata të tjera kriminale. Gjatë hetimeve, agjentët kanë konfirmuar takime mes drejtuesve kryesorë të Klanit dhe anëtarëve të rëndësishëm të mafies kalabreze. Dosja e hetuar nga antimafia italiane faktoi lidhjen e këtij klani me Ndraghetën, organizata me e fuqishme kriminale në botë.
Mediat spanjolle nxjerrin në dritë një detaj shumë interesant që lidhet me një personazh shumë të rëndësishëm të trafikut të kokainës dhe e shohim thuajse në çdo hetim të SPAK në Shqipëri, Ergys Dashin. Ai u vra në Ekuador në fillimin e vitit 2022.
Gazetarët spanjolle thonë se kur dy ton kokainë u kapën në janar të vitit 2022 në Algeciras, Ergys Dashi, u vra të nesërmen nga dy persona të cilët e qëlluan teksa po darkonte në një restorant në Guayaquil, qyteti nga ku nisej ngarkesa e drogës.
Sipas informacioneve të marra nga mediat spanjolle, ky fakt lidhet drejtpërdrejt me humbjen e drogës në portin e Algeciras, pasi Ergys Dashi vepronte si ndërmjetës mes organizatave kriminale evropiane dhe bosëve të drogës në Amerikën Latine.
Grupi Farruku kishte krijuar lehtësi për shkak se zotëronin dokumente false të vendeve të ndryshme europiane dhe disa identitete gjë që e vështirësonte punën hetimore të prokurorive të ndryshme.
Mediat spanjolle përmendin një rast shumë interesant të Kreshnik Farrukut, i cili kishte 10 identitete të rreme.
Nga ky hetim thuhet në njoftimin e ministrisë së brendshme spanjolle është zbuluar se ai është paraqitur edhe si inspektor policie nga Shqipëria, me kompetenca hetimore në të gjithë Bashkimin Evropian. Karta dhe distinktivi i policisë u sekuestruan gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Madrid.
Gjatë operacionit janë siguruar edhe fotografi në të cilat Kreshnik Budlla ishte i veshur me uniforma të Gardës Civile Spanjolle kur udhëtonte me automjet brenda territorit spanjoll, duke shmangur kështu identifikimin dhe më pas arrestimin për shkak të urdhër-arresteve ndërkombëtare ndaj tij.250 oficerë policie morën pjesë në këtë operacion, ndërsa për këtë goditje të fortë ndaj klanit Farruku u deshën disa vite.