Marrëveshja Rama-Meloni, GJK: Nuk ndryshon integritetin e vendit

by editor

Gjykata Kushtetuese e konsideroi të ligjshme marrëveshjen e migrantëve të firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni.

Përmes një njoftimi për shtyp, Kushtetuesja thotë se marrëveshja nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.

Advertisements

Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar si dhe konstatoi se marrëveshja nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Me vendimin e ditës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, i hapet rruga Kuvendit të Shqipërisë për ratifikimin e marrëveshjes.

Advertisements

NJOFTIMI I GJK:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare mbi bazë të dokumenteve, në datat 18.01.2024, 24.01.2024 dhe 29.01.2024, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

Advertisements

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot më 29.01.2024, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, vlerësoi se:

Lidhur me respektimin e procedurës së negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për Migracionin, në drejtim të organit kushtetues që ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë, Gjykata verifikoi natyrën dhe përmbajtjen e Protokollit për Migracionin, i cili është negociuar dhe nënshkruar si një marrëveshje ndërqeveritare, e ratifikueshme në Kuvend sipas nenit 121, pika 2, të Kushtetutës.

Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën e saj, verifikoi nëse Protokolli për Migracionin përbënte marrëveshje ndërkombëtare që lidhej me territorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese e analizoi konceptin “marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin” në dy aspekte:

(i) aspekti fizik; dhe

(ii) aspekti juridiksional të lidhur me sovranitetin.

Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

VENDOSI:

Deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Në bazë të nenit 52/a, pika 2 të ligjit organik vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.

You may also like