Zbërthimi i bisedave nga “SKY ECC” në dosjen e grupit Çopja, ka nxjerrë në pah edhe mënyrën se si vepronte ky grup për të fshehur apo devijuar ngjarje kriminale të kryera prej tyre. Ata orientonin gazetarë të kronikës së zezë, në lidhje me bandat, për mënyrën se si duhet të flisnin dhe për emrat që duhet të përmendnin në daljet e tyre publike, duke afruar edhe shuma të konsiderueshme parash. Nga një bisede e bërë në platformën “Sky ECC” mes Franc Çopjes dhe një personi tjetër, i cili nuk është identifikuar ende, ky i fundit informon Franc Çopjen se është takuar me personin e trete (gazetar) dhe se i ka kërkuar 120.000 euro.
Advertisements
Në dosje thuhet se gazetari, emri i të cilit nuk përmendet, por që del se ka njohje me anëtarët e grupit kriminal, e ka pyetur, se cilët persona nuk duhet të përmendë, për ngjarjen e ndodhur në dhjetor të 2018, ku mbeti i vrarë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Dyranaj, ngjarja e cila sipas prokurorisë është porositur dhe organizuar nga vëllezërit Çopja. Dhe Franc Çopja i ka kthyer përgjigje që për këtë ngjarje nuk duhet të përmenden Hajdar Bakon, Talo Çelën dhe Altin Ndocin, persona këto që janë te rreshtuar me grupin kundër Endrit Alibejt, i njohur ndryshe si Tarzani.
Advertisements
“Më datë 23.07.2020, përdoruesi i kodit X që është i paidentifikuar, informon Franc Çopjan, se është takuar me personin (e tretë) që është gazetari, i ka kërkuar shumën prej 120.000 Euro si dhe e ka pyetur se cilët persona nuk duhet të përmendi. Franc Çopja i ka shkruar mikut të tij, se gazetari nuk duhet më të flasë për Darin (Hajdar Bako), Kelin (Mikel Qosen) Talon (Talo Çela) dhe Altinin (Altin Ndoci), të gjithë personat që janë me grupin kundër Tarzanit (Endrit Alibej).
Detajet
Advertisements
Në dosje pasqyrohet edhe një moment ku personat e përfshirë ne vrasjen e trefishtë ne Bradashesh shkëmbejnë mesazhe mes tyre në lidhje me urdhër-arrestet që mund të dalin për ngjarjen e 2018, ku mbeti i vrarë Endrit Alibej ose siç e njohin ata me nofkën “Tarzani”. Sipas hetimit, ata kanë identifikuar, edhe një tjetër gazetar i cili ka bërë një lajm në lidhje me urdhër arrestet, po sipas bisedave ky lajm nuk ishte i saktë, por i servirur nga grupi kundërshtar. Biseda është bere dy vjet pas ngjarjes, ne vitin 2020, ku Hajdar Bako (Çopja) komunikon me Talo Çelen në lidhje me lajmin e dalë ne media, shkruan “Shqiptarja.com”. “Më datë 08.10.2020, shtetasi Hajdar Bako bisedon me shtetasin Talo Çela , ku nga natyra e mesazheve që ai (Hajdar Bako) i dërgon shtetasit Talo Çela, kuptohet se flitet për një lajm të publikuar sipas të cilit ndaj tyre janë lëshuar urdhër arreste.
Gjithashtu flasin edhe për median ku është publikuar si dhe gazetarin i cili mund të ketë shkruar këto lajme. Referuar mesazheve që shtetasi Hajdar Bako i dërgon shtetasit Talo Çela, kuptohet se Talo Çela ia ka dërguar Hajdar Bakos lajmin e publikuar ku flitet për grupin e tyre. Në vijim të komunikimit ndërmjet tyre shtetasi Hajdar Bako shprehet se, e ka parë lajmin, nuk ka urdhër arreste. Hajdar Bako i thotë Talo Çelës se është interesuar nëse ka diçka të vërtetë dhe i kanë thënë se është lajm kot. Hajdar Bako shprehet se ku dolën provat pas 3 vjetësh?! Sipas Hajdar Bakos, ky lajm nuk është te faqja e policisë dhe se lajmin mund ta ketë dhënë grupi tjetër rival”.
Porositë për vrasje
Ndërkohë për vrasjen e Kelvis Kapllanit ngjarje e ndodhur me 15 shtator të vitit 2020, besohet se janë paguar një shumë prej 500 mijë eurosh. Hetimet e Strukturës së Posaçme SPAK kanë zbardhur se financuesit për këtë ekzekutim janë dy vëllezërit nga Elbsani, Franc Gergely (Çopja) dhe Hajdar Bako (Çopja). Sipas të dhënave, porositës i kësaj ngjarjeje është Mikael Qosja (Kamami) dhe besonte se Kelvis Kapllani është autor i vrasjes së mikut të tij Emiljano Ramazani. Për këtë fakt kishte marrë dijeni nga Eljo Bitri, i cili i kishte dërguar në “SKY ECC” një foto të Kapllanit të rrugës dhe shtëpisë së tij. Pjesë në krim, sipas dosjes, dyshohet se ka qenë Elio Bitri, personi me pseudonimin “Miku”, i cili ka qenë drejtuesi i motorit të përdorur në ngjarje, si dhe personi me pseudonimin “Qerosi” (Fred qerosi), i cili ka dërguar me makinë shtetasin Eljo Bitri pranë vendit të ngjarjes dhe e ka pritur në vendin ku kanë hedhur motorin pas ngjarjes.
Ndihmës të ekzekutorëve evidentohen shtetasit: Arzen Mama, si person që ka dhënë informacione; Maksim Koçi, si personi i cili ka marrë armët e përdorura në vrasjen e Klevis Kapllanit, raporton “Ora News”. Po ashtu, sipas SPAK-ut, edhe Leonardo Ramani, është vëllai i të ndjerit Emiljano Ramazoni. Ky shtetas ka pasur dijeni në lidhje me faktin se Mikael Kamami po organizonte vrasjen e Klevis Kapllanit. Bisedat për vrasjen e Klevis Kapllarit në “SKY ECC” ndërmjet Leonardit dhe Mikael Kamamit ndërpriten disa ditë para ngjarjes pasi Leonardo me familjen e tij udhëtojnë për në Dubai dhe qëndrojnë në një nga banesat e Mikael Kamamit.