Mbipopullohet “Vila 31”, artistë nga e gjithë bota krijojnë aty, gjejnë librat e bibliotekës së Enverit mbi s**sin e djallin: Jemi të frymëzuar

Shtëpia e ish-diktatorit të Shqipërisë po mirëpret artistë të rinj nga e gjithë bota, në hapin më të fundit të vendit për t’u shkëputur nga e kaluara e tij hermetike. “Çfarë shuplake për historinë është promovimi i kësaj lirie krijuese në këtë ish-qendër pushteti, ku dikur vendoseshin censura dhe ndalime,” tha Bruno Julliard, drejtori i Fondacionit Art Explora.

Advertisements

Ky fondacion ndihmoi në transformimin e shtëpisë së ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha në Tiranë – një “vilë fantazmë” e mbushur me sekretet e errëta të së kaluarës së vendit – në një rezidencë të re dhe moderne për artistët. Me mbërritjen e artistëve të parë muajin e kaluar, këtë vit vila do të presë 22 artistë nga rreth 15 vende të ndryshme. Mes tyre është edhe Genny Petrotta, një studiuese dhe artiste e re e videos nga Italia, e cila i tha AFP-së se ambienti e frymëzon tashmë.

Advertisements

“Çdo ditë kur zgjohem, shkruaj ëndrrat e mia, sepse këtu kam ëndrra absurde,” tha ajo, duke shtuar se shtëpia i kujton veprat ‘Macbeth’ dhe ‘Hamlet’, analizat e frikshme të Shakespeare-it mbi pushtetin dhe hakmarrjen. “Në një farë mënyre, (ëndrrat e mia) funksionojnë si një teatër dramatik emocional dhe ndikojnë në shkrimet e mia.

FOTOT/ Mbipopullohet “Vila 31”, artistë nga e gjithë bota

“Vila 31”
Është e rëndësishme të jem këtu sepse kjo hapësirë i shton diçka të papritur punës sime,” shtoi ajo. Rezidenca, dikur e njohur si ‘Vila 31’, ishte vendi ku familja Hoxha jetoi për dekada, deri në rënien e regjimit komunist në vitin 1991, gjashtë vjet pas vdekjes së diktatorit. Ajo ndodhet në një nga zonat më të fshehta dhe të ruajtura me kujdes të kryeqytetit, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të policisë sekrete të Hoxhës. Nga aty, ai drejtonte një aparat të gjerë sigurie që ndalonte fenë dhe shumicën e formave të tregtisë.

Gjithashtu, ai shtypte lirinë e shprehjes – duke përfshirë burgosjen e artistëve – ndërsa vetë lexonte fshehurazi libra të ndaluar në shtëpinë e tij. Sot, zonën e dominojnë baret dhe kafenetë. Vila është struktura më e fundit në Tiranë që ka pësuar një transformim të madh vitet e fundit. Një piramidë në qendër të Tiranës, dikur e dedikuar për Hoxhën, tani do të shërbejë si qendër për sektorin në zhvillim të teknologjisë në vend. “Gjithçka që Hoxha e urrente” Kryeministri Edi Rama – vetë një artist – këmbënguli në vlerën simbolike të transformimit të vilës.

“Kjo hapësirë do të përdoret për të krijuar gjithçka që Enver Hoxha e urrente,” tha ai në ceremoninë e hapjes. Mjafton “ta bëjë të rrotullohet në varr nga turpi,” shtoi ai. “Kjo vilë fantazmë do të shndërrohet sot në një shtëpi të degjenerimit modernist,” tha më tej – një ironi ndaj gjuhës që diktatura përdorte për të diskredituar artistët.

Stanislava Pinchuk, një artiste multidisiplinare ukrainase që jeton në Sarajevë, është mes grupit të parë të krijuesve që po jetojnë në rezidencë. E njohur për vizatimet, instalacionet dhe skulpturat e saj, ajo tha se donte të studionte sesi hapësira ruan kujtesën dhe dëshmon ngjarjet politike dhe abuzimet me të drejtat e njeriut. “Kjo shtëpi është tepër e rëndë, gjithçka këtu merr frymë me dhimbje dhe tension,” tha ajo.

FOTOT/ Mbipopullohet “Vila 31”, artistë nga e gjithë bota

“Vila 31”
Në bibliotekën private të Hoxhës, përkrah librave mbi politikën dhe revolucionin, Pinchuk gjeti libra mbi seksin dhe djallin – vepra që do t’i kishin futur shqiptarët e zakonshëm në burg. “Ajo që më bën përshtypje është se vila është e ruajtur në mënyrë të përsosur,” por njëkohësisht është aq e ngarkuar me vuajtjen që shkaktoi regjimi, saqë “ndihesh sikur ndodhesh në vetë thelbin e dhimbjes dhe tensionit.” Shndërrimi i “misterit në art” Artistët kanë mundur gjithashtu të përjetojnë nga afër botëkuptimin paranojak të Hoxhës.

E fshehur pas një kinemaje private, dera e bodrumit të vilës hapet në një rrjet të gjerë tunelesh dhe strehësh kundër bombave, që shtrihen për disa kilometra dhe kanë mbetur të braktisura për vite me radhë. Për Gerta Xhaferajn, një arkitekte dhe artiste vizuale shqiptare me bazë në Zvicër, këto tunele ofrojnë një hapësirë të mundshme për shprehje krijuese. “Çfarë fshehin? Jo vetëm në kuptimin e drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë simbolike, çfarë përfaqësojnë?” pyeti ajo. “Dua të zbuloj këtë botë nëntokësore dhe ta shndërroj këtë mister në art.”/ Marre nga AFP