“VETTING”/ Në dhjetor 2022, administrata e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do t’i dorëzonte disa dokumente Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku evidentohej se ishin hapur me dhunë dyert e godinës spitalore.
Advertisements
Dëmi i konstatuar nga auditi përllogaritej 218 milionë lekë ose 218 mijë euro, pasi ishin marrë pajisje me vlerë të lartë financiare. Ish-drejtoresha e shkarkuar nga detyra, Albana Fico, do ta mbante ngjarjen e fshehur dhe nuk do ta raportonte, por vetëm pas 4 muajsh do ta çonte çështjen në Policinë e Shtetit. Episodi i ndodhur në QSUT nuk është vetëm një akt vandalizmi, ai është dëshmi se qendra më e madhe dhe më e rëndësishmja në vend ka qenë nën presionin e vazhdueshëm të abuzimit me fondet publike dhe thundrën e oligarkisë shëndetësore.
Advertisements
Këto janë konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilat janë thelluar nga kërkimet “Vetting”, duke zbuluar kontrata në shkelje të ligjit, emërimet e kupolës drejtuese në shkelje të Kodit të Punës dhe krijimi i Bordit të Spitalit nga Ministria e Shëndetësisë në kundërshtim me ligjin. Sipas ekspertit të Shëndetit Publik, Erion Dasho, “që kur ka ardhur në pushtet Partia Socialiste ka pasur një aleancë midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj që ai e quan “oligarkia shëndetësore”. “Është një situatë ku tregon papërgjegjshmëri dhe paaftësi, që tregon mungesë vizioni, mungesë në vendosjen e prioriteteve”, – tha për “Vetting”, dr. Dasho.
NDËRTIMI I URGJENCËS DHE NËNKONTRAKTORËT
Urgjenca e re e QSUT, ku zjarri që ra i nxori “tymin aferave” për sigurinë e godinave në QSUT, jo vetëm me urgjencën, por edhe për godinat e tjera. Zjarri i rënë në 29 shkurt 2024 e detyroi Prokurorinë e Tiranës të nisë hetimet, e cila si përgjegjës nxori dy inxhinierë, duke i akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas dosjes hetimore, ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së “Urgjencës së Re” në godinë ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”. Zjarri në Urgjencë solli vëmendjen tek projekti, mënyra se si ishte ndërtuar dhe cilat ishin kompanitë që realizuan projektin.
Urgjenca e re dhe zgjatimet e saj në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë ndërtuar përmes një kredie të Bankës së Këshillit të Europës dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka kushtuar rreth 18 milionë euro. Por për të ndërtuar godinën A2, ku gjendet Spitali Qendror dhe Urgjenca janë dashur mbi 4 vjet dhe reparti i Urgjencës ka filluar funksionimin në vitin 2023. Disa muaj më vonë, pas zjarrit në shkurt 2024, Urgjenca do të mbyllej sërish duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave. Sipas BIRN, godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese. Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUT kontraktoi një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh ose 277 mijë euro. Spitali qendror i QSUT ka një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polifunksionale. Kjo urgjencë ka potencial për të pritur mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 nga të cilët me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike. Më 2 maj të vitit 2018 është firmosur kontrata ndërmjet FINSO Spa dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me vlerë totale prej 11,9 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet e llogaritura (contingencies) për vlerën 567,5 mijë euro.
Kjo kontratë u transferua nga FINSO Spa, filialit të saj, “FINSO Albania shpk” “Ish-INSO ALBANIA” në pronësi të “FINCANTIERI INFRASTRUTTURE SOCIALI S.p.a” kundrejt garancisë së kompanisë mëmë 4 maj 2018. FINSO është një kompani, e cila më herët ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë për ndërtimin e godinave spitalore dhe vepron në vendin tonë përmes degës së saj “FINSO Albania”. Projekti i Urgjencës së re kishte të bënte me ndërtimin e një ndërtese të përbërë nga 6 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokësore për një sipërfaqe totale prej 27 mijë m2 . Sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë, punimet kanë filluar në dhjetor 2018 dhe në themelet e godinës është therur si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën mbi 4 vjet dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit. Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë. Emergjenca e krijuar e shtyu QSUT-në të jepte fonde të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Në 12 maj 2024, QSUT do të shpallte fituesin e tenderit me vlerë 27.7 milionë lekë përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës. Kjo procedurë është shënuar me flamur të kuq nga “Openprocurement.al”, sepse kufizon konkurrencën midis kompanive dhe ka indicie për korrupsion dhe favorizim.
“AGI KONS” E GENTIAN SULËS
Bie në sy fakti se tenderi u fitua nga kompania “Agi Kons” në pronësi të Gentjan Sulës, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e nënkontraktuar nga “FINSO Albania” për godinën e mjekësisë A1 dhe godinën e Spitalit Qendror dhe Urgjencës A2. Në vitin 2017, kompania italiane nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së Mjekësisë së Përgjithshme të njohur si Godina A1 me nënkontraktor “Agi Kons”. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe ka shërbyer për disa vite edhe për pritjen e urgjencave. Të dhënat e siguruara nga “Vetting” zbulojnë se “Agi Kons” ka siguruar të ardhura nga projekti i Spitalit Qendror dhe Urgjencës A2 si nënkontraktor pothuajse sa kontrata që ka përfituar kompania italiane me vlerë 11.9 milionë euro. Është e dyshimtë se si nënkontraktori ka kryer situacione të punimeve duke arkëtuar 1 miliardë e 351 milionë lekë ose 85% të pagesës totale të kontratës.
Sipas dr. Ilir Alimehmetit, shumica dërrmuese e problemeve që ka sistemi shëndetësor është pasojë e nënfinancimit të spitaleve publike dhe abuzim me këto pak fonde. “Ne nuk kemi një metodë për të vendosur një vlerësim shërbimit spitalor dhe për të kuptuar se çfarë ka nevojë për t’u përshtatur, çfarë ka nevojë për t’u përmirësuar dhe çfarë ka nevojë për t’u investuar”, – tha për “Vetting” dr. Alimehmeti. Në të njëjtën linjë qëndron edhe eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, i cili e lidh me koston të lartë të shpenzimeve private, që për familjen shqiptare zënë 60% të shpenzimeve në shëndetësi. Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, kompania italiane ka deklaruar se një nga risqet e realizimit te projektit është fakti se puna mund të mbetet e paplotë për shkak të mungesës së fondeve. Por një faturë e paguar në fund të dhjetorit 2024 ka ngritur pikëpyetje se çështja mund të ketë pasur përplasje, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk i ka plotësuar detyrimet kompanisë italiane. Sipas të dhënave nga thesari, “spending.al”, shteti i ka paguar 454 mijë euro mijë kompanisë italiane për një marrëveshje me zgjidhje me mirëkuptim.
SHKATËRRIMI I GODINËS
Ironia me zjarrin që ra në fund të shkurtit 2024 lidhet me faktin se godina e “Djegies Plastike” kishte dalë pothuajse jashtë funksionit. Nga burimet konfidenciale brenda spitalit, “Vetting” ka mësuar se vetëm një zyrë dhe një sallë operacioni në godinën e vjetër të djegieve plastike është funksionale. Pra, një hapësirë kaq e vogël supozohet që do të përballojë të gjithë pacientët që vijnë nga çdo skaj i Shqipërisë. E pamundur! Prandaj në lojë hyjnë spitalet private, të cilat me fatura stratosferike përfitojnë nga mjerimi dhe urgjenca e njerëzve në nevojë. Padyshim përgjegjësia nuk është e privatit, por e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila lejon një situatë për të cilën ekzistojnë fondet publike dhe procedura për të siguruar një spital me kushte standarde. Pacientët marrin shërbim në pjesën tjetër të spitalit brenda një pavioni, në të cilin tri deri në katër dhoma shërbejnë si reanimacion për t’i trajtuar, por kaq janë pak për të plotësuar numrin e personave që kanë nevojë për trajtim mjekësor.
Sipas dermatologes Rozana Çela, nga shkalla e djegies përcaktohet edhe mënyra se si do të trajtohet. “Djegiet e shkallës së tretë që zënë më shumë se 10% të sipërfaqes së lëkurës dhe këto shkojnë në thellësi janë djegie shumë të rënda dhe trajtohen patjetër në spital”, – tha për “Vetting” dermatologia Çela. Zjarri në QSUNT nuk nxori një problem të ri, por solli në dritë problemin që ekzistonte. “Vetting” ka zbuluar se ekziston një korrespondencë e gjatë midis institucioneve shëndetësore publike, të cilat provojnë shërbimin e cunguar dhe rrezikun që u kanoset pacientëve dhe personelit shëndetësor nga shembja e godinës. Në të gjithë këtë situatë kaotike, që të kujton një spital në zonë lufte bie në sy indiferenca e zyrtarëve të lartë që drejtojnë këto institucione.
POR CILA ËSHTË HISTORIA E SPITALIT TË DJEGIEVE PLASTIKE NË QSUT?
11 vite më parë në Spitalin e Djegies u bë një investim në infrastrukturë për të ndihmuar pacientët në trajtim. Në këtë shërbim ku kryheshin mbi 1000 ndërhyrje në vit, u përfshin edhe pacientë me djegie të shkallës së lartë. Ilir Beqaj u mburr para mediave se ky investim do të rriste në radhë të parë sigurinë për vetë qytetarët shqiptarë, duke iu përgjigjur standardeve europiane për këto sëmundje. Ndërsa ish-drejtoresha e QSUNT-së, Ogerta Manastirliu trumbetoi po ashtu si Beqaj se investimi do të ofronte cilësi më të mirë shërbimi, siguri më shumë te pacientët dhe te stafi mjekësor si dhe gjithë progresin e duhur në kuadër të përmirësimit të shërbimit të pacientëve. Në lidhje me këtë projekt, Komisioni Europian do t’i jepte Shqipërisë 1 milion euro.
MENDIMI I EKSPERTIT
Sipas dr. Erion Dashos, të kesh sot një QSUNT që është e vetmja qendër terciale që ka Shqipëria me godina të rrënuara ose godina ku nuk ofrohen parametra bashkëkohore është neglizhencë kriminale.
“Meriton të ketë një analizë dhe vëmendje të shtuar nga ana e medias dhe një presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë dhe QSUNT-në që kjo situatë të korrigjohet sa më shpejt dhe të marri vëmendjen që meriton”, – u shpreh për “Vetting” dr. Dasho. Por sot, sapo i afrohesh ambienteve të spitalit në oborr shihen pacientët dhe familjarët e tyre me një shikim trishtues, teksa hedhin hapa të ngadaltë dhe me pëshpërima e dhimbje ankohen për kushtet skandaloze që gjenden në këtë ndërtesë që mezi mbanë veten mbi muret e saj. Muret e spitalit janë të dëmtuara rëndë nga lagështira që për vite me radhë i ka gërryer duke lënë në sipërfaqe shenjat. Mungesa e kushteve higjienike është një problem serioz në këtë spital, pasi rreziku për të marr infeksione është i lartë. Sipas dermatologes Rozana Çela, kushtet duhet të jenë patjetër sterile me një sterilitet të lartë, pasi djegiet shoqërohen edhe me mbivendosjen e infeksionit.
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se numri i dhomave është i pamjaftueshëm për të përballuar rastet e qytetarëve që kanë nevojë për trajtim disaditor. Kjo i ka detyruar mjekët të mos iu ngelet zgjidhje tjetër përveçse t’u japin pacientëve të tyre fletë-dalje para kohe, një situatë që i detyron pacientët të kërkojnë mjekimin te spitalet private, duke i zhytur në borxhe për shkak të tarifave të larta. Sipas dermatologes Rozana Çela, në rastet e djegies së shkallës së tretë pacientët duhet të marrin një trajtim më kompleks nga spitali.
“Në rastin e djegies së shkallës së tretë, personi i sëmurë patjetër duhet të hospitalizohet, mjekimi është spitalor dhe jepen që nga infuzioni intravenoz dhe elektrolit. Pacienti në këto raste ka humbur elektrolitet, është dehidruar prandaj është e domosdoshme marrja e infuzioneve më elektrolit ose plazëm. Në rastet kur djegiet janë shumë të thella, djegies të shkallës së tretë, patjetër që këtu kryhet edhe transplanti i lëkurës”, – u shpreh për “Vetting” dermatologia Çela.
“Vetting” ka konstatuar se në Spitalin e Djegies Plastike pacientët nuk kanë çarçafë, të cilët janë të domosdoshëm. Sipas auditit, kompania e lavanderisë që kujdeset për higjienën e ndërresave është tejpaguar nga QSUT për këtë shërbim 11 milionë lekë ose 110 mijë euro më shumë në shkelje të ligjit të Prokurimit Publik. Një problem tjetër janë vaskat te të cilat duhet të lahen pacientët ku mund të bëhet zhveshja e fashave pasi nuk janë funksionale, gjë e cila shton dhimbjet te pacientët gjatë procesit të heqjes së fashave. Mungesa e vaskave ua vështirëson punën edhe mjekëve dhe infermierëve, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre në kushte minimale.
GODINA RREZIKON TË SHEMBET
Nga viti në vit Spitali i Djegies do të përkeqësohej dhe në 26 nëntor 2019, tërmeti që goditi Shqipërinë e Mesme do të dëmtonte rëndë ndërtesën duke rrezikuar shembjen. Godina u klasifikua e rrezikshme për të punuar në të, por pavarësisht këtij fakti, në katin e parë të godinës do të vazhdonte shërbimi i djegies së plastikës. Prej asaj dite e deri më sot pacientët, familjarët, infermierët, mjekët, rrezikojnë jetën çdo ditë duke qëndruar në gërmadhat e kësaj ndërtese që ka dëmtime të shumëfishta. Kjo ndërtesë katërkatëshe u zbraz pjesërisht që prej dhjetorit 2019, pasi prej tij u largua shërbimi i Biopsisë, Dermatologjisë, Banka e Gjakut dhe një pjesë e sektorit të “djegies”. Sipas relacionit të Universitetit Politeknik të Tiranës, për këtë godinë sugjerohej si zgjidhje për dëmtimet përtëritje e ndërtesës, e cila kërkon riaftësim të plotë strukturor, përshtatje dhe përmirësim të kushteve të përdorimit të ndërtesës. Kostoja e riaftësimit të plotë dhe ndërhyrjet plotësuese riparuese të godinës vlerësohen rreth 40- 50% krahasuar me koston e ndërtimit. Jetëgjatësia e strukturës së re, pas ndërhyrjes vlerësohet 50 vjet, por kjo gjë nuk do të ndodhte.
Në të njëjtën linjë Instituti i Ndërtimit nxori konkluzionin se ndërtesa e Djegies Plastike duhet të rikonstrukturohet dhe riparohet për shkak të problemeve të shumta që ishin konstatuar. Nisur nga ky fakt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i dërgoi kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë kërkesën mbi oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit në dhjetor 2020 për marrjen e masave mbi godinën e Djegies Plastike. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në godinën e Djegies Plastike u evidentuan disa probleme. Në godinën Djegie Plastike, në të cilën ndodhet edhe Laboratori i Anatomi Patologjisë (objekt i marrëveshjes koncesionare i cili nuk i është dorëzuar koncesionarit për shkak të dëmtimeve të tërmetit) janë mbajtur dy akt konstatime përkatësisht në nëntor 2019, nga ku rezulton se dëmet e tërmetit vërehen kryesisht në trarë, muret tërthore të objektit, plasaritje të suvasë dhe dëmtime të muraturës mbajtëse. Sipas auditit, rekomandohet ndalimi i kalimit dhe aktiviteti spitalor deri në riparimin e plotë të dëmtimeve dhe është cenuar integriteti strukturor, struktura është përgjigjur thuajse në fazën elastike. QSUNT i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë udhëzime mbi hapat që duhet të ndërmarrë, nëse Ministria e Shëndetësisë duhet të vijojë me riaftësimin e godinës apo nëse planifikon ndërhyrje të tjera për të. Ministria e ka përfshirë këtë projekt në projektin e Bankës Botërore, për realizimin e projekt preventivit të zbatimit, duke i kërkuar institucionit të mos ndërmarrë asnjë veprim për rikonstruktimin e kësaj godine.
******
Si u skualifikuan konkurrentët që të fitonte nipi ish-deputetit të PS
Pas 5 vjetësh, më 17 mars 2025, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara shpalli tenderin për rikonstruksionin e godinës së Djegies Plastike në QSUT, Tiranë, projekt që do të financohet nga Buxheti i Shtetit me fond limit 522 milionë lekë ose 5.2 milionë euro.
Për këtë tender u regjistruan gjithsej 12 operatorë ekonomikë. 15 ditë pas mbajtjes së tenderit u shpall fitues bashkimi i kompanive “AGRI CONSTRUCTION – ALKO IMPEX CONSTRUCTION” me ofertë 487 milionë lekë. Disa prej operatorëve ekonomikë kërkuan më pak para për të realizuar projektin, psh. “ERGI” me “BEIS” kërkuan 446 milionë lekë, pra 40 milionë lekë më pak se fituesit. Ajo që bie në sy është fakti se përveç konsorciumit fitues, të 11 operatorët e tjerë janë skualifikuar që në fazën e parë duke ia garantuar fitoren biznesmenëve Petrit Patushi dhe Arbër Abazi. Ky i fundit është nipi i Sadri Abazit, ishdeputetit të Partisë Socialiste, për të cilin Partia Demokratike ka ngritur vazhdimisht akuza për favorizim nga Komisioni i Prokurimeve Publike. Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri sipas opozitës ka qenë i punësuar si jurist prej disa vitesh në kompanitë e Arbër Abazit. Vetë Myzyri është nën hetim nga SPAK, sepse dyshohet se ka favorizuar disa kompani në përfitimin e tenderave publikë. Arbër Abazi renditet si një ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike, ashtu si në rastin e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Djegies Plastike ku oferta fituese arrin 90% të fondit limit. Kjo procedurë e tenderit është shënuar me flamur të kuq nga “Openprocurement.al” pasi ka dyshime për korrupsion dhe favorizim të kompanive fituese.
Shumica e tenderave të fituar nga “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” (Ish-KLEDOR ALBANIA-09) janë me flamur të kuq pasi skualifikohen nga gara të gjithë pjesëmarrësit ose garon vetëm kjo kompani në tender duke u shpallur automatikisht fituese. Duket qartë që ky proces tenderimi ngre shumë pikëpyetje rreth skualifikimit të kompanive që paraqitën një ofertë më të leverdishme për kryerjen e punimeve. Oferta e shpallur fituese është bërë në bazë të pikëve, elementi kryesor i shpalljes së fituesit është çmimi, pra çmimi duhet të ishte sa më i ulët. Në këtë rast është shpallur fituese oferta me çmimin më të lartë pasi janë skualifikuar kompanitë e tjera.
Agjencia e Prokurimeve
Analizimi i raportit të KLSH për QSUT-në, i publikuar në dhjetor 2023, të jep përshtypjen e një anarkie në Qendrën Spitalore më të rëndësishme në Shqipëri. Sipas auditit, “Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjencës) në mars 2023 “është konstatuar se në 1312 copë për 6 artikuj në vlerën 25 milionë lekë, nuk janë zbatuar specifikimet teknike” nga kompania “RO-AL” me pronar Robert Kaso. Ka qenë Agjencia e Prokurimit Publik, e cila pasi ka marrë në dorëzim konkluzionet nga KLSH, ka zhvilluar një hetim më të thelluar, duke arritur në përfundimin se kompania “Ro-al” nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale. Më 25 korrik 2024 me anë të vendimit nr.73, APP-ja ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik R0- AL nga e drejta për të fituar kontratat publike për një periudhë 12-mujore.
Një kompani tjetër që është penalizuar nga Agjencia e Prokurimit Publik për problemet me zbatimin e kontratave të përfituar nga QSUT-ja është “Biometric Albania” në pronësi të Artur Kadaresë. Në korrik të vitit 2022, ish-drejtoresha e përgjithshme, Albana Fico do të nënshkruante kontratën me kompaninë “Biometric Albania”, për tenderin “Furnizim, vendosje të aparaturave mjekësore për spitalin e ri të ndërtuar (A2), loti 10”. Në 30 nëntor 2022, QSUT, në zbatim të kontratës, ka marrë në dorëzim 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12 milionë lekë dhe 84 krevat spitalor ICU me 3 motor për vlerën 10 milionë lekë. Por sipas KLSH, “Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjenca), më datë 27 dhe 28 mars 2023 u konstatua se 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12 milionë lekë me TVSH, nuk janë të rinj, por të përdorur…”.
Edhe në këtë rast, Agjencia e Prokurimeve Publike me anë të vendimit nr.74 më 25 korrik 2024 do të përjashtonte “Biometrik Albania” nga pjesëmarrja në procedurat e Prokurimit Publik për një periudhë 12-mujore. Emërimi i Albana Ficos si drejtoreshë e përgjithshme nga Ministria e Shëndetësisë është bërë fillim të dhjetorit 2021 deri në kryerjen e procedurave të konkurrimit në këtë pozicion pune. Sipas auditit, më QSUNT nuk ka kontratë punësimi të përkohshme ose të përhershme me Drejtorin e Përgjithshëm A.F. Pra gjatë të gjithë kohës që ka qenë në detyrë, ish-drejtoresha e shkarkuar Fico, QSUNT është drejtuar me drejtor të përkohshëm dhe dy zv.drejtor përgjithshëm të përkohshëm. Sipas ekspertit Erion Dasho, Shqipëria mund të ketë spitale që mund të jenë ndryshuar, mund të jenë lyer, mund të jenë shtruar pllaka, por teknologjia vjen duke u vjetruar.
“Burimet njerëzore janë larguar dhe kanë lënë një sistem shëndetësor, i cili nuk është në gjendje që t’u përgjigjet ashtu sikurse duhet nevojave shëndetësore të qytetarëve shqiptarë”, – deklaroi dr. Dasho. Por teksa në rrjetën e SPAK-ut është rritur numri i zyrtarëve të lartë, në sektorin e shëndetësisë bien më shumë të vegjlit. Deri tani i vetmi person i nivelit të lartë që është nën arrest dhe gjykim nga GJKKO është ish-ministri Ilir Beqaj. Duhet theksuar se hetimet ndaj tij kanë marrë shumë kohë dhe përsa u përket problemeve të theksuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, askush nuk është vendosur përpara përgjegjësisë nga kupola për skandalin e Onkologjikut, për tenderat me shkelje, për grabitjen e zyrave të administratës dhe së fundmi për inekzistencën e një godine për djegiet plastike.