“Meshari” i Gjon Buzukut u ruajt për 470 vite, por pse i mungojnë 16 fletët e para! Vepra letrare më e vjetër shqipe, prifti e përktheu në vitet 1554-1555 nga italishtja dhe latinishtja

Në vitin 1555, 470 vjet më parë, u botua vepra “Meshari” i Gjon Buzukut, i cili e nisi ta shkruajë në 20 mars 1554.

Advertisements

Aty shkruhej: “U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor.” “Meshari” konsiderohet si vepra letrare më e vjetër shqipe, botuar dhe ruajtur deri më sot. Libri përbëhej nga 110 fletë, mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe midis tyre edhe kopertina me faqen kryesore. Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e tij ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqipe me alfabet latin. Ishte françeskani At Justin Rrota, i pari që solli nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri, më 1929-n tri riprodhime të fotografuara të librit më të hershëm të botuar në shqip. Viti i botimit i “Mesharit” njihet viti 1555.

Advertisements

Meshari është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë liturgjik në gjuhën shqipe, botuar më 1555. Libri u përkthye nga prifti Gjon Buzuku në vitet 1554-1555, nga italishtja dhe latinishtja ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre. Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, por supozohet se u botua në Venedik, i shkruar në shqipen e kohës me alfabet latin gjysmë-gotik. Shkrimi i shqipes është shpjeguar nga historianët e gjuhës dhe filologët se nisi në sajë të tolerancës dhe madje nxitjes nga Vatikani të përdorimit të gjuhëve vendëse në liturgjitë katolike në Ballkan. Kjo nxitje vinte duke qenë se bota katolike përballej me dy kërcënime: Reforma protestante dhe Islami. Në hullinë KundërReformës katolike, Buzuku nisi ta përkthente veprën më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555, gjatë Koncilit tridentin.

Ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre. Kjo vepër u zbulua aty rreth 1743 nga Imzot Gjon Kazazi në Kolegjin e Propagandës Fide, i cili e pagëzoi me emrin Meshari, emër që i ka mbetur sot e kësaj dite. Vendosi të njoftonte menjëherë përmes një letre Atë Gjergj Guxetën, rektorin e seminarit arbëresh të Palermos. Pas pothuaj një shekulli letra e Kazazit dërguar Guxetës u shpluhuros nga peshkopi Giuseppe Crispi. Pas një fushate kërkimore që nisi më 1909, u rizbulua nga peshkopi arbëresh Pal Skiroi. Skiroi lajmëroi të përkohshmet e kohës se do t’i bënte një studim veprës që më pas ta rishtypte, lajm ky që bëri bujë dhe shtyu françeskanët në Shkodër që të porositnin tri kopje fotografike. Më 1930 gjuhëtari françeskan Justin Rrota solli kopjen e parë fotografike të librit në Shqipëri, dhe qe ndër studiuesit e parë të veprës.

PËRMBAJTJA

Që në kohën e Kazazit, libri ishte i cungët; në gjendjen e parë vepra kishte 110 fletë ose 220 faqe, prej të cilave kishin mbijetuar 94 fletë ose 188 faqe. Tetë fletët e para që i mungojnë do të kenë pasur frontespicin, titullin, vendin e botimin dhe mbase prejardhjen e vetë autorit. Në parathënien e librit të Buzukut mësojmë drejtpërdrejtë për autorin e tij, për kulturën e tij shpirtërore dhe për përgatitjen e librit, por në mënyrë indirekte edhe nga vetë gjuha e tekstit dhe dialekti i shkrimit, i cili është gegërishtja. Ky libër përmban Librin e Orëve dhe Librin e Meshës prandaj u quajt Meshar. Pjesën e tre të katërtave të veprës, Çabej e vëren që përmban “oficen e vogël të Zonjës, të shtatë psalmet pendestare, litanitë e shenjtvet, disa copë nga të ritualit e të katekizmit dhe meshët e së kremteve kryesore të vitit”.

Studimet Të parën cekje të tekstit të Mesharit e bëri Krispi më 1853, kur e citoi në veprën e vet Memorie storiche su alcune costumanze delle colonie albanesi di Sicilia, por botoi edhe tekstin e dy fragmenteve të Mesharit me alfabetin që vetë kishte krijuar. Botimi i parë i plotë u bë më 1958 nga Namik Resuli, duke përfshirë një fotokopje dhe transkriptimin. Botimi i punimit “Il Messale” të Resulit nga Biblioteka e Vatikanit mund të thuhet se ia riktheu në kujtesë Institutit të Gjuhësisë në Tiranë. Më 1963 Rrota i kërkoi Kostallarit një kopje të Mesharit që të mund të niste punën me transkriptimin, por drejtori i Institutit iu përgjigj se të vetmen kopje në disponim po e punonte Çabej. Punim i cili u botua më dy vëllime më 1968 në Tiranë, ku vëllimi i parë ka një studim hyrës me tekstin e transliterimin e plotë të tekstit, ndërsa vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit si dhe transkriptimin fonetik.

Shtatë psalmet pendestare e vërejtur nga Çabej, mendohet se mund të jenë hartuar ose përshtatje të lira nga Buzuku të Psalterit në Besëlidhjen e Vjetër. Sipas shumë studiuesve vendas dhe të huaj, vepra përbën një përkthim nga librat e liturgjisë së krishterë katolike në gjuhë latine. Sipas Xhevat Lloshit, nuk ka mundësi të gjendet një libër në një gjuhë të huaj, i cili të përputhet nga ndërtimi me librin e Buzukut. Rëndësia e këtij libri për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale. Aty gjendet shqipja e shekullit XVI dhe një pasuri e madhe e fjalorit. Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. “Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”.

/Gazeta Panorama