Europa Qendrore po përgatitet për përmbytjet më të mëdha në dekada për shkak të ciklonit Boris, i cili pritet të godasë disa vende këtë fundjavë.
Advertisements
Sipas meteorologëve çekë dhe polakë, në disa zona të vendeve të tyre priten deri në 400 litra shi për metër katror në katër ditët e ardhshme dhe rreth 200 litra në Austri dhe Sllovaki.
Advertisements
Rezervuarët për grumbullimin e ujit, kryesisht në afërsi të digave, u boshatisën në mënyrë që të mos përmbyten. Në Poloni, janë paralajmëruar banorët në jug të vendit, kryesisht qytetet rreth lumit Oder, Wroclaw dhe Opole.
Në Wroclaw, i cili ka 675 mijë banorë, zyrtarët komunalë krijuan një qendër në rast krizash. Sipas ministrit çek të Mjedisit, Petar Hladik, situata në vend “mund të jetë e ngjashme me atë të viteve 1997 dhe 2002”.
Përmbytjet në vitin 1997 goditën Moravinë në lindje të Republikës Çeke. Të paktën 50 njerëz vdiqën dhe pati disa miliardë dollarë dëme. Në vitin 2002, përmbytjet goditën perëndimin e vendit, duke shkaktuar 17 viktima dhe duke shkaktuar edhe më shumë dëme se në vitin 1997.
Qytetet në Moravia ngritën barrier, për shkak të frikës të përmbytjeve, me erëra që priten deri në 100 kilometra për orë.
Dhjetëra evente kulturore në rajon janë anuluar, duke përfshirë festivalin vjetor të verës në Znojmo, i cili tërheq dhjetëra mijëra vizitorë. Festivali romak gjithashtu u anulua në Carnuntum të Austrisë.
Sipas televizionit austriak ORF, niveli i ujit të Danubit mund të rritet në nivele që nuk janë parë për pesë deri në dhjetë vjet.
Kancelari austriak, Karl Nehammer tha se ushtria është e gatshme të dërgojë deri në një mijë ushtarë nëse është e nevojshme. Ushtria sllovake dhe zjarrfikësit vullnetarë janë gjithashtu në gatishmëri.
Reshjet mund të jenë më të mëdha se ato që goditën Europën Qendrore në vitin 2013.