Një raport financiar, i dorëzuar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, tregon se kompanitë e mikrokreditit, MCA dhe Final, të vendosura nën sekuestro në Korrik 2024 për “skemë mashtruese piramidale”, kanë arkëtuar rreth 37 milionë euro vetëm nga procesi i mbledhjes së borxheve të këqija.
Advertisements
Shuma jashtëzakonisht e konsiderueshme, sipas prokurorisë së kryeqytetit, është mbështetur kryesisht në aplikimin e kamatëve vonesave të paligjshme, të cilat kanë rënduar mijëra qytetarë shqiptarë.
Advertisements
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurores Antoneta Sevdari për zgjatjen e afatave të paraburgimit për dy nga personat kyç të “skemës piramidale të mikrokredive”, Arben Meskuti dhe Aldo Daka.
Ndaj këtyre dy personave, si edhe disa bashkëpunëtorëve të tjerë, janë në fuqi masat e sigurimit të vendosura nga gjykata prej muajit Maj të vitit 2024.
“Boldnews.al” thekson se ka siguruar vendimin e gjykatës së Tiranës, të datës 19 nëntor 2024, në të cilin janë publikuar të dhënat mbi të ardhurat e siguruara nga MCA dhe Final në disa vite.
Raporti financiar është hartuar nga Agjencia e Aseteve të Sekuestruara, e cila menaxhon dy kompanite prej të paktën tre muajsh.
Në raport, thuhet se, deri në fund të vitit 2023, kompania “MCA” (Micro Credit Albania) rezulton të ketë realizuar të ardhura në vlerën 2.99 miliardë lekë të reja (rreth 30 milionë euro), vetëm nga aktiviteti i mbledhjes e portofoleve të blera si borxh i keq).
Ndërsa shoqëria “Final”, rezulton të ketë mbledhur 679 milionë lekë të reja nga mbledhja e portofoleve të borxhit të keq (rreth 6.8 milionë euro).
Në total, vetëm nga ky aktivitet, MCA dhe Final kanë mbledhur 3.68 miliardë lekë të reja ose rreth 37 milionë euro.
Raporti financiar jep edhe një panoramë se si janë shpërndarë një pjesë e këtyre të ardhurave. Administratorja e “MCA”, Elda Ibro, rezulton se ka përfituar 865.5 milionë lekë të reja ose 8.6 milionë euro, në formën e dividentit.
Gjithashtu, edhe Arben Meskuti, si administrator i “Final” ka përfituar si divident 145 milionë lekë të reja (diçka më shumë se 1.4 milionë euro.
Në vijim, në raportin financiar, thuhet se “kompania e konsulencës, “ADCA” ka fituar nga “MCA” dhe “FINAL” miliona euro, pa e përcaktuar shumën. Ndërkohë, një prej administratorëve të “ADCA”, Alban Kote, nëpërmjet një subjekti “person fizik”, rezulton të ketë fituar 124.8 milionë lekë të reja ose rreth 1.2 milionë euro.
Një shumë në rreth 480 mijë euro ka marrë edhe ekspertja Yliana Sejfo, për vlerësimin e pronave “të shitura në ankande fiktive”, siç konsiderohen në aktet e Prokurorisë së Tiranës.
Në kuadër të hetimit penal, Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë edhe një akt-ekspertimi kontabël, lidhur me të ardhurat që kanë arkëtuar “MCA” dhe “Final”, duke aplikuar kamatë-vonesa jo-ligjore dhe abuzive.
Nga të dhënat hetimore, rezulton se dy shoqëritë e mikrokreditit kanë aplikuar kamatë-vonesa në vlera nga 2 deri në 8 përqind, duke mos i mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Vlera totale e këtyre kamatë-vonesave jo-ligjore përllogaritet në rreth 8 milionë euro, të ndarë sipas viteve 2017-2019.
Në aktin e ekspertimit financiar thuhet se “MCA” ka përfituar 12.7 milionë lekë të reja në vitin 2017 vetëm nga kamatat e konsideruara abuzive në aktet e Prokurorisë.
Kjo vlerë shumëfishohet në vitin 2018, ku rezulton se “MCA” ka arkëtuar plot 561 milionë lekë të reja ose mbi 5 milionë euro vetëm nga “kamatat abuzive”.
Një vit më pas, në 2019, “MCA”, të cilës i bashkohet edhe “Final” në aktivitetin tregtar, ka përfituar rreth 260 milionë lekë të reja ose 2.6 milionë euro vetëm nga aplikimi i kamatave jo-ligjore.
Për Prokurorinë e Tiranës, veprimtaria kriminale e këtyre personave dhe kompanive është shtrirë edhe në planin e realizimit të ankandeve fiktive, ku pronat e kreditorëve vlerësoheshin minimalisht dhe më pas, nëpërmjet procedurave të rreme, përfundonin në pronësi të “MCA”.
Në aktet e prokurorisë thuhet se “veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve apo shoqërive ka arritur kulmin në vitin 2023, ku qindra (711 të identifikuara deri tani por numri akoma nuk është shterues) prona të qytetarëve kanë kaluar me procedura fiktive ankandi, në pronësi të shoqërisë MCA apo Final”.
Vetëm gjatë vititi 2023 “rezulton të jenë kryer më shumë se 2000 ankande fiktive, dokumentacion i prodhuar fiktivisht/falco në zyrat e shoqërisë MCA/Final/ADCA dhe firmosur dhe vulosur nga përmbaruesi Rigels Bejko dhe shtetasi Endri Myftari si përfaqësues të shoqërisë Përmbarimore TDR dhe nga shtetasi Alban Kote si përfaqësues i shoqërisë MCA”, thotë prokuroria.
“Të gjitha procesverbalet e zhvillimit të ankandit, shpallja e ankandeve, vendimet e kalimit të pronësisë dhe cdo dokument tjetër që i përket procedurës së ankandit, është prodhuar në Zyrat e MCA/ADCA/Final/Alban Kote person Fizik, nga punonjësit e këtyre shoqërive nën urdhrat e drejtuesit të organizatës, shtetasit Olsi Ibro, por edhe të shtetasve Aben Meskuti dhe Elda Ibro”. / Marre nga “Boldnews.al“