Momenti kur Florenc Çapja zbret në Rinas, u ekstradua nga Dubai (Video)

Pas më shumë se një dekade në arrati dhe i strehuar prej të paktën 7 vitesh në Dubai, Florenc Çapja, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, jo vetëm në qytetin e Elbasanit por edhe në disa vende të botës, më në fund u ekstradua në Shqipëri.

Advertisements

44-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm se porositi një vrasje të dyfishtë dhe i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, mbërriti pasditen e kësaj të premteje në aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie nga Dubai.

Advertisements

“The Wanted”, e ka koduar Policia e Shtetit operacionin i cili u finalizua me autoritetet emiratase, duke e çuar kështu në 3 numrin e të shumëkërkuarve të mbërritur nga Dubai, pas Julian Mecajt dhe Plarent Dervishit.

Siç shihet edhe në këto pamje, Florenc Çapja zbret nga avioni kokë ulur dhe i rrethuar nga forca të shumta policie. Ai futet në furgon, më pas shoqërohet për në ambientet e burgut.

Florenc Çapja, ndryshimi drastik në pamje

Ajo që vihet re në pamjen e tij është një transformim total nga çfarë është shfaqur më parë në foto.

Florenc Çapja, i cilli njihet si kundërshtar i Suel Çelës, është dënuar me vendim të Apelit të GJKKO, me burgim të përjetshëm për veprat penale si “vrasje në rrethana të tjera cilësues”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Florenc Çapja vite me pare

Blutë informuan se “në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan”.

“Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan. Për informacion më të detajuar, do të japim njoftim në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas”, njoftoi policia.

Florenc Çapja sot teksa mberrin ne Rinas

Kush është Florenc Çapja?
44-vjeçari konsiderohet si një ndër eksponentët më të rëndësishëm të krimit në Elbasan dhe nipi i kreut të bandës së Çapjave, Ardian Çapja. Të dy këta persona, xhaxha e nip janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme për porositjen e vrasjes së shtetasve Nezir dhe Gentian Beqiri, babë e bir që u ekzekutuan në shtëpinë e tyre më 12 gusht 2012.

Sipas hetimit të kryer nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, vrasja e tyre është porositur nga Ardjan e Florenc Çapja. Ervis Bardhi e Olsi Leku janë paguar me 50 mijë euro, ndërsa Klajdi Dokli në periudhën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë banor i lagjes dhe ka vëzhguar me imtësi personat që hynin dhe dilnin nga shtëpia e familjes Beqiri.

Këto informacione ai jua jepte anëtarëve të familjes Çapja, çka solli më vonë dhe krimin e rëndë.

Edhe Etien Cani ka pasur rolin e informatorit. Ditën e ngjarjes ai ka parë nënën e Gentian Beqirit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për Pazar dhe mandej ka informuar atentatorët. Veç nënës, janë larguar nga hyrja e pallatit për të qëndruar brenda në makinë dhe dy policët që bënin roje.

Atentati i mbetur në tentativë ndaj Sokol Sanxhaktarit
Gjithashtu, Florenc Çapja alias Çopja akuzohet edhe si porositës i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Sokol Xanxhaktarit, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini, ngjarje e zbardhur nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Në lidhje me këtë ngjarje, mbi Florenc Çapjan alias Çopjan janë ngritur akuzat për veprat penale:“Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Akuzat edhe për atentatin ndaj Fadil Memës
Florenc Çapja ka një proces të hapur gjyqësor edyhe në lidhje me atentatin ndaj ish-efektivit të Rrugores Fadil Mema. Në lidhje me këtë ngjarje, kolegji i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e Gjykatës së Elbasanit të muajit nëntor të vitit 2019.

Më datë 20 nëntor të vitit 2019, gjyqtari i Elbasanit në atë kohë, Tomor Kullolli vendosi pushimin e çështjes për Florenc Çapjan, duke e liruar këtë të fundit nga burgu. Në atë kohë, gjykata u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje. Vendimi për pushim u mor në seancën paraprake, ku gjykata duhet të vendoste kalimin ose jo të dosjes për gjykim.

Vendimi që u mor nga Gjykata e Elbasanit u la në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit, konkretisht nga gjyqtarja Anita Mici në 14 prill të vitit 2020. Gjykata e Lartë, pas rekursit të Prokurorisë vendosi t’ia rikthejë çështjen Gjykatës së Elbasanit në seancë paraprake për ta rigjykuar.

Fadil Mema i shpëtoi atentatit të vitit 2006 kohë kur ai ishte efektiv i Policisë Rrugore. Ai u qëllua në qytetin e Elbasanit dhe për këtë në atë kohë policia tha se kishte identifikuar si autor Florenc Çapjen. Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të efektivit të policisë, të cilët identifikuan edhe autorin. Fadil Mema u dërgua në spital dhe u mbijetoi plagëve të marra, ndërsa Florenc Çapja, dy orë pas ngjarjes, u prangos nga policia, por u lirua nga gjykatat.

Por, më 13 mars të vitit 2015 “hasmi” e gjeti Fadil Memën në Torino të Italisë dhe e ekzekutoi me 7 plumba pistolete poshtë shtëpisë së tij, në lagjen Mirafiori, në rrugën Pavese, në moshën 54 –vjeçare. Ai sapo kishte dalë nga shtëpia, siç bënte çdo natë për të shkuar në punë, kur vrasësit, të paktën dy sipas policisë italiane, e pritën me të shtëna armë.

Pasuritë e sekuestruara
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në GJKKO kërkesën për konfiskimin e pasurive të paluajtshme të shumëkërkuarit për vrasje, Florenc Çapja. Këto pasuri janë sekuestruar gjatë një hetimi pasuror, të cilat Çapja nuk justifikon dot prejardhjen duke ngritur dyshimet se janë siguruar nga aktivitete kriminale.

Dhjetë pasuritë e sekuestruara përfshijnë toka, ndërtesa, automjete si dhe subjekte ekonomike me veprimtari Bar Kafe e lavazh.

1- Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.

2- Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m2 , sipërfaqe ndërtese, 25.73 m2 , me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).

3- Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).

4- Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).

5- Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.

6- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

7- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

8- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

9- Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.

10- Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.