Do të mbetemi nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme edhe gjatë ditës së enjte
Advertisements
Do të mbetemi nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme edhe gjatë ditës së enjte, ku orët e paradites do të dominohen nga vranësira të shpeshta dhe reshje të pakta shiu e dëbore në zonat veriore dhe qendrore ndërsa me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të dendura por pa reshje paraqiten zonat juglindore të Shqipërisë.
Advertisements
Parashikohet që orët e pasdites të sjellin zhvillim të vranësirave duke gjeneruar reshje shiu si edhe dëbore në të gjithë vendin. Dëbora do të jetë prezente në të gjithë shtrirjen lindore. Ndërsa në orët e vona të natës pritet përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike duke larguar reshjet nga i gjithë vendi.
Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në mëngjes por mesdita sjell rënie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga -2°C më e ulëta në zonat malore deri në 12°C më e larta në zonat bregdetare. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke gjeneruar në brigjet detare dallgëzim deri në 4 ballë.
Kosova
Pjesa e parë e ditës në Kosovë mbetet nën mbizotërimin e alternimeve të kthjellimeve dhe vranësirave, ku më të dukshme vranësirat do të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore. Parashikohet që pas mesditës të ketë shtim të vranësirave duke gjeneruar reshje dëbore në të gjithë territorin e Kosovës. Orët e vona të natës pritet të sjellin dobësim të intensitetit të reshjeve.
Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në mëngjes por ulen sërish në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -4°C më e ulëta në zonat malore deri në 5°C më e larta në zonat perëndimore. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi verior-veriperëndimor por në mbrëmje pritet intensifikim i parametrit të erës.
Maqedonia e Veriut
Vranësirat e shpeshta do të mbeten prezente në të gjithë Maqedoninë e Veriut, duke bërë që herë pas here të pësojnë zhvillime afatshkurta duke krijuar mundësi për reshje të pakta dhe të izoluara dëbore. Reshjet më të dukshme shfaqen përgjatë kufirit me Shqipërinë. Po ashtu do të regjistrohen temperatura negative gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes në pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut, duke bërë që ngricat të jenë prezente në të gjitha akset rrugore.
Temperaturat e ajrit do të jenë të pandryshueshme në mëngjes por vijon ulja në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -3°C më e ulëta në zonat malore deri në 7°C më e larta në zonat jugperëndimore. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi kryesisht verior por gjatë natës forcohet deri në 60 km/h.
Europa
Gadishulli Skandinav dhe brigjet veriperëndimore të Europës do të përfshihen nga një tjetër sistem i dendur vranësirash, të cilat do të sjellin reshje dëbore të konsiderueshme. Gjithashtu me mot të paqëndrueshëm do të paraqiten Ishujt Britanikë dhe gadishulli Iberik ku do të ketë vranësira të shpeshta të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere ndërsa nën ndikimin e kushteve të motit të qëndrueshëm do të paraqiten Europa Lindore, pjesërisht Qendra e kontinentit si edhe brigjet e detit Egje.