“Na detyruan të firmosim”/ Punonjësja e bashkisë “plas bombën”, flet për SPAK dhe ‘gropos’ të përfshirët në aferën e inceneratorit të Tiranës

by editor

Të tjera detaje janë zbardhur nga skandali i inceneratorit të Tiranës, ku janë vënë nën akuzë 13 zyrtarë të administratës dhe dy biznesmenët e njohur Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një anëtare e Komisionit ka bashkëpunuar me SPAK dhe ka ‘fundosur’ të përfshirët në aferën e inceneratorit të Tiranës…

Advertisements

Tre ditë më parë, policia ekzekutoi një sërë urdhër arrestesh të firmosura nga Gjykata e Posaçme.

Advertisements

Në dosjen e përgatitur nga SPAK, të cilën Klan Neës e ka konsultuar, vërehet lehtësisht se të gjithë zyrtarët e marrë në pyetje kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj shkeljeve, ose kanë shprehur mosdijeninë e tyre për episode më të rëndësishme të dhënies së Koncesionet.

Në kërkesën për masat e arrestit, drejtuar Gjykatës vërehet se në një moment prokurorët deklarojnë se një nga anëtarët e komisionit konsiderohet bashkëpunues për ta, duke kërkuar masë më të lehtë, atë të arrestit shtëpiak.

Zyrtarja në fjalë ka dëshmuar më gjatë se të tjerët duke rrëfyer se ka qenë në minorancë gjatë të gjithë procesit dhe se shumica e komisionit ka qenë e prirur që gjithçka të mbyllej shpejt sipas studimit të fizibilitetit që kishte dorëzuar kompania e Mërtirit dhe Zotos.

“E pyetur në lidhje me hartimin e studimit të fizibilitetit që ka bërë komisioni dhe se si janë nxjerrë të dhënat që ai përmban, kjo shtetase ka deklaruar se studimin e ka dorëzuar shoqëria propozuese, ndërsa Komisioni thjesht ka formalizuar studimin dhe nuk ka bërë asnjë verifikim të tij”.

Sipas saj, komunikimin me kompaninë e mbanin dy nga anëtarët e komisionit që ishin punonjës të ministrisë së Mjedisit. Në datën 17 Gusht 2017, Komisionit i është paraqitur i gatshëm një procesverbal, në të cilin shkruhej se kompania “Integrated Energy BV” vlerësohej me 100 pikë si ofertues i vetëm duke përfituar bonusit prej 8%. Në atë moment sipas saj, të gjithë anëtarët janë detyruar të firmosin.

Në dosjen e SPAK vërehet se sipas kërkesave të Ligjit, komisioni duhej të kërkonte edhe një aprovim nga Avokatura e Shtetit, përpara se të firmoste kontratën e Kompaninë e Mërtirit dhe Zotos. Sipas dëshmisë së dhënë nga anëtarja në fjalë e Komisionit, zbulohet se vërejtjet kryesore të zyrës së Avokatit të Shtetit nuk janë marrë parasysh.

“Ajo deklaron se nuk janë reflektuar të gjitha mendimet që ka shprehur Avokatura e Shtetit, por vetëm disa prej tyre, pasi në të njëtën ditë që ka kthyer përgjigje Avokatura, është lidhur edhe kontrata me shoqërinë koncesionare. Ajo deklaron se kontratën koncesionare jua ka sjellë komisionit, shtetasi Bledar Karoli dhe ju është lënë vetëm 30 minuta kohë për ta konsultuar. Ajo deklaron se nuk iu është lënë as koha e nevojshme për ta lexuar. Ajo deklaron se kontrata është nënshkruar jashtë orarit zyrtar si dhe i është thënë që ishte porosi e Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, që kontrata duhej finalizuar sa më shpejt dhe pa kundërshtime”.

Sipas dosjes së SPAK, një nga elementët më të rëndësishëm të aferës është edhe mospërfshirja në përfitimet e kompanisë koncesionare të të ardhurave nga inertet që do të dërgoheshin në impjantin e Sharrës, nga subjekte të ndryshme private apo publike. Asnjë nga anëtarët e Komisionit nuk iu përgjigj SPAK për shkakun se përse nuk është llogaritur si përfitim i kompanisë zëri i interteve, ndërkohë që në projekt parashikohej të ndërtohej edhe landfilli i inerteve.

Në ndryshim nga anëtarët e tjerë të komisionit, dëshmitarja e SPAK ka theksuar se ‘në lidhje me zërin inerte, shtetasi Klodian Zoto ka qenë shumë i interesuar që të përfshihej në kontratë detyrimi që të gjitha inertet e prodhuara në Tiranë të dërgoheshin në landfill’.

Konkretisht është lëshuar urdhër arresti dhe caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për:
1- Lefter Kokën (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, aktualisht në burg)

2- Alqi Bllakon (I dënuar nga GJKKO, për inceneratorin e Fierit, aktualisht në burg)

3- Mirel Mërtirin (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit )

4- Klodian Zoton (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit)

5- Erjon Muratajn (në kërkim)

6- Bledar Karoli (arrestuar)

7- Taulant Tusha (drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, u vetëdorëzua)

8- Namik Simixhiu (arrestuar)

9- Jetmir Llapaj (arrestuar)

10- Pëllumb Abeshi (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, aktualisht në burg)

Është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest shtëpie’:

11- Alba Thoma

12- Valbona Ballgjini

13- Sidita Kopliku

14- Etleva Kondi

15- Sidita Tola.

Kujtojmë së më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

You may also like