“Naim Murselit i lindi mllefi dhe dëshira për hakmarrje pasi…”- Porositi vrasjen e Liridona Ademaj për 30 mijë euro! Zbardhet dosja: Si planifikoi ta largonte nga jeta e tij

Prishja e marrëdhënieve familjare duke se ka qenë arsyeja që ka çuar Naim Murseli në planifikimin dhe porositjen e vrasjes së nënës së dy fëmijëve të tij, Liridona Ademaj.

Advertisements

Sipas dosjes së prokurorisë së Prishtinës, Naim Murselit i lindi mllefi dhe dëshira për hakmarrje për shkak të problemeve në çift, duke bërë planin për ta larguar Liridonën nga jeta e tij.

Advertisements

“Për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij”, thuhet në dosje.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se “pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.”

Në dosje thuhet se fillimisht Naim Murseli i ka kërkuar kushëririt të tij, Kushtrim Kokalla që të vriste 30-vjeçaren, nënë e dy djemve, por ai ka refuzuar.

Pasi nuk pranoi të kryente vrasjen, Kushtrim Kokolla prezantoi kushëririn e tij me Granit Plavën dhe ky i fundit mori përsipër kryerjen e ekzekutimit për shumën 30 mijë euro. Ndërsa arma me të cilën u vra Liridona Ademaj u sigurua nga vetë Naim Murseli. Ai bleu armën me 20 fishekë për 280 euro, nga i akuzuari Tom Dodaj.

Ndërsa në dosje detajohet momenti i ekzekutimit të 30-vjeçares nga Ganit Plava, e cila në momentin që u qëllua me plumb në kokë ishte në automjet me dy djemtë e mitur dhe Naim Murseli.

Sipas akuzës, ky i fundit e ka mbajtur nga krahu bashkëshorten në mënyrë që ajo të mos largohej.