“NATO duhet të jetë një forcë edhe më vdekjeprurëse”. Kështu është shprehur Sekretari i ri i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth në vizitën e tij të parë në Europë.
Advertisements
I pranishëm në Samitin e Brukselit për luftën në Ukrainë, Shefi i Pentagonit i ka bërë thirrje NATO-s të ndryshojë kursin.
Advertisements
“NATO duhet të jetë një forcë më e fortë, më vdekjeprurëse – jo një klub diplomatik”, shkroi ai në X.
Shefi i ri i Pentagonit ndodhet në Bruksel për vizitën e tij inauguruese. Ai donte të merrte pjesë në një takim të ministrave të Mbrojtjes të më shumë se 50 vendeve që mbështesin Ukrainën në selinë e NATO-s pasdite.
I ashtuquajturi grupi i kontaktit takohet për herë të parë nën udhëheqjen e Britanisë së Madhe, pasi SHBA nën Presidentin Donald Trump hoqën dorë nga drejtimi i tij. Të martën, Hegseth vizitoi bazat ushtarake amerikane në Gjermani. Atje ai njoftoi se donte të fliste “qartë” me aleatët e NATO-s.
Presidenti Donald Trump ka “të drejtë” kur kërkon investime në mbrojtje prej pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB)nga evropianët, tha shefi i ri i Pentagonit në Shtutgart. Vetë Evropa duhet të kontribuojë më së shumti në mbrojtjen e fqinjësisë së saj, tha ai, duke iu referuar Ukrainës.
Hegseth hodhi poshtë frikën për një tërheqje të rreth 100,000 trupave amerikane nga Europa. “Nuk ka aktualisht asnjë plan në përgatitje për të shkurtuar ndonjë gjë“, theksoi ai.
Megjithatë, SHBA-ja dëshironte të “rivlerësonte praninë e saj ushtarake në mbarë botën” në mënyrë që të ishte në gjendje të përqendrohej më shumë në ambiciet e Kinës në Indo-Paqësorin.
Hegseth gjithashtu bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa ushtarake në Ukrainë. Sakaq, burime diplomatike për Reuters, bëjnë me dije se, administrata Trump planifikon të nxisë aleatët europianë që të blejnë më shumë armë amerikane për Ukrainën përpara bisedimeve të mundshme të paqes me Moskën, një veprim që mund të përmirësojë pozicionin negociator të Kievit.
Plani, nëse zyrtarizohet, do të ofrojë njëfarë sigurie për liderët ukrainas, të cilët janë shqetësuar se presidenti Donald Trump mund të bllokojë ndihmën e mëtejshme për vendin, ushtria e të cilit ka humbur ngadalë territorin nën sulmin e ashpër rus në lindje. Vendet evropiane më parë kishin blerë armë amerikane për Ukrainën gjatë administratës së Biden.