“S’ka fjalë, Mirushi ka qenë ai që të gjithë e njohim. Pra është e tepërt çdo fjalë, dhe s’jam i zoti as unë dhe askushi…”
Advertisements
Dielli nuk lind më për Mirush Kabashin. Miq dhe dashamirës të “Mjeshtrit të Madh”, kanë nderuar figurën e kolosit të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, i cili ndërroi jetë në mesnatë pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Advertisements
Në një prononcim për mediet, aktori i mirënjohur Xhelal Tafaj, i cili ka vënë në skenë dhjetëra shfaqje së bashku me Mirush Kabashin, shprehu dhimbjen për humbjen e një miku të madh, të cilin e takoi në moshë të fare të re dhe u rritën bashkë në skenën e artit.
“S’ka fjalë, Mirushi ka qenë ai që të gjithë e njohim. Pra është e tepërt çdo fjalë, dhe s’jam i zoti as unë dhe askushi që të themi diçka më tepër rreth punës së tij, me atë që ai ka bërë dhe atë që ka lënë trashëgimi sot. Dhimbja padiskutim është e madhe”- tha Xhelal Tafaj.Po si e kujton ai mikun, kolegun dhe artistin Mirush Kabashin?
“U rritëm bashkë në këtë teatër. Kur kam ardhur, në 1976 e kam gjetur këtu. Por në një farë mënyre teatri është një familje. Këtë ma besoni. Nuk e them unë, e kanë thënë të tjerë para meje. Jemi rritur me njëri-tjetrin, kemi ndenjur më shumë me njëri-tjetrin sesa me njerëzit e shtëpisë. Të paktën flas për atë kohë, sepse numri i premierave ka qenë i lartë, 4 në vit dhe puna bëhej në çdo kohë, si paradite dhe pasdite. Kështu që na takonte të rrinim më tepër në teatër. Pa llogaritur turnetë e shumtë të asaj kohe”- tha Tafaj, aktor me një karrierë 40-vjeçare në skenë.Çfarë e karakterizonte Mirush Kabashin si aktor dhe njeri?
“Çfarë e karakterizonte?! E thashë edhe njëherë që puna e atij flet vetë. Ai ka qenë nga ata aktorë që punonte dhe punonte jashtë mase shumë. Dhe unë të paktën si aktor kam marrë pikërisht këtë gjë nga ai. Pra vije në proces pune, sidomos kur ishim në tavolinë, një orë para. Dhe këtë gjë edhe unë vetë ia mora si aktor. Kam ndjekur rrugën e tij, sepse puna gjithmonë të jep rezultate dhe Mirushi në sajë të punës ka arritur ato rezultate që ka”.Ndërkaq, një tjetër artist i mirënjohur si Muharrem Hoxha, i vlerësuar për kontributin e tij në art si “Njeriu i shekullit”, heq kapelen përballë një ikone si Mirush Kabashi duke u shprehur se “Nderi i Kombit”, sot është dhimbja e kombit.
Sipas Hoxhës, Mirush Kabashi ishte shkollë më vete, dhe kishte disiplinë në punë.
“Shumë faleminderit për respektin që tregoni për artistët, sepse edhe ju jeni artistë vetë në zanatin tuaj.Të them të drejtën, po ikën plejada e aktorëve. Aktorët më të mirë them unë, si Nikolin Gjoja dhe Vangjel Heba, dhe pas këtyre Mirush Kabashi. Tani secili ka vendin e vetë, por unë njëherë kam punuar me Mirushin dhe ai ishte shkollë më vete. Qen i punës i themi ne. I përpiktë. Kam bërë një komedi me Mirushin, “Dy vëllezër e gjysmë” të Gjergj Vlashit, por kishte lezet. Nur kishte, pastaj ato recitime që kishte Mirushi… Me gjithë mend kollos i artit”- përfundoi artisti i mirënjohur Muharrem Hoxha./ Top Channel