Tre ministrat e Mbrojtjes, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe i Kroacisë, Ivan Anuši? kanë firmosur sot në Tiranë një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, një hap i rëndësishëm për sigurinë e të gjithë rajonit.
Advertisements
Ministri Vengu e ka përshëndetur marrëveshjen duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të aftësive mbrojtëse, zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimit të ndërveprimit ushtarak në rajon.
Advertisements
“Në një mjedis sigurie të brishtë, angazhimi ynë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse është më i fortë se kurrë! Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin Kosovën në aspiratën e saj për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”, deklaroi Vengu.
Po ashtu edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se kjo marrëveshje thellon dhe forcon sigurinë në rajon si dhe do të kontribuojë në sprodhimtarinë e industrisë së mbrojtjes.
“Shqipëria, Kroacia dhe Kosova do të jenë bashkë edhe më fuqishëm përballë sfidave dhe synimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Kjo pasi sot në Tiranë, kemi nënshkruar një deklaratë trepalëshe, bashkë me dy homologët dhe miqtë e mi, Pirro Vengun, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ivan Anuši?, Ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë.
Duke u nisur nga vlerat tona të përbashkëta, nga orientimet e njëllojta gjeostrategjike dhe angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova deklarohen për forcim të bashkëpunimit dhe avancim të hapave për mbrojtjen e territoreve dhe të njerëzve tanë; për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare; si dhe për prodhimtarinë e industrisë së mbrojtjes.
Për këtë, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova, do të angazhohen për forcimin e lidhjeve mes tyre, rritjen e ndërveprueshmërisë mes ushtrive të tri shteteve tona përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta; rritjen e angazhimit për t’i luftuar kërcënimet hibride dhe për tu mbrojtur prej tyre; bashkërendimin e politikave për integrime euroatlantike dhe me theks të veçantë ndihmën e nevojshme ndaj Kosovës për tu integruar në nisma rajonale të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Kjo deklaratë sikur edhe i tërë bashkëpunimi i Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, rrjedhë nga fryma e miqësisë ndërshtetërore dhe e angazhimit të përbashkët për fqinjësi të mirë, për paqe dhe siguri. Ky bashkëpunim i yni nuk është kërcënim ndaj askujt, por angazhim shtesë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Bashkë me Shqipërinë dhe me Kroacinë, Kosova është më e forte, rajoni më i sigurtë dhe paqja më e qëndrueshme”, u shpreh Maqedonci.