Pak ditë më parë, emisioni “Vetting” bëri publike prova dhe fakte në lidhje me abuzimet dhe përfitimet e drejtorit të Rrugëve në vendin tonë, Evis Berberi.
Advertisements
Dokumente, afera, lidhje me kompani që ishin në pronësi të tij, kalime të disa tenderëve për njerëz të tij të afërt, ishin një pjesë e “kallëzimit” publik që “Vetting” bëri për rastin e implikimit të Berberit që prej para të paktën 7 vjetësh. Dy ditë më parë u bë me dije zyrtarisht se ndaj tij kishin nisur hetimet nga ana e SPAK, ndërkohë që dje u saktësua se janë ekzekutuar urdhrat e Gjykatës së Posaçme për të sjellë në pranga jo vetëm Berberin, por edhe dy biznesmenë.
Advertisements
SPAK reagoi orë më vonë duke bërë publike faktet që janë mbledhur nga prokurorët dhe oficerët e BKHsë, ndërkohë që këta të fundit kanë ushtruar edhe kontrolle në banesat e tyre. U bë me dije se në shtëpinë e Berberit, drejtuesit të ARRSH-së u gjetën para ‘cash’ dhe piktura të kushtueshme, ndërkohë që prej kohësh ai është konsideruar edhe si krahu i djathtë të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku. Pas Berberit, në pranga ka rënë edhe Valter Begaj, i denoncuar publikisht rreth dy vite më parë, por që askush nuk reagoi të hetonte denoncimin e qytetarëve për këtë biznesmen. Begaj bashkë me biznesmenin tjetër të vënë në pranga dhe të lënë në ‘arrest në burg’ janë ndaluar për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK njoftoi dje faktet dhe analizën e provave deri në këtë fazë të hetimeve.
PROKURORIA
Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje nga arrestimi i drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe dy biznesmenëve, Valter Begaj e Ervis Lami, të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, Evis Berberi, në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë dhe më pas në cilësinë e kreut të ARRSH-së, ka kërkuar, pranuar dhe marrë nga shoqëria “Net-Group” (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur Evis Berberi ishte titullar i Autoritetit Kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “Daam” të kontrolluar prej tij.
Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të tenderave nga ana e shoqërisë “Net-Group”, që zotërohej nga biznesmeni Valter Begaj dhe më pas vlerat monetare kanë kaluar nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë “Daam”, që ishte në zotërim indirekt të kreut të ARRSH-s, Evis Berberi, i cili ishte edhe përfitues i parave. Shoqëria “Daam” është menaxhuar nga Brunilda Buli, Valter Begaj, Ervis Lami. Vlerat monetare të përfituara, Evis Berberi, sipas SPAK, i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “Daam”.
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur Evis Berberi ka qenë nën cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tri procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 lekë pa TVSH, me operator fitues shoqërinë e Valter Begajt, “Net-Group”. Kurse gjatë kohës kur Evis Berberi ka qenë në cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 lekë, pa TVSH, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e Valter Begajt, “Net-Group”.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “Daam” sh.p.k., në zotërim indirekt të Evis Berberit ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e Valter Begajt “NetGroup” në vlerën 223,480,476 lekë me TVSH. Nga të dhënat e QKB-së, veç kompanisë “BVAAL ENG-10”, Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “BVAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi. Ashtu si “B-VAAL ENG10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “Net-Group”. Objekti i të dyja kompanive mbetet i njëjtë, ai i studimit, projektimit dhe supervizimit të veprave inxhinierike. Veç objektit, dy kompanitë rezultojnë me të njëjtën adresë identike. Kompania “Net-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra nëgusht të 2021, fiton një tender me vlerë rreth 175 mln lekë me TVSH për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe.
ANALIZA E PROVAVE SIPAS SPAK
Nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi E. B., fillimisht në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “N……. Group”, sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “D…….” sh.p.k., të kontrolluar prej tij. Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “N…… Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B. dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B.. Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale. Në këto rrethana shtetasi E. B., dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, germa “d” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287/ 2 të Kodit Penal. Ndërsa shtetasi V. B. në cilësinë e ortakut të shoqërisë “N….. Group”, sh.p.k, për shkak të fitimit të procedurave të prokurimit publik të zhvilluar nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, me titullar të autoritetit kontraktor shtetasin E. B., ka transferuar vlera monetare në drejtim të shoqërisë “D……” sh.p.k, në zotërim indirekt të shtetasit E. B., por që është menaxhuar nga shtetasit B. B., E. L. dhe V. B., me qëllim dhënien e përfitimit të parregullt shtetasit E. B.
Në lidhje me veprimet e kundraligjshme të tyre shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, 25 i Kodit Penal. Investimi në veprimtarinë ekonomike të këtyre vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, janë bërë gjatë kohës që kanë qenë ortak të shoqërisë shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., që përbëjnë edhe produkte të veprës penale. Në këto rrethana, shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., në bashkëpunim me shtetasin E. B., dyshohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, germa “d” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal”-bëri me dije Prokuroria e Posaçme.
Abuzimet e Berberit, SPAK: Nga 100 mijë lekë bëri 3 milionë euro
SPAK ka zbuluar dhe skemën e shitblerjes së kompanive që përfituan tendera, por që në fakt kanë të njëjtët drejtues.
Siç shihet në kontratën e shitjes, rezulton se në 2018 Valter Begaj i ka shitur 100 mijë Lekë të reja kompaninë ‘B-VAAL ENG-10’, Evis Berberit. Kjo kompani u themelua në tetor 2017 dhe kishte dhe ka si objekt studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim objektesh ndërtimore etj.. Një muaj më pas, Berberi i ndryshon emrin kompanisë nga ‘B-VAAL ENG10’ në DAAM. Pesë muaj më vonë, në 31 Janar 2019, Evis Berberi ia shet kompaninë Brunilda Bulit, për 500 mijë euro. Në 2019 në një mbledhje ku ortake është dhe Brunilda Buli vendoset zgjerimi i shërbimit të kompanisë me ndërtim i impianteve eolike, impianteve fotovoltaike dhe impianteve hidrike për prodhimin e energjisë elektrike, prodhimin e energjisë termike nga burime të rinovueshme. Këto lëvizje janë bërë teksa Berberi do të emërohej drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë. Në 23 dhjetor 2021, Brunilda Buli ia shet sërish kompaninë shokut të Evis Berberit, ish-ortakut Valter Begaj, tashmë për rreth 2 milionë euro. Pas afro 2 muajsh, më 21 shkurt 2022, Valter Begaj ia shet kompaninë Ervis Lamit për rreth 2 milionë Euro. Një muaj më vonë, Ervis Lami ia shet sërish kompaninë “Daam” Valter Begajt me vlerë zero lekë.
Janë të shumta faktet dhe detajet që kanë shoqëruar operacionin e SPAK dhe të BKH-së për të sjellë në pranga kreun e ARRSHsë, Ervis Berberin. Janë kontrata shitblerje kompanish, paketa udhëtimi dhuratë për drejtorin dhe familjen e tij, piktura e kushtueshme në banesë dhe paratë ‘cash’ që fundosin Berberin, i cili është lënë në arrest me burg tashmë.
DOKUMENTI
Është zbuluar një nga kontratat e shitjes së kompanisë “Daam”, e cila ishte në zotërim indirekt nga drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës për pastrim parash dhe korrupsion. Në dokumentin e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala tregohej se si biznesmeni Ervis Lami ia ka shitur kompaninë “Daam” për një shumë prej 0 lekësh Valter Begajt, i cili ka qenë pronar i mëparshëm i firmës. “Shitësi Ervis Lami deklaron se i shet blerësit Valter Begaj, (pronar i mëparshëm i subjektit) 100% të këtyre kuotave, kundrejt vlerës 0 lekë, pasi shitësi tërhiqet nga pronësia dhe të dyja palët nuk kanë asnjë pretendim ndaj njëri-tjetrit”, – thuhet në kontratën e shitjes të bërë më 29 mars të vitit 2022. Këtë kompani, drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, njëkohësisht bashkëpunëtori më i ngushtë i ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ia ka blerë për shumën prej 800 eurosh biznesmenit Valter Begaj në vitin 2018, një vit pasi ai e kishte themeluar. Ervis Lami në vitin 2017 është caktuar si përfaqësues i posaçëm i shoqërisë, ndërkohë që në vitin 2019, Evis Berberi është emëruar këshilltar i Belinda Ballukut dhe firmën “Daam” ia ka shitur për një shumë prej 600 mijë eurosh shtetases Brunilda Buli. Kur Evis Berberi është emëruar nga ministrja Belinda Balluku, drejtor tek Efiçenca e Energjisë dhe gjatë kohës që ishte drejtor i ARRSH-së i ka dhënë tenderë biznesmenit Valter Begaj.
FATURA E PUSHIMEVE
Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbuluar një faturë ku nga llogaria bankarë e shoqërisë “Daam” sh.p.k, në një bankë të nivelit të dytë është paguar shoqëria Arlo Travel “Blu Tour Operator” sh.p.k., me një vlerën 5,000 euro. Sipas verifikimeve të kryera nga agjentët e BKH rezulton se shoqëria “Daam” sh.p.k., ka paguar këtë shumë për një paketë turistike për shtetasin Evis Berberi dhe familjen e tij (bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur). Paketa turistike për kreun e ARRSH, Evis Berberi dhe familjen e tij, ka përfshirë udhëtimin me avion nga Tirana në Antalia, që sipas këqyrjes, rezulton se nisja është bërë më datë 12.08.2020 dhe kthimi më datë 22.08.2020.
Në këtë çmim kishte të përfshirë akomodimin në hotelin “Regnum Carya Golf & Spa Resort” ne Belek, Antalia, Turqi, me dhome “Luxury”, së bashku me ushqimin “Luxury all inclusive”. Nga procesverbali i këqyrjes dhe marrjes së të dhënave nga sistemi TIMS, rezulton se shtetasi Evis Berberi, bashkëshortja e tij, Adela Ruko si edhe dy fëmijët e mitur, me date 12.08.2020 kanë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës se kalimit kufitar Rinas, me linjën “Charter -Antalia 670-ll” dhe kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë me date 22.08.2020, nëpërmjet pikës se kalimit kufitar Rinas me linjën “Charter-Antalia 670-671”. Gjatë kontrollit të banesës së Evis Berberit e bërë më 20 shkurt të vitit 2024 janë gjetur edhe sekuestruar shumë të konsiderueshme si 15, 675 euro, 3,075 paund dhe 1,436,000 lekë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”