Është zbardhur dëshmia në polici e 69-vjeçarit Thoma Mastora, i cili akuzohet se ka vrarë çiftin e të moshuarve, Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeç, në fshatin Bodrishtë të Dropullit.
Advertisements
Thoma Mastora ka mohuar të jetë autori i krimit duke u shprehur para hetuesve që ta kërkojnë diku tjetë autorin.
Advertisements
“Nuk i kam vrarë une, nuk jam unë autor i krimit, kërkojeni gjetkë kriminelin”, ka deklaruar 69-vjeçari.
Thoma Mastora do të dalë të martën (7 maj) para togave të zeza të Gjykatës së Faktit për t’u vlerësuar arrestimi nga Prokuroria Rajonale që me shumë mundësi do të japë për të qëndrim në burg pa afat.
U “tradhtua” nga gota e rakisë
Thoma Mastora 69-vjeç është identifikuar si autor i vrasjes së dyfishtë të çiftit të të moshuarve Ilia nga fshati Bodrishtë në Dropull të Gjirokastrës.
Mësohet se 69-vjeçari që kishte lidhje të ngushta prej vitesh me dy të moshuarit ka qenë i fundit person që i ka takuar.
Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të drekës ose të pasdites së 30 prillit. Autori ka shkuar në banesën e të moshuarve si përherë për të pirë edhe kafen e ditës me ta.
Gota e rakisë që ishte në tavolinën e ndodhur në oborrin e shtëpisë, ku u gjend i pajetë edhe 84-vjeçari Kosta Ilia, është një ndër gjurmët që çuan në identifikimin e autorit.
Ndonëse nuk saktësohen nga policia, shkaqet mendohet të jenë për motive të dobëta, grindje të çastit.
Prej kohësh 88-vjeçarja ankohej te të afërmit e saj se 69-vjeçari i shqetësonte me praninë e tij. Sipas policisë të moshuarit u gjetën me shenja plage të shkaktuara nga mjet i fortë prerës në kokë dhe në trup. Burime policore pohojnë se arma e krimit është një sëpatë e vogël.
Hetimet hedhin poshtë motivin e grabitjes duke qenë se në banesë nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat, ndërsa u zbulua nga policia një shumë e konsiderueshme parash, prej 5 milionë lekësh në banesën e të moshuarve.
Thoma Mastora njihej si një njeri problematik në fshat. Ai është dënuar më herët për vjedhje. Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas. U kryen intervista, verifikime, kontrolle dhe eksperiment hetimor.
“Çifti u godit me sende të forta dhe me mjete prerëse”, Policia sqaron dinamikën e krimit në Dropull: Ky është autori, ka qenë edhe më parë i dënuar! Dyshohet…
Njoftimi i policise
Më datë 02.05.2024 rreth orës 08:00 jemi njoftuar se në fshatin Bodrishtë/Dropull ishin gjetur nga bashkëfshatarët pa shenja jete dy shtetas në brendësi të banesës së tyre.
Me marjen e njoftimit shkuan menjëherë në vendngjarje shërbimet e policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë.
Gjithashtu për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor i kryesuar nga Drejtuesi i Prokurorisë Gjirokastër Z.Petrit Çano dhe prokurorja Blerina Musabelliu, Drejtori për Krimet e Rënda dhe Specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, ekspertë kriminalistë nga Instituti i Policisë Shkencore dhe ekspertë kriminalistë nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Grupi i posaçëm hetimor kreu një sërë veprimet hetimore dhe proceduriale në vendin e ngjarjes.
Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë shtetasi Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë dhe në brendësi të banesës është gjettur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë.
Nga kqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat.
Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko- ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen.
Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për egzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që egzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe dokumentonte me prova ligjore.
Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milion lekë të reja që çifti i të moshuarëve kishte në banesë.
Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas. U kryen intervista, verifikime, kontrolle, eskpertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera që grupi i posaçëm hetimor çmoi të nevojshme për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.
Nga hetimet intensive, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të sqarohet motivi i kësaj ngjarje dhe të dokumentohet me prova ligjore autori i kësaj ngjarje të rëndë me pasoja vrasjen e dyfishtë të shtetasve Kosta e Kleoniqi Ilia.
Nga provat e siguruara rezulton se autori i këtij krimi dyshohet të jetë shtetasi Thoma Mastora 69 vjeç, banues në Bodrisht të bashkisë Dropull
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale u bë ekzekutimi i urdhërit të Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për ndalimin e shtetasit:
Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në Bodrishtë/Dropull “, i dënuar më parë për vjedhje.
Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”