Çlirim Zajmi, prind i një fëmije të spektrit autik, ka reaguar në “Kafe Shqeto” mjaft i indinjuar dhe thellësisht i prekur mbi deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë u shpreh se “kush voton kundër meje është autik”.
Advertisements
Në një rrëfim emocional dhe të drejtpërdrejtë, Zajmi ndau dhimbjen dhe zhgënjimin e tij, duke e konsideruar këtë deklaratë jo vetëm fyese për fëmijët me autizëm, por edhe thellësisht denigruese për çdo prind dhe familje që përballet çdo ditë me sfidat e rritjes dhe përkujdesjes ndaj tyre.
Ai theksoi se fjalët e një udhëheqësi kanë peshë dhe ndikim të madh në shoqëri, dhe se një gjuhë përçmuese nga pozitat më të larta të shtetit dëmton rëndë dinjitetin e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Advertisements
Deklarata
Në radhë të parë, po flas si baba i një fëmije me autizëm, një fëmije që ka ndjenja dhe dinjitet si çdo njeri tjetër në këtë botë. Të dëgjosh Kryeministrin që etiketon me fjalët “kush voton kundër meje është autik”, është thellësisht ofenduese dhe denigruese.
Kam shumë gjëra për të thënë, por jam thellësisht i fyer – si individ dhe si pjesë e një familjeje që i ka kushtuar jetën, ka lënë ëndrrat dhe punët për t’i shërbyer fëmijës sonë. Më shumë akoma janë nënat, që janë edhe kujdestare 24 orë në 7 ditë, dhe që marrin vetëm 12 mijë lekë të vjetra të qelbura nga ky njeri që guxon të etiketojë fëmijët tanë si budallenj apo njerëz të papërgjegjshëm – sepse kjo është domethënia e asaj që tha.
Doli dhe kërkoi një ndjesë absurde, por për mua ishte e qartë se ai nuk e ka kuptuar se çfarë ka thënë. Thjesht kërkoi ndjesë për t’u mbyllur gojën të tjerëve. Përmendi edhe 105 dollarët që, sipas tij, i ka dhënë fëmijëve për Vitin e Ri. Por ajo përmendje ishte thjesht një mesazh i heshtur: “Ta hedh ndonjë kockë kur dua dhe të lë pa asgjë kur nuk dua.”
Ai nuk e di që fëmijët tanë kanë të drejta ndërkombëtare, dhe kushdo që është në atë pozicion ka detyrimin ligjor dhe moral për t’i zbatuar. Ne nuk kemi nevojë për lëmoshë – as ne, as fëmijët tanë.
Nuk di çfarë të them më shumë. Ai është i pari i vendit, duhet të jetë përfaqësues i të gjithëve, gjithëpërfshirës, pa dallime raciale, fetare apo politike. Nuk mund të quhet dikush “budalla” vetëm sepse është kundër tij. Fjalët nuk janë thjesht fjalë ato formësojnë mendësinë e një shoqërie. Nëse ai ofendon fëmijën tim, çfarë mesazhi i jep shoqërisë? Ai po i thotë shoqërisë të tregojë me gisht, të përçmojë, të përjashtojë.
Çfarë të bëjmë? Të biem në nivelin e tij? Të bërtasim, të ulërasim? Jo, nuk ia vlen. Është maskarallëk, është papërgjegjshmëri e pastër.
Kur përmendi lekët, ajo më vrau më shumë. Ma nisën edhe me link. Kur tha “mbyll gojën dhe mos fol, se të lë pa lekë, pa bukë…” – në çdo kuptim ishte kërcënim. Nuk mund të rrija pa folur. Jam i tronditur. Nuk kam fjetur gjithë natën. Mbyll sytë, hap e mbyll telefonin, dhe kam ardhur që në shtatë te ju.
Nuk di më çfarë të them. Kur këtë ta thotë i pari i vendit, çfarë t’u them të tjerëve? Kam shtatë vite që përpiqem për ndryshim në rrjetet sociale, për një shoqëri më të drejtë. Tani del ai, më ofendon fëmijën dhe mua si prind… Dhe unë tani të them ndonjë fjalë? Nuk ia vlen. Është turp.