Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për përpjekje më të mëdha në luftën kundër fruthit, i cili është përhapur në 58 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara ku kanë vdekur dy fëmijë.
Advertisements
Agjencia e Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, theksoi se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe efektive.
Advertisements
“Dua t’iu rikujtoj njerëzve se fruthi është një nga viruset më ngjitëse”, tha Kate O’Brien, drejtoreshë e departamentit të vaksinave në OBSH.
Gjatë konferencës për media, ajo shmangu kritikat ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., i cili njihet si skeptik i vaksinave. Kennedy është akuzuar se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar shpërthimin vdekjeprurës të fruthit, që ka epiqendrën në Teksas, ku janë regjistruar qindra raste. Ai vetëm së voni ka pranuar efektivitetin e vaksinës kundër fruthit.
“SHBA-ja është duke punuar për ta vënë nën kontroll dhe për ta ndalur këtë shpërthim”, tha O’Brien.
Megjithatë, ajo shtoi se “për secilin shtet, për aq kohë që një shpërthim vazhdon, nuk mund të bëhet mjaftueshëm. Mund të themi se po bëhet mjaftueshëm vetëm kur shpërthimi të ketë përfunduar”, theksoi O’Brien.