“Oh Zot, ata janë gjallë”, publikohet për herë të parë audio e “trokitjes” që ekspertët dëgjuan nga anija Titan (Video)

by editor

Mediat amerikane kanë publikuar një copëz të dokumentarit “The Titan Sub Disaster: Minute by Minute”, në të cilin zbulohet për herë të parë audioja e tingullit të frikshëm “trokitës” që ekipet e kërkim-shpëtimit dëgjuan gjatë kërkimit të anijes Titan.

Advertisements

Ishin këta tinguj që asokohe, i bënë ata të besonin gabimisht, se personat që ishin në bord, mund të ishin ende gjallë.

Advertisements

Qershorin e vitit të kaluar, pesë persona (Hamish Harding, Paul-Henri Nargeolet, Shahzada Dawood, Suleman Dawood dhe CEO i OceanGate Stockton Rush) vdiqën në bordin e nëndetëses në pronësi të kompanisë “OceanGate”, teksa u zhytën për të eksploruar rrënojat e Titanikut.

Nëndetësja humbi kontaktet me bazën më 18 qershor dhe gjatë përpjekjeve për të gjetur “Titan-in” dhe për të rivendosur kontaktin me të, Forcat Ajrore Kanadeze arritën të kapnin çdo 30 minuta disa “zhurma ritmike përplasjeje”, të cilat dhanë shpresë, se ata që ishin në bordin e saj mund të ishin ende gjallë dhe po përpiqeshin të sinjalizonin për ndihmë.

Megjithatë, ekspertët theksuan asokohe se nuk e dinin origjinën e tyre dhe kohë më vonë u arrit në përfundimin se nëndetësja kishte shpërthyer ditën që ishte zhdukur.

Sipas Wall Street Journal, Marina e SHBA-së perceptoi një zhurmë që mendonte se ishte shpërthimi i nëndetëses Titan, menjëherë pasi kontakti u humb.

Edhe audioja e asaj zhurme është dëgjuar në dokumentarin e ri “The Titan Sub Disaster: Minute by Minute”, i cili do të transmetohet më 6 dhe 7 mars në Channel 5 në orën 21:00.

Dokumentari synon të ndjekë detajet e zhytjes së Titanit deri në rrënojat e Titanikut dhe çfarë mësimesh janë nxjerrë nga humbja tragjike e pesë jetëve.

Ekspertët që kanë zbritur në thellësitë e oqeanit kanë zbuluar copa të tjera të nëndetëses së bashku me disa mbetje njerëzore. Megjithatë, ekspertët paralajmëruan që të mos shpresohej se trupat e viktimave do të rikuperoheshin plotësisht për shkak të ‘mjedisit të egër’ të oqeanit.

Që atëherë janë gjetur sasi të konsiderueshme mbetjesh, të cilat i janë dorëzuar autoriteteve që po hetojnë katastrofën.

Që pas kësaj fatkeqësie, kompania OceanGate ka “pezulluar të gjitha operacionet e eksplorimit dhe tregtare”. /VoxNews

You may also like