Mbytja e një jahti luksoz të ankoruar në brigjet e Siçilisë është treguesi më i fundit se Mesdheu po bëhet një det gjithnjë e më i rrezikshëm për lundrim, sipas ekspertëve të klimës dhe kapitenëve.
Advertisements
Trupat e pajetë të dy prej gjashtë personave të zhdukur pasi jahti luksoz Bayesian u mbyt në brigjet e Siçilisë, janë gjetur nga palombarët sot në mesditë, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre.
Advertisements
Trupat dyshohet të jenë të sipërmarrësit britanik të teknologjisë Mike Lynch dhe vajzës së tij.
Jahti 56 metra Bayesian u godit nga një stuhi e fortë të hënën. Ai u fundos brenda pak minutash, raporton Reuters.
Advertisements
Klimatologët thonë se ngrohja globale është shkaku i stuhive më të shpeshta dhe më të forta në det, i cili përdoret si “shesh lojërash verore” për miliona turistë, përfshirë edhe të pasurit që lundrojnë me superjahte.
Luca Mercalli, president i Shoqatës Italiane të Meteorologjisë, tha se temperatura e sipërfaqes së detit rreth Sicilisë në ditët para mbytjes së anijes ishte rreth 30 gradë Celsius, pothuajse tre gradë mbi normalen.
“Kjo krijon një burim të madh energjie që kontribuon në këto stuhi,” tha Mercalli për Reuters.
Ndryshimet në “Mare Nostrum” (Deti ynë), siç e quanin romakët e lashtë Mesdheun, vërehen edhe nga kapitenët me përvojë si Massimo Aramu, i cili drejton shkollën e lundrimit Akua në bregdetin afër kryeqytetit të Italisë.
Aktualisht duke lundruar rreth Greqisë, Aramu tha se nuk i pëlqen të lundrojë në brigjet italiane të detit Tirren rreth Siçilisë ose Ishujve Balearik të Spanjës, sepse ka “shpesh situata kritike me pak paralajmërim”.
Mesdheu ka filluar t’i ngjajë Karaibeve
Një stuhi e ngjashme me atë që fundosi Bayesian goditi arkipelagun Balearik javën e kaluar, i cili përfshin ishujt Ibiza dhe Mallorca.
Giuliano Gallo, një ish-kapiten që ka kaluar Atlantikun dhe ka shkruar disa libra mbi lundrimin, tha se Mesdheu po bëhet më shumë si Karaibet, i cili ka zona që shumë anije shmangin në periudha të caktuara të vitit.
“Megjithatë, gjërat janë më pak të parashikueshme në Mesdhe,” tha ai.
Një tjetër shenjë e motit më të paqëndrueshëm në Mesdhe u pa një vit më parë kur mijëra njerëz në Libi vdiqën nga përmbytjet e papritura të shkaktuara nga një stuhi e fuqishme mesdhetare e nxitur nga detet gjithnjë e më të ngrohta.
Karsten Borner, kapiteni i një anijeje që ishte ankoruar pranë Bayesian por i shpëtoi dëmtimit, tha se stuhia e së hënës ishte “shumë e egër, shumë intensive, me onde dhe mendoj se po rrotullohej si një tornado”.
Ai pohon gjithashtu se nxehtësia gjithnjë e më intensive gjatë muajve të verës luan një rol në shkaktimin e stuhive të tilla.
“Uji është shumë i nxehtë për Mesdheun dhe kjo sigurisht që shkakton stuhi të forta, siç kishim javë më parë në Balearik, si dy vjet më parë në Korsikë e kështu me radhë”, tha ai.