Pas SKY ECC dhe EncroChat, Europol “thyen” një tjetër aplikacion të kriminelëve, dalin 2.3 mln sms në 33 gjuhë, si…

by editor

Një tjetër aplikacion që përdoret nga kriminelët është arritur të zbulohet. Një ekip i përbashkët hetimor, mes autoriteteve franceze dhe holandeze kanë arritur që të zbulojnë një tjetër shërbim të sofistikuar të mesazheve të koduara, i quajtur “Matrix”.

Advertisements

Për një periudhë prej tre muajsh, autoritetet ishin në gjendje të monitoronin mesazhet e kriminelëve, të cilat do të përdoren në vijimësi të hetimeve për “çmontimin” dhe zbardhjen e ngjarjeve dhe lidhjet e grupeve kriminale. Gjatë një operacioni të koordinuar të mbështetur nga Eurojust dhe Europol, ky aplikacion mesazhesh u zbulua nga autoritetet holandeze dhe franceze dhe veprimet vijuese u ekzekutuan nga homologët e tyre italianë, lituanianë dhe spanjollë. MATRIX, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021. Pas këtij zbulimi një sërë hetimesh vijuan.

Advertisements

Shumë shpejt u bë e qartë se infrastruktura e kësaj platforme ishte teknikisht më komplekse se platformat e mëparshme si Sky ECC dhe EncroChat. Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët. Përdoruesit mund t’i bashkoheshin shërbimit vetëm nëse merrnin një ftesë. Infrastruktura për të ekzekutuar MATRIX përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende me serverë të rëndësishëm që gjenden në Francë dhe Gjermani. Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve holandeze dhe franceze filloi nëpërmjet një EPH të ngritur në Eurojust. Duke përdorur teknologji inovative, autoritetet mundën të përgjonin shërbimin e mesazheve dhe të monitoronin aktivitetin në shërbim për tre muaj.

Gjuha shqipe

Më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit. Burime bëjnë me dije se edhe gjuha shqiptare është dedektuar nga autoritetet e huaja. Mesazhet që u përgjuan lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave. Aksionet për rrëzimin e shërbimit dhe ndjekjen e kriminelëve ndodhën më 3 dhjetor në katër vende. Në Francë, një i dyshuar u arrestua dhe shtëpia e tij u kontrollua. Në Spanjë, dy të dyshuar u arrestuan pas një urdhër-arresti evropian nga Holanda dhe gjashtë shtëpi u kontrolluan. Gjashtë shtëpi u kontrolluan në Lituani. Serverët kryesorë në Francë dhe Gjermani u “çmontuan”. Hetimi ndërkufitar për MATRIX është një shembull i qartë i rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar krimin e rëndë të organizuar. Duke punuar së bashku në një EPH, autoritetet holandeze dhe franceze ishin në gjendje të shkëmbenin informacion dhe prova me shpejtësi dhe të kryenin veprime të përbashkëta.

Për të mbështetur hetimet mbi aktivitetet e paligjshme të mundësuara nga kjo platformë komunikimi, një Task Forcë Operacionale (OTF) u krijua në Europol në qershor 2024 midis Holandës, Francës, Lituanisë, Italisë dhe Spanjës. Kjo taskforcë luajti një rol kyç në monitorimin e aktivitetit kriminal në platformë. Në këto kushte, edhe në Shqipëri do të vijnë të dhënat e grumbulluara, njëjtë siç u veprua në rastin e “Encrochat” dhe “SkyECC”. Materialet e këtyre aplikacioneve janë dorëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe kanë shënuar goditjen e disa grupeve kriminale që operonin në Shqipëri dhe jo vetëm. Po ashtu, kanë zbardhur edhe shumë vrasje që prej vitesh ishin mbetur mister. Tashmë “Matrix” pritet të tronditë krimin e organizuar dhe pushtetarët e lartë

Aplikacioni nuk është i panjohur për SPAK, çfarë deklaronte Nuredin Dumani

Ky aplikacion nuk ka qenë i panjohur për drejtësinë shqiptare, e veçanërisht për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ka qenë vetë Nuredin Dumani, ai i cili pasi mori statusin e “pentitos”, tregoi se komunikimet mes anëtarëve të grupeve kriminale në Shqipëri bëheshin edhe përmes “Matrix”, jo vetëm me Sky ECC. Madje sipas tij, edhe kreu i bandës së Elbasanit, Suel Çela, e kontaktonte nëpërmjet kësaj platforme, ku i jepte porosi për të kryer vrasje me pagesë. Një prej tyre e ka dëshmuar më 2022, për atentatin ndaj pronarit të shkollës “Ëilson” në Tiranë. Edhe vetë Nuredin Dumani ka qenë përdorues i këtij aplikacioni dhe gjatë dëshmisë së dhënë e ka përmendur tre herë fjalën “Matrix”.

Dëshmia e Dumanit

Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix, më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 Euro. Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro. Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij.

Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej ‘nipçja’ dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do t’i jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”. Rikun në Matrix e kam regjistruar ‘kusho’. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që m’i kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës Ëilson e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit…Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”.

Riku më tha se i ishte bllokuar arma. Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar nipçja. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për tu larguar nga ngjarja. Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 Euro kapar. Personi i cili ishte i interesuar dhe që ma kishte dhënë Sueli, më tha nxirr dikë te Tegu të marri kaparin prej 10.000 Euro. Më pas unë komunikova me Rikun të cilit i thashë të shkonte te parkingu i Tegut që të merrte 10.000 Euro. Henriku më ka thënë se ka shkuar me një makinë ML dhe kur ka qenë te parking e kam thënë të presi në makinë, më pas i ka shkuar te xhami një person që i ka dhënë porosinë prej 10.000 Euro. Edhe pse puna nuk u krye nuk e kemi kthyer shumën prej 10.000 Euro.

You may also like