Përndoqi kreun e Spitalit Dibër, Gjykata lë në arrest shtëpie ish-drejtoreshën Irini Shehu

Gjykata e Dibrës ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për Irini Shehun, ish-drejtoreshën e Spitalit Rajonal të Dibrës dhe njëkohësisht kryetare e Këshillit Bashkiak në këtë rreth. Vendimi vjen pas arrestimit të saj në flagrancë më 23 prill, i cilësuar nga gjykata si i ligjshëm, ndonëse masa u zbut për shkak të rrethanave të hetimit dhe faktorëve të tjerë të vlerësuar nga trupa gjykuese.

Advertisements

Prokurori Urim Kalia kërkoi të njëjtën masë sigurie mbi bazën e Neni 121 i Kodit Penal, që lidhet me veprën penale të “përndjekjes”, ndërkohë që avokati mbrojtës argumentoi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe kërkoi zëvendësimin me masën më të lehtë të “detyrimit për paraqitje”.

Advertisements

Gjyqtarja Megi Muhaj, pas një seance me dyer të mbyllura më 25 prill, vendosi ta nxjerrë Shehun nga paraburgimi, duke e vendosur nën arrest shtëpie.

Irini Shehu akuzohet se ka përndjekur dhe kërcënuar disa nga ish-vartësit e saj në spital, përfshirë drejtorin aktual Rruzhdi Deda dhe kryeinfermiere Shpresa Biçi. Kjo e fundit ka depozituar kallëzim në polici për kërcënime me SMS dhe telefonata, ndërsa ngjarjet pasojnë një incident të rëndë të ndodhur më 11 shkurt, ku Shehu goditi me një objekt metalik shefin e financës, Shaban Uklala, pas një debati verbal.

Pavarësisht shkarkimit nga posti i drejtoreshës, Shehu dyshohet se ka vijuar të ushtrojë presion dhe ngacmime ndaj punonjësve të spitalit, duke përshkallëzuar situatën në disa raste.