Përplasja për ekspertizën e vdekjes së 3-vjeçarit, Prokuroria cakton ekspertë të huaj: Ka konflikt interesi! Mjekësia Ligjore: Procedurat u kryen si duhet

by editor

Ekspertiza për vdekjen e 3-vjeçarit, Brian Spahiu ka sjellë përplasje mes Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Prokuroria kërkon të caktojë ekspertë të huaj, ndërsa thotë se mjekët specialistë në vendin tonë, janë në konflikt interesi me personat në hetim. Mjekësia Ligjore thotë se të gjitha procedurat janë kryer si duhet.

TIRANË- Ekspertiza për shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahia ka sjellë një përplasje mes Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Mësohet se organi i akuzës kërkon që të caktojë ekspertë të huaj për të kryer ekspertizë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit, i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes dentare në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho.

Advertisements

Sipas Prokurorisë së Tiranës, akti i parë i ekspertizës që u publikua në muajin nëntor 2023 ishte i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë. Sipas ekspertizës së parë, i mituri vdiq nga mbidoza e narkozës, por Prokuroria kërkoi ri-ekspertim.

Prokuroria është në pritje të kryerjes se procedurave ligjore për t’u dërguar me letërporosi autoriteteve juridike të huaja vendimin për caktimin e ekspertëve të huaj. Sipas Prokurorisë, mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet. Po ashtu, Prokuroria thotë se mjekët specialistë në vendin tonë, janë në konflikt interesi me personat në hetim, përfshirë edhe mjekun Roland Xhaxho.

Advertisements

Ndërkohë, Mjekësia Ligjore në një reagim të bërë sot thotë se procedurat për caktimin e shkakut të vdekjes janë kryer si duhet. Sipas IML, krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike.

“Mjekët ligjorë pas autopsisë kanë kryer procedurat standarde për përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes së fëmijës, i cili është trajtuar për mjekimin e dhëmbëve në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho.

Advertisements

Duke qenë se rasti i vdekjes së fëmijës ishte specifik, në përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike. Në përfundim të shqyrtimit të të dhënave të përftuara, mjekët ligjorë kanë përpiluar shkakun dhe mekanizmin shkencor të vdekjes”, thuhet në reagim.

I vogli, Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private Splendent, brenda ambjenteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga akuza e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”, që konsiderohet kundërvajtje penale dhe si e tillë në fazën fillestare nuk pranon masë sigurisë “arrest në burg”.

Reagimi i plotë i IML

Duke marrë shkas nga publikimi në disa media, lidhur me aktin e ekspertimit të vdekjes së fëmijës, Brian Spahiu, se sipas Prokurorisë së Tiranës: “Akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë, ndërkohë që mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet”, Instituti i Mjekësisë Ligjore ju informon si më poshtë:

Mjekët ligjorë pas autopsisë kanë kryer procedurat standarde për përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes së fëmijës, i cili është trajtuar për mjekimin e dhëmbëve në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho. Duke qenë se rasti i vdekjes së fëmijës ishte specifik, në përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike. Në përfundim të shqyrtimit të të dhënave të përftuara, mjekët ligjorë kanë përpiluar shkakun dhe mekanizmin shkencor të vdekjes.

Vlen të sqarojmë se, IML-ja në vite gjithmonë ka dhënë kontributin e saj në funksion të të gjitha kërkesave të Prokurorisë dhe Gjykatës. Çdo vit IML i përgjigjet Prokurorisë me rreth 16.000 akte ekspertimi mjeko-ligjore, toksikologjike-ligjore dhe psikiatriko-ligjore, në funksion të kërkesave të Prokurorisë dhe Gjykatave në të gjithë vendin.

Mjekët ligjorë janë të specializuar dhe të asistuar nga partnerët ndërkombëtarë. Çdo aludim për paaftësi është jo vetëm një përpjekje për të zhbërë punën e këtij institucioni, por dhe një fyerje e rëndë për shkencën e mjekësisë dhe armatën e madhe të mjekëve tanë, që me punën dhe mendimin e tyre shkencor gëzojnë respektin e kolegëve të tyre evropianë dhe më gjerë.

Mjekët ligjorë i përgjigjen kritereve të Kodit të Procedurës Penale për caktimin dhe kryerjen e detyrës dhe bëjnë betimin sipas ligjit procedurial për çdo akt ekspertimi. Në çdo rast aludimi për konflikt interesi, ligji Procedurial Penal parashikon heqjen dorë nga ekspertimi dhe zëvendësimin e ekspertit. Duke shpresuar që vendimmarrja konkrete të mos jetë mjet për të zhbërë përfundimin ligjor dhe shkencor të arritur në aktin e ekspertimit, ne do të vazhdojmë punën tonë në funksion të dhënies së drejtësisë.

Nga ana tjetër, kundërshtojmë çdo akt dhe vendimmarrje që mund të çojë në presionin e mjekëve ligjorë për të mos kryer detyrën!

Lajm ne përditësim….

You may also like