Rreth dy javë më parë transmetuam një problem të mprehtë në Fier. Një ish-përdorues droge, që prej disa vitesh trajtohet me metadon, tregoi se mjeku toksikolog Endri Mandro, në Fier, nuk i jep metadonin që e ka detyrim t’ia japë një herë në javë.
Advertisements
Sipas denoncuesit, meqë ky i fundit është ankuar nëpër institucione, doktori e ka marrë inat dhe ia ka ndaluar dhënien e medikamentit të domosdoshëm.
Advertisements
Përmes kamerës së fshehtë të emisionit tonë, provuam, se jo vetëm mjeku Mandro, por edhe një mjek tjetër toksikolog në Fier, lëshonin receta kundrejt ryshfetit. Denoncuesi tha se mjeku Mandro, sillet në mënyrë arrogante duke e kapur për fyti e duke e sharë e kërcënuar.
Për të marrë metadonin duhej një rekomandim nga mjeku Lulzim Banushaj, meqë i infiltruari ynë nuk ishte i regjistruar. Mjeku Banushaj i dha një recetë për një sasi tre ditore, në këmbim të 2000 lekëve, pa e vizituar fare. Pas transmetimit tonë, mjekët e implikuar, u lanë në arrest me burg.
Sot jemi kthyer në Fier, pasi pacientët ankohen se janë lënë pa metadon, e nuk flenë e as bëjnë dot jetë normale për shkak të dhimbjeve.
Qytetari 1: Jam shumë me dhimbje, nuk rri dot.
Gazetari: Ku i ndjenë dhimbjet?
Qytetari 1: I ndiej në kurriz, nuk më rrihet në një vend.
Gazetari: Dhe cili është shkaku që ke dhimbjet sot?
Qytetari 1: Ja për metadonin o vëlla, kam tre ditë pa fjetur gjumë fare.
Gazetari: Në këto momente që ne po bëjmë këtë regjistrim është ditë e martë, ju të Fierit, se ti je nga Fieri, duhet ta kishe ditën e hënë. Po përse nuk e ke marrë të hënën metadonin?
Qytetari 1: Po nuk na dhanë more vëlla, nuk ishte…
Gazetari: Ishte e mbyllur?
Qytetari 1: E.
Gazetari: Përpara se ne të bënim këtë intervistë, ti më the që u detyrove të konsumoje përsëri heroinë dje. Pse?
Qytetari 1: Po nga kjo pra, nga metadoni.
Qytetari 2: E kisha për ta marrë dje, por erdhëm, s’kishte njeri. S’ke as kujt t’i ankohesh, derisa ngecesh kot në shtëpi me dhimbje. Çfarë nuk të vete mendja, të hidhesh nga tarraca pa tallje. 9 orë po kaluan, e ke mendjen si ti shmangesh. Dy pika kanë mbetur metadon (tregon bidonin), këtë e kam shtyrë me zor.
Qytetari 3: Pa gjumë vëlla. Nuk e shikon ti, po vdes, po dridhem.
Gazetari: Po dridhesh?
Qytetari 3: Po dridhem.
Pasi nuk e gjetëm drejtorin e ri Ervin Hoxha, vumë në dijeni edhe ministrinë e shëndetësisë për këtë problem. Pas ndërhyrjes sonë, problemi u zgjidh dhe infemrieri Leonard Mucaj u urdhërua përkohësisht të bënte shpërndarjen e menjëhershme të metadonit.
Gazetari: Po të shikojmë si dritën e diellit tani. Kështu që do bëjmë shpërndarjen, që t’ua japim sa më shpejtë dhe të mos humbasim kohë?
Leonard Mucaj: Po patjetër, do bëj shpërndarjen tani. Sa më shpejtë të jetë e mundur.
Gazetari: Do jesh i përhershëm derisa…?
Leonard Mucaj: Jo, unë jam provizor deri në një moment të dytë.
Gazetari: Mirë, shpresojmë që t’i ndihmojmë tani. /tvklan.al