Policia greke zbardh vjedhjen e 4 milionë eurove në bankë, shpallen në kërkim dy shqiptarë

Pas 17 vitesh hetimesh, Policia Greke ka arritur të zbulojë një vjedhje të madhe të ndodhur në vitin 2008 në një filial banke në Kifisia, afër Athinës.

Advertisements

Vlera e parave dhe sendeve të vjedhura nga kasaforta e bankës arrin në 4 milionë euro. Autorët e dyshuar të ngjarjes, dy shtetas të Kosovës, janë shpallur në kërkim.

Advertisements

Ngjarja e vjedhjes ka ndodhur në gusht të vitit 2008, kur persona të panjohur thyen një dritare të bankës dhe hynë brenda për të vjedhur para dhe sende me vlerë.

Hetimet e mëtejshme nga Drejtoria e Hetimeve Kriminale të Policisë Greke kanë çuar në identifikimin e dy shtetasve të Kosovës si autorët e mundshëm të vjedhjes. Ata janë Basri Berisha, 53 vjeç (alias Basri Ramadani), dhe Sinan Beqiroski, 54 vjeç (alias Sinan Bekjiroski).

Berisha, i cili aktualisht mbahet në një qendër paraburgimi në Francë, është një emër i njohur për autoritetet ndërkombëtare, pasi ka qenë i arrestuar më parë për vepra të ngjashme në Gjermani dhe Kosovë.

Nga analiza krahasuese e të dhënave, është konstatuar se Berisha është i përfshirë gjithashtu në një tentativë vjedhjeje në vitin 2009 në një filial banke në Athinë, si dhe në vjedhjen e një kasaforte dhe bankomati në vitin 2010 në një supermarket në Kretë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa Policia Greke po bashkëpunon me autoritetet ndërkombëtare për arrestimin dhe ekstradimin e të dyshuarve, të cilët përballen me akuza të rënda për vjedhje dhe pastrim parash.

Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, duke ngritur shqetësime mbi aktivitetet e grupeve kriminale ndërkombëtare që operojnë në Greqi dhe Evropë.