Ngjarje të tensionuara kanë ndodhur brenda mureve të burgut të Durrësit, ku kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka pasur një përplasje të fortë me disa individë të njohur të politikës dhe medias. Sipas burimeve të brendshme, Veliaj, i cili pas transferimit nga Tirana në Durrës, u fut në qeli me ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, ka përdorur celularin e këtij të fundit dhe një nga episodet ku evidentohet nga përgjimet është presioni ndaj gazetares së njohur, Klodiana Lala. Dyshohet se gazetarja ka informuar organet e drejtësisë, duke përfshirë SPAK-un dhe ambasadën britanike, për ndodhitë që po zhvilloheshin brenda burgut.
Advertisements
Kjo ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga autoritetet, ku Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka urdhëruar sekuestrimin e telefonave dhe izolimin e Veliajt nga të tjerët. Dyshohet se për gjithë këto ndodhi, Veliaj kërcënoi edhe Manjën. Në media kur dolën sekuenca të përgjimeve të reja ndaj Veliajt, të bëra përmes telefonatave nga brenda paraburgimit për familjarët përmendej një ministër. “Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje se fal, për 7 breza do ta shkrij”, është një nga citimet që dyshohet të ketë folur kryebashkiaku Veliaj me familjarët apo edhe intimidimi i dëshmitarëve të dosjes, duke shkuar deri aty sa t’i udhëzojë se si duhet të sillen në raport me hetimin penal ndaj tij. Dyshohet se Manja i ka shkuar Veliajt në qeli dhe i ka thënë se faji nuk është i tij.
Advertisements
Telefonata tjetër që fundosi Veliajn
Referuar të dhënave të tjera që kanë dalë nga SPAK bëhet me dije se ditën kur Erion Veliaj u la në burg nga Apeli i GJKKO, diçka e pazakontë ka ndodhur në makinën me të cilën kryetari i bashkisë po transferohej nga paraburgimi i Durrësit për në Apelin e GJKKO në Tiranë më 13 Mars. Një nga oficerët e burgjeve që shoqëronte kryetarin e bashkisë i ka dhënë këtij të fundit telefonin e tij me qëllim që Veliaj të bënte telefonata. Mësohet se gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve e ka pranuar një fakt të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika. Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim oficerët e burgjeve, të cilët shoqëronin kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në fakt, edhe në sallën e gjyqit, në tri ditët e rivlerësimit të masës së sigurimit u fol për përgjime të kryera ndaj Veliajt, si shtesë në një tjetër material që dyshohet se do t‘i bashkëngjitet dosjes voluminoze me të cilën edhe u prangos. Gjatë seancës më 13 Mars, kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”.
Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë me intervistat në media. “Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore” mësohet se është shprehur Erion Veliaj. Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”. Kujtojmë se kryebashkiakut Erion Veliaj iu është shtuar një akuzë e re nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Veliajt iu është komunikuar nga prokurorët e posaçme akuza për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit.