Detaje të reja janë zbuluar pas takimit me tone të larta mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe liderit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Advertisements
Mediat amerikane shkruajnë se pas replikave të ashpra, delegacioni ukrainas u largua nga Zyra Ovale në një “dhomë të ndarë”, menjëherë pas konfliktit.
Advertisements
Atje, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio u thanë atyre që të largoheshin nga Shtëpia e Bardhë, sipas partnerit amerikan të BBC-së, CBS
Presidenti amerikan i ka kërkuar sekretarit të Shtetit, Rubio që të njoftojë delegacionin ukrainas se duhet të largohet nga Shtëpia e Bardhë dhe se do të ketë mundësi të kthehet vetëm nëse do të jetë i gatshëm për armëpushim.
Ndërkohë që mësohet se menjëherë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Zelensky ka pasur një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Por kjo përballje nuk është parë mirë as brenda Shteteve të Bashkuara. Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer deklaroi disa minuta pas takimit se në këtë mënyrë Donald Trump dhe mëkëmbësi i tij Vance po luajnë lojën e pisët të Vladimir Putini.
Olaf Scholz: Ukraina mund të mbështetet te Gjermania dhe te Evropa
Pas përplasjes Trump-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë ka reaguar edhe Olaf Scholz, kancelari aktual i Gjermanisë nga Partia e Social-Demokratëve, i cili tha se askush më shumë se ukrainasit nuk e dëshiron paqen. Prandaj, sipas tij, Ukraina mund të mbështetet te Gjermania dhe Evropa.
“Askush nuk dëshiron paqe më shumë se sa ukrainasit. Prandaj ne po punojmë në një rrugë të përbashkët drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë. Ukraina mund të mbështetet te Gjermania – dhe te Evropa,” shkroi Olaf Scholz.
Edhe kancelari i ardhshëm gjerman përkrah Ukrainën
Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz ka deklaruar se qëndron krah Ukrainës në kohë të mira dhe të vështira. Ai shton se nuk mund të krahasohet agresori me viktimën, reagim ky i nisur nga takimi mes Trump-it dhe Zelensky-t ditën e sotme, takim i cili u mbyll pa një marrëveshje.
Në një postim në X, Merz i drejtohet Presidentit të Ukrainës në formë mbështetje.
“I dashur Volodymyr Zelensky, ne qëndrojmë me Ukrainën në kohë të mira dhe në prova. Nuk duhet të ngatërrojmë kurrë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme”, tha ai.
Shefja e BE-së del në mbështetje të Zelensky
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas dështimit të negociatave mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Von der Leyen ka shprehur mbështetjen e saj për Ukrainën përmes një mesazhi në rrjetet sociale:
“Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Ji i fortë, trim, ji i patrembur. Nuk je kurrë vetëm, i nderuar President Zelensky. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkruan Ursula von der Leyen.
Viktor Orban, i vetmi europian në mbështetje të Trump
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, reagoi në mbështetje të presidentit të SHBA, Donald Trump, pas përplasjes së këtij të fundit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.
Orban theksoi se “njerëzit e fortë bëjnë paqen” ndërsa falënderoi Trumpin për qëndrimin e tij.
“Njerëzit e fortë bëjnë paqen, njerëzit e dobët bëjnë luftën. Sot, presidenti Donald Trump qëndroi me guxim për paqen, edhe sikur të ishte e vështirë për shumë të tjerë ta pranonin. Faleminderit, zoti President!”, shkroi Orban.