Prej 21 ditësh në spital/ Papa Françesku: Ju ndjek nga këtu, Zoti ju bekoftë

Papa Françesku ka dërguar një mesazh mirënjohjeje për besimtarët që po luten për shëndetin e tij, ndërsa vijon trajtimin në spitalin Gemelli në Romë për shkak të pneumonisë.

Advertisements

Në një audio-regjistrim të publikuar nga shtypi i Vatikanit, Ati i Shenjtë, i cili ndodhet prej 21 ditësh në spital, shprehu falënderimet e tij për lutjet dhe solidaritetin e besimtarëve.

Advertisements

“Ju falënderoj me gjithë zemër për lutjet që bëni për shëndetin tim nga Sheshi i Shën Pjetrit. Ju ndjek nga këtu. Zoti ju bekoftë dhe Nëna e Shenjtë ju ruajt. Faleminderit!” – tha Papa në mesazhin e regjistruar në gjuhën spanjolle.

Që prej fillimit të javës, mijëra besimtarë dhe kardinalë janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të lutur Rruzaren e Shenjtë në mbështetje të Papës. Sipas Vatikanit, gjendja shëndetësore e tij po përmirësohet dhe natën e kaluar e ka kaluar qetësisht, pa episode të pamjaftueshmërisë respiratore.

Raporti i ardhshëm mjekësor pritet të bëhet publik ditën e shtunë.