Produkte me substanca kimike të rrezikshme. Coca-Cola njofton tërheqjen masive në tregun europian

Kompania Coca-Cola “Europacific Partners”, ka njoftuar për një tërheqje masive nga tregu europian të pijeve Coca-Cola, Sprite, Fanta, Fuze Tea, Minute Maid, Nalu, Royal Bliss dhe Tropico pasi në produkt janë vërejtur nivele të larta të kloratit, substancë kimike e cila mund të sjellë rreziqe shëndetësore, raporton Newsbomb.al

Advertisements

Paketimet e Coca-Cola të cilët kanë në përbërje nivele të larta të kloratit, janë shpërndarë në tregjet europiane, kryesisht Belgjikë, Holandë, Gjermani, Francë e Luksemburg që nga nëntori i vitit të kaluar.
“Nuk kemi një shifër të saktë, por është e qartë se është një sasi e konsiderueshme. Shumica e produkteve të prekura ishin produkte të pashitura që veçse janë tërhequr nga raftet e dyqaneve dhe ne vazhdojmë të ndërmarrim masa për të larguar produktet e mbetura në treg”, tha Coca-Cola Europacific Partners.
Sipas shkrimit te Newsbomb.al substanca kimike e kloratit gjendet kryesisht tek produktet ushqimore dhe të lëngshme pasi buron nga dezinfektuesit me klor që përdoren gjerësisht për trajtimin e ujit dhe përpunimin e ushqimit.
Ekspozimi afatgjatë ndaj kloratit përbën shqetësim të mundshëm shëndetësor për fëmijët, kryesisht te ata që kanë mungesë të vogël apo të mesme të jodit.

Advertisements