Opozita do të protestojë sot para Parlamentit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ftoi dje të gjithë qytetarët që të bëhen ditën e nesërme pjesë e protestës së opozitës në orën 10:00 para sallës së seancave plenare.
Advertisements
“Ne si opozitë kemi bërë atë që bën çdo opozitë e përgjegjshme. Apeloj çdo qytetar që të marrë pjesë nesër në protestën e orës 10:00 përpara sallës së seancave plenare, duke shprehur vendosmërinë tonë që nuk pajtohemi kurrë që qeveria e një vend anëtar të NATO-s të miratojë ligje, të fuqizojë grupet më të rrezikshme kriminale në vend.
Advertisements
Më tej, Bardhi i bëri thirrje kryeparlamentares Nikolla për kërkesën e tyre për mocion me debat në seancën plenare të ditës së sotme.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje kryetares së Kuvendit që të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Kërkesa e grupit parlamentar për zhvillimin e mocionit me debat për një temë që shqetëson deputetët, është detyrimisht e pranueshme dhe e vetmja gjë që duhet të bënte, të kishte mbledhur Konferencën e Kryetarëve me këtë rend dite për të përcaktuar kohën e debatit. Nëse vlerëson se do të ia hedhë sa herë Edi Rama ka qenë në vështirësi, duke injoruar kërkesat e grupit të PD-së po e paralajmëroj se kjo do të ishte e papranueshme për grupin tonë parlamentar”, – deklaroi Bardhi.
Advertisements
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, paralajmëroi dje një tjetër aksion të SPAK ditët në vijim që sipas tij, do të godasë lidhjet mes krimit dhe politikës. Në fjalën e tij përpara mbledhjes së grupit parlamentar demokrat në selinë blu, Gazment Bardhi kërkoi nga SPAK që të përshpejtojë punën për të goditur krimin e organizuar si dhe për të nxjerrë para ligjit politikanët e lidhur me krimin.
“Krahas hetimeve të kryera nga SPAK, të cilat janë në vazhdim dhe pritet që ditët në vijim të ketë akoma më shumë të dhëna sa u takon lidhjeve apo kontratës mes politikës dhe krimit, mediat ndërkombëtare përfshirë Rai3 kanë raportuar në mënyrë të përsëritur lidhjet e forta të Edi Ramës me grupet kriminale. Nuk i ka thënë opozita Edi Ramës, dhe ju do të shikoni në ditët në vijim dhe unë gjej rastin të apeloj Prokurorinë e Posaçme të veprojë me shpejtësi në zbardhjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, nuk i ka thënë as opozita, as ‘Rai3’, as Bild Edi Ramës që të caktojë një të deleguar të posaçëm që ruan raportet mes tij dhe botës së errët të krimit të organizuar. Të dhënat janë atje, janë në Prokurori dhe unë pres, opozita pret që SPAK të përmbushë misionin e vetë për të goditur krimin e organizuar, por sigurisht për të mbajtur përgjegjës edhe ata politikanë që për llogari të pushtetit të tyre të vjedhur me forcën e errët të grupeve kriminale, dhunojnë prej 11 vitesh çdo proces zgjedhor në Shqipëri”, – tha Bardhi.
MASAT
Për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë, policia ka njoftuar planin e masave të ndërmarra, ku bën me dije se zbatimi do të nisë që në orën 08:00 dhe se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”.
Policia njofton se drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative.
Policia e Tiranës u ka bërë thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të shmangin aktet e dhunës.
Njoftimi i DVP Tiranë:
Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi që do të zhvillohet ditën e nesërme, përpara Parlamentit, në orën 10:00.
Në zbatim të planit të masave, në orën 08:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”. Drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore dhe përsërit thirrjen për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune, pasi nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.