Personi që shihni në këto foto është njeriu që dyshohet se ka vendosur sasinë e tritolit në derën e apartamentit të marë me qëra nga dy motrat Giovana dhe Alda Nikolli, në Elbasan.
Advertisements
Në këtë ngjarje të rëndë, që prishi qetësinë e mëngjesit të 13 korrikut në Elbasan, mbeti i plagosur rëndë një 29-vjeçar, Enea Thomaraj, komshi me dy motrat objektiv i këtij atentati me tritol C4.
Advertisements
Ditën e djeshme fatkeqësisht pas tre muaj luftë për jetën, në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, ka ndërruar jetë djaloshi Enea Thomaraj, i cili nuk kishte asnjë konflikt qoftë me motrat Nikolli por dhe me ata që urdhëruan dhe vendosën tritolin në derë të shtëpisë së tyre.
Edhe pse në dosjen e SPAK ka pamje filmike të autorit të dyshuar, prokuroria ende dhe sot nuk ka mundur të identifikojë këtë ngjarje të rëndë dhe të paprecedentë.
Silueta e autorit, ku shfaqet mbi një biçikletë me bluzë të bardhë, kapele në kokë, tuta të shkurtra në këmbë, rezulton të jetë filmuar nga disa kamera të bizneseve në Elbasan.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka siguruar disa nga fotot e autorit gjatë momentit, kur ka shkuar me biçikletë në lagjen ku ndodhet pallati i dy motrave Giovana dhe Alda Nikolli.
Ky person që shfaqet në pamjet filmike është kapur nga kamerat fillimisht rreth orës 02:00 të mesnatës së 13 korrikut 2024 teksa lëviz në një nga rrugët e qytetit të Elbasanit. Më tej silueta e tij shfaqet në orën 02:28 minuta, shumë pranë hyrjes së pallatit ku banonin me qira dy motrat nga Lezha, Alda Nikolli dhe Giovana Nikolli.
Ai ka lënë poshtë pallatit biçikletën dhe me shpejtësi ka shkuar në katin e 4, duke vendosur tritolin në derën e apartamentit ku jetonin dy motrat. Sipas burimeve të prokurorisë, mekanizmi shpërthyes i tritolit ka qenë me fitil.
Pas aktivizimit të fitilit me zjarr, personi largohet me shpejtësi përmes shkallëve dhe teksa merr biçikletën poshtë pallatit, ikën nga zona në drejtim të spitaleve të Elbasanit.
Për herë të fundit imazhi i tij shihet në orën 05:35 të mëngjesit të 13 korrikut, ku sërish i hipur mbi biçikletë personi i dyshuar largohet, për të mos u ndjekur dhe arrestuar më nga policia.
Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi pjesërisht katin Nr.3,4,5 të pallatit ku banonin motrat Nikolli, të cilat në ato momente nuk ndodheshin në banesë.
Ndërsa, fatkeqësisht, komshiu i tyre 29-vjeçari Enea Thomaraj u plagos rëndë teksa ishte në banesën e tij, ka pësuar dëmtime të forta në kokë, duke sjellë vdekjen e tij dy ditë më parë.
Kjo ngjarje tronditi opinionin publik për shkak se i riu që humbi jetën në këtë atentat me tritol, nuk kishte të bënte fare me konfliktin që kishte lindur në rrjetin “Tik-Tok” mes dy motrave Nikolli dhe një vrasësi me pagesë Nuredin Dumani alias “Luli” që sot gëzon statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë SPAK.
Motrat Nikolli, denoncuan në SPAK Nuredin Dumanin për kërcënime të vazhdueshme për jetën që vinin prej tij nga ambientet e burgut Nr. 313 në Tiranë, duke dorëzuar dhe prova konkrete si komunikime dhe filmime, që tregonin se nga qelia Dumani kishte akses të plotë në rrjetet sociale, interneti, Tv etj.
Por prokuroria e posaçme SPAK, nuk mori masa për të ndërhyrë dhe hetuar, duke injoruar denoncimin e dy motrave Nikolli. Dhe pak ditë pas kësaj, motrave Nikolli në Elbasan i vendoset një sasi tritoli në apartamentin e tyre, duke shkaktuar jo vetëm dëme të konsiderueshme por dhe marrjen e një jete të pafajshme siç ishte Enea Thomollari.
Vetëm pasi në Elbasan, shpërtheu tritoli dhe ngjarja u bë e madhe, SPAK ndërhyri në mënyrë të menjëhershme në Drejtorinë e Policisë dhe prokurorinë e Elbasanit, duke i kujtuar këtyre dy institucioneve lokale, se tashmë këtë ngjarje dhe konfliktin e lindur mes dy motrave Nikolli dhe Nuredin Dumanit, do e hetonin prokurorët e SPAK.
Dosja u tërhoq me shumë urgjencë nga Elbasani në SPAK, duke u bashkuar në një çështje të vetme me atë që quhet dosja Nr. 75 ose siç njihet ndryshe gjerësisht “Plumbi i artë”, ku nën hetim dhe gjykim janë disa nga e njohur të botës së krimit në Shqipëri, përfshirë dhe Nuredin Dumanin.
Por sot pas tre muaj hetime për këtë ngjarje, SPAK ende nuk ka dalë me një konkluzion përfundimtar, se kush është identiteti i personit që shfaqet me biçikletë dhe që dyshohet shumë se ka vënë tritolin në apartamentin ku banonin motrat Nikolli.
Hetimet vijojmë nga ana e SPAK, megjithëse pamjet filmike në dosjen e administruar nga prokuroria e Elbasanit, janë të qarta.