Publikimi i një video, ku shihet Saimir Rexhepi, personazhi i njohur në rrjetet sociale me pseudonimin “Ujku i Cërrikut” duke u shoqëruar nga policia, pak pas finalizimit të megaoperacionit “Tempulli”, gjatë të cilit ranë në pranga disa persona për shpërndarje të lëndëve narkotike, u ka kushtuar shtrenjtë disa efektivëve të policisë së Elbasanit.
Advertisements
Burime pranë policisë së Elbasanit thanë për A2CNN së ndaj efektivëve që kanë marrë pjesë në arrestimin e tij është aplikuar një masë ndëshkimore, duke iu shtyrë afatin e gradimit me një vit.
Advertisements
Gjatë operacionit të trumbetuar edhe nga ministri i Brendshëm ranë në pranga 246 persona, ndërsa u pretendua se u shkatërruan 23 grupe kriminale.
Në total u sekuestruan 134 kg kanabis, 1.2 kg kokainë dhe tableta ekstazie.
Droga e sekuestruar sipas policisë shitej në afërsi të shkollave, por “Ujku i Cërrikut” ka rezultuar se nuk është pjesë e 23 grupeve kriminale të pretenduara nga uniformat blu.
Policia ndoshta nuk e njihte, por u kujdes që video nga momenti i shoqërimit në komisariat të shpërndahej në media si një prej arrestimeve të “Tempullit”, ku “Ujku i Cërrikut” shihet teksa del nga automjeti i prangosur dhe me kurorë në kokë.