Në mbledhjen e fundit të qeverisë për këtë vit pritet të miratohet gjithashtu edhe vendimi për shpërblimin e punonjësve mbështetës të administratës. Kjo kategori që ka pagat më të ulëta ku përfshihen, shoferë, sanitare, protokolli apo arkivi do të marrin shpërblim për fundvit 15 mijë lekë.
Advertisements
Burime nga Ministria e Financave thonë se janë rreth 7.700 punonjës mbështetës që do të marrin bonus në fundvit. Në aktin normativ të fundit për rishikimin e buxhetit 2024, që ka hyrë tashmë në fuqi janë caktuar 120 milionë lekë për shpërblimin e punonjësve mbështetës të administratës publike.
Advertisements
Në tabelat që shoqërojnë buxhetin e këtij viti është përcaktuar një fond prej 120 milionë lekë për “Shpërblim punonjësve mbështetës të administratës publike”. Në këtë kategori do të përfshihen shoferët, sanitaret, punonjësit e arkivit dhe protokollit. Edhe pse fondi i vendosur në dispozicion është përcaktuar në rishikimin e buxhetit nuk bëhet ende e ditur shuma sesa do të përfitojnë kjo kategori punonjësish të administratës.
Por, ky nuk është ndryshimi i vetëm që i është bërë buxhetit të këtij viti. Qeveria ka ulur fondin për bujqësinë dhe gjithashtu i ka dhënë një fond prej 2 mld lekë në formën e kredisë “Albcontrolit” ka shtuar ndjeshëm fondet për transportin rrugor, si dhe ka caktuar 173.3 milionë lekë për 6 bashki (Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Pukë, Shkodër e Vlorë) për “Rivitalizimin e tregjeve tradicionale”.
Me këtë rishikim buxheti janë ulur ndjeshëm shpenzimet e institucioneve dhe janë hapur zëra të tjerë, siç janë shpërblimet apo kredinë për “Albcontrol”. Edhe ky rishikim i ka dedikuar vëmendje të madhe transportit rrugor, fondet e të cilit janë rritur me 12.8 miliardë lekë. Referuar tabelave buxheti për transportin rrugor do të rritet nga rreth 29.3 miliardë lekë në 42.2 miliardë lekë.
E nga ana tjetër janë shkurtuar fondet për bujqësinë me 453 milionë lekë. Por nga ana tjetër janë shkurtuar ndjeshëm fondet për institucionet, ku ndikim ka dhënë padyshim mos realizimi i shpenzimeve përgjatë këtij viti. Nëse pritej që 95 institucione do të shpenzonin 430.9 miliardë lekë, tashmë pritshmëritë janë shkurtuar me 12 miliardë lekë dhe deri më 31 dhjetor 2024 ato do të harxhojnë 418.9 miliardë lekë. Ky akt normativ nuk ka prekur pritshmëritë për të ardhurat dhe shpenzimet. Të ardhurat për këtë vit planifikohet të arrijnë 714 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 771.3 miliardë lekë.
/Gazeta Panorama