Rama: Kam ndryshuar mendim për Trump. Në 2016 isha i ri. Fajësimi i tij për krizën e Europës do të ishte një gabim i madh

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer në një intervistë për televizionin grek “Mega” se ka ndryshuar mendim për presidentin amerikan Donald Trump krahasuar me deklaratën që kishte bërë në vitin 2016. Ai u shpreh se në atë kohë ishte më i ri dhe i panjohur me veprimet e Trump, por tashmë, pas të gjitha zhvillimeve, ai e ka parë situatën nga një këndvështrim tjetër.

Advertisements

“Në 2016 nuk i kisha të gjithë flokët e bardhë. Isha më i ri dhe ai nuk ishte president, ishte kandidat. Më pas u bë president. Munda ta shoh në veprim nga afër, dhe sigurisht kam ndryshuar mendim. Nëse Europa do të fajësojë Trump për situatën në të cilën ndodhet, do të ishte një gabim i tmerrshëm”, tha Rama.

Advertisements

Në lidhje me Bashkimin Europian, ai theksoi se për të, BE është një projekt i mrekullueshëm, por që aktualisht duket si një pacient me 27 mjekë. “Europa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit, por kështu siç është, ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nuk është panoramë që të jep forcë e siguri. Jo vetëm se janë 27 mjekë, por dhe patologë”, u shpreh ai.

Në intervistën e tij, kryeministri Rama gjithashtu paralajmëroi se kërcënimi më i madh për Europën është mundësia që të bëhet e parëndësishme. Ai e sheh procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si një hap të rëndësishëm, por një që ka nevojë për më shumë përpjekje. “Na duhej Vladimir Putin që Europa të zgjohej për të shtyrë këtë proces. E kemi një plan që deri në 2027 ta mbyllim pjesën teknike. Objektivi im është që deri në vitin 2030, të jemi të gjithë së bashku në të njëjtën familje të madhe,” theksoi Rama.