Rama nuk i ndahet SPAK-ut, paralajmëron mesazhin e radhës

E ndërsa në 48 orët e fundit ka lëshuar një sërë kritikash dhe akuzash ndaj SPAK-ut dhe GJKKO-së, kryeministri Edi Rama nuk do të ndalet me kaq.

Advertisements

Në një mesazh në rrjetet sociale, ai paralajmëron mesazhin e radhës ndaj drejtësisë.

Advertisements

“Nesër përsëri në mëngjes, sy m’sy për një diskutim që duhet të vazhdojë, për detyrën tonë për të garantuar pavarësinë e drejtësisë nga pushteti politik dhe njëkohësisht për të ngritur zërin, kur vërejmë abuzime me pavarësinë në dëm të standardeve demokratike. Shqipëria 2030 duhet e do të jetë në Bashkimin Europian edhe për një drejtësi të pavarur, që garanton standardet demokratike dhe respekton ndarjen kushtetuese të pushteteve”, shkruan Rama.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme Edi Rama nuk hezitoi të krahasonte Prokurorinë e Posaçme me hetuesinë e diktaturës komuniste, pas arrestimit të Erion Veliajt.

“Ne nuk jemi këtu hunj gardhi që thjesht dhe vetëm të përcjellim lajme. Në të kundërt, ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhëm. Pse sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është një republikë parlamentare, ku në bazë të Kushtetutës pushtetet janë të pavarura”, tha Rama para deputetëve socialistë.

Me aludimin se Veliaj ndodhet në burg vetëm për fustanet dhe bizhuteritë e bashkëshortes, kryeministri tha se dosja e SPAK nuk ka prova dhe sfidoi publikisht në gjetjen e tyre. Rama tha se ka takuar dhe biseduar me dëshmitarët e kësaj dosje, të cilët thotë se janë intimiduar.

Sulmi vijoi ndaj gjyqtarit që vendosi për arrestimin e Veliajt, duke e cilësuar të afërt me demokratët, siç kishte bërë edhe kryebashkiaku nga qelia. Për këtë shfrytëzoi mesazhin e dërguar në celularin e tij nga një qytetar, lëvizje e ngjashme me ato të Sali Berishës që lexon denoncimet e qytetarit dixhital.