Restorante e markete, kapen 6 subjekte që tregtonin mish pule me salmonelë

Gjatë kontrolleve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Vlorë, janë evidentuar deri tani 6 subjekte që kanë pasur në ambientet e tyre dhe kanë tregtuar për klientët mish pule të infektuar me salmonelë. Subjektet e identifikuara përfshijnë disa markete, por nuk kanë munguar as restorante, të cilat janë hallka e fundit e konsumit të produkteve për klientët.

Advertisements

Sipas burimeve, nga qyteti i Vlorës është tërhequr një sasi e konsiderueshme e mishit të pulës me salmonelë. Dyshohet se numri i subjekteve, përfshirë marketet, restorantet dhe fast-food-et që kanë tregtuar apo servirur mishin me Salmonelë, mund të jetë edhe më i madh. Këto subjekte përfshijnë kryesisht ato afër shkollave dhe në zonat urbane të qytetit.

Advertisements

Gjithashtu, është mësuar se pas daljes publike të lajmit, shumë subjekte private në Vlorë kanë larguar menjëherë nga ambientet e tyre pulat që kishin në stok, pavarësisht nëse ato ishin infektuar me Salmonelë apo jo, për të shmangur rrezikun e përhapjes së infeksionit. Ky veprim ka ndihmuar në zbehjen e “skandalit”, duke ulur numrin e subjekteve të evidentuara.

Po ashtu, janë marrë masa administrative dhe gjoba për subjektet që kanë shkelur rregullat e sigurisë ushqimore.