Rikthehen Flamingot në Nartë/ Laguna shndërrohet në një mozaik ngjyrash dhe elegance

Laguna e Nartës është shndërruar në një mozaik ngjyrash dhe elegance teksa qindra flamingo kanë pushtuar ujërat e saj të kristalta. Këto shpendë hijerëndë, me siluetat e tyre të hijshme dhe ngjyrën karakteristike rozë, krijojnë një pamje magjepsëse që të lë pa fjalë.

Advertisements

Përgjatë gjithë vitit, Laguna e Nartës mirëpret flamingot, por në pranverë numri i tyre rritet ndjeshëm, duke e kthyer këtë zonë në një parajsë të vërtetë për dashamirësit e natyrës dhe fotografët e jetës së egër.

Advertisements

Nexhip Hysenlakoj, specialist I zonave të mbrojtura, konfirmon se bëhet fjalë për një specie që tashmë është pjesë e përhershme e kësaj lagune edhe për shkak të kushteve të favorshme.

Specialisti konfirmon se bazuar në vrojtimet e kryera, ka një rritje në numër të flamingove sidomos në periudhën e pranverës. Veç lagunës së nartës, flamingo gjen edhe në Divjakë apo në lagunën e Kunës.

Përveç flamingove, laguna gumëzhin nga jeta, pasi këtu strehohen edhe specie të tjera të rralla si pelikani kaçurrel, rosat e ndryshme dhe çafkat elegante.

E gjithë kjo pasuri natyrore ndodhet fare pranë një tjetër perle të Vlorës, Manastirit të Zvërnecit, i cili, mes gjelbërimit të harlisur dhe paqes që ofron, e bën këtë destinacion një vend ideal për ata që duan të largohen nga ritmi i vrullshëm i qytetit dhe të shijojnë mrekullitë e natyrës