Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Xhemal Qefalia zbuloi, se mund të ndërmerret në të ardhmen një nismë ligjore që do t’i hapte rrugën rikthimit të shërbimit të detyruar ushtarak në Shqipëri.
Advertisements
Një element që del në pah sipas deputetit të PS në shtimin e kapaciteteve mbrojtëse, nuk është vetëm rijetëzimi i uzinave ushtarake, por edhe përforcimi i Forcave të Armatosura.
Advertisements
Kjo sipas Qefalias do të realizohej shumë mirë përmes shërbimit të detyruar ushtarak për një periudhë nga 3 deri në 6 muaj, siç ka nisur të aplikohet në Serbi, pas një vendimi të qeverisë firmosur verën e kaluar.
“Vëmendja ndaj mbrojtjes është një gjë shumë pozitive dhe kjo po konkretizohet edhe nga Shqipëria. Ato uzina që u mbyllën shumë vite më parë do të jenë funksionale jo vetëm për nevojat e ushtrisë shqiptare, por edhe për të eksportuar. Dhe një gjë që është sërish këtu është mënyra e organizimit të shërbimit ushtarak. Mendimi im personal është se duhet të ketë një periudhë të shkurtër të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ashtu siç e kanë vendosur shumë vende, nisur nga siguria jo vetëm rajonale, por edhe territoriale e Shqipërisë. Ne kemi miratuar ligjin për rezervistët. Krijon mundësin që brenda një kohe prej 45 ditësh në vit mund të ftohen qytetarë kundrejt pagesës për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura. Por, pse jo të kalojmë edhe një periudhë të shkurtër 3 deri 6 mujore të shërbimit të detyruar ushtarak, do ishte shumë mirë. Personalisht do të kisha shumë dëshirë ta propozoj, nëse do kisha edhe mendimin e kolegëve të mi të grupit të PS, pasi kjo do ti shërbejë sigurisë kombëtare në tërësi”, tha Qefalia në “Off the Record” nga Andrea Danglli në, A2 CNN.