Rikthehet shiu në Kukës, reshje intensive priten në të gjithë qytetin

Rikthehen në Kukës reshjet e shiut pas më shumë se një muaj mungese.

Advertisements

Reshjet me intensitet mesatar nisin këtë mesditë, por deri më tani nuk raportohet për problematika në rrugë, të cilat në kohë me reshje janë në rrezikun e rrëshqitjes së dheut dhe gurëve.

Advertisements

Si pasojë e reshjeve, në Gjinaj të Hasit një automjet ka dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja për drejtuesin e mjetit, i cili ishte vetëm dhe pa pasagjerë.

Reshjet janë të mirëpritura për përmirësimin e situatës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi për shkak të mungesës së reshjeve të shiut dhe dëborës ka pasur rënie të nivelit të ujit në Fierzë, uji mbledhës më i madh në vend, nga ku varet edhe prodhimi i energjisë elektrike.

Aktualisht, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 266 metra mbi nivelin e detit dhe prurjet nga dy lumenjtë kryesorë, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, janë të pakta, deri në 80 metra kub në sekondë.

Hidrocentrali i Fierzës gjatë kësaj periudhe pa reshje ka punuar me turbina të alternuara për ruajtjen e rezervës ujore, por gjithashtu edhe nga importi i energjisë elektrike. Aktualisht, Fierzë punon me tre turbina nga katër që ka gjithsej.